Gjykata në Gjermani e gjykon një parti si kërcënim të pritshëm për demokracinë. A e kanë një të drejtë të tillë gjykatat kosovare?
Gjykata Administrative e Këlnit ka nxjerrë të martën një vendim gjyqësor, sipas së cilit partia e emërtuar si Alternativa për Gjermaninë (Alternative für Deutschland), mund të klasifikohet si një kërcënim i pritshëm për demokracinë.
Gjithnjë sipas Gjykatës, ka mjaftueshëm prova për qëllimet kundërkushtetuese të partisë në fjalë dhe koncepteve etnike, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Republikës Federale të Gjermanisë. Mbi këtë bazë, Gjykata i dha të drejtë Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës, që ta mbikëqyrë partinë në fjalë.
Alternativa për Gjermaninë është një parti e eskstremit të djathtë, e cila karakterizohet nga ksenofobia dhe euroskepticizmi. Ajo ka ndjekur kurs të ashpër ndaj të huajve, duke kundërshtuar pranimin e imigrantëve në Gjermani. Pas fluksit të refugjatëve më 2015, partia shënoi një rritje dhe më 2017 u bë pjesë e Bundestagut.
Pjesëtarët e partisë janë shprehur të habitur lidhur me Vendimin e Gjykatës, që i dha të drejtë Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës në kontestin me partinë në fjalë për ta mbikëqyrur veprimtarinë e kësaj të fundit.
Kushtetuta e Gjermanisë parasheh mundësinë e shpalljes së partive politike si kundërkushtetuese, nëse ato synojnë ta minimizojnë apo eliminojnë rendin e lirë demokratik apo ta vënë në rrezik ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë.
Neni 21 i Kushtetutës së Gjermanisë:
1. Partitë politike do të marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit. Ato mund të themelohen lirshëm. Organizimi i brendshëm i tyre duhet të jetë në përputhje me parimet demokratike. Ato duhet të japin përgjegjësi publike për asetet, burimet dhe shfrytëzimit e fondeve të tyre.
2. Partitë, të cilat për shkak të synimeve ose sjelljeve të anëtarëve të tyre, synojnë ta minimizojnë ose eliminojnë rendin e lirë demokratik apo ta rrezikojnë ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë, do të konsiderohen kundërkushtetuese. Gjykata Kushtetuese Federale do të marrë vendim në pyetjen e kundërkushtetutshmërisë. 

Pra, në Gjermani lejohet kontrolli kushtetues i partive politike. Por, a lejohet një gjë e tillë në Republikën e Kosovës?
Nëse e shohim Kushtetutën tonë, në asnjë nen nuk parashihet një mundësi e tillë. Pra, nuk ka bazë kushtetuese për ta kontestuar kushtetutshmërinë e një partie politike. Madje, Kosova nuk ka as ligj të veçantë, që rregullon çështjen e partive politike. Për dallim nga shteti ynë, Republika e Shqipërisë e rregullon këtë çështje me Kushtetutë, ngjashëm si Gjermania.
Neni 9 i Kushtetutës së Shqipërisë
1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet
demokratike.
2. Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave
mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore
ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën
shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.
3. Burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike.
Republika e Kosovës është pjesë e sistemit juridik kontinental, të cilit i takojnë shumica absolute e shteteve europiane, duke përfshirë Gjermaninë dhe Shqipërinë. Por, përderisa shumica e shteteve europiane e rregullojnë me kushtetutat përkatëse çështjen e partive politike, Kosova bën përjashtim dhe është rast i veçantë për shkak se nuk ka as ligj. Kjo mund të kuptohet si rrjedhojë, jo vetëm e mungesa së përvojës institucionale të Kosovës dhe sidomos mungesës së përvojave të hidhura me parti ekstreme (si p.sh. përvoja e Shqipërisë me Partinë e Punës, përvoja e Gjermanisë me Partinë e Nacional-Socialiste të Punës etj.), por dhe nga rrethanat specifike me disa parti të caktuara, të cilat mesiguri do të duhej të shpalleshin kundërkushtetuese dhe kjo do të mund të sillte ndërlikime në Kosovë.
Momentalisht, në Kosovë ekziston i ashtuquajturi RREGULL Nr. 01/2013 PËR REGJISTRIMIN DHE VEPRIMIN E PARTIVE POLITIKE i KQZ-së, sipas së cilit "objektivat dhe aktivitetet e partive politike duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.". Madje, KQZ shkon më tej, duke paraparë se "KQZ e refuzon kërkesën e partisë për regjistrim nëse dokumentet e regjistrimit, duke përfshirë statutin, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.".
Por, a mundet një gjykatë e Kosovës ta gjykojë një rast hipotetik, ku një parti politike paraqitet si palë, mbi bazën se e njëjta ka ushtruar veprimtari në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës?
Në një Vendim të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese kishte theksuar në paragrafin 258 se:
258. E drejta dhe obligimi për të aplikuar dhe
interpretuar Kushtetutën, iu njihet të gjitha gjykatave të Republikës së Kosovës
dhe të gjitha autoriteteve publike në Republikën e Kosovës.
Vendimi i mësipërm ua njeh të drejtën edhe gjykatave të rregullta që ta aplikojnë dhe interpretojnë Kushtetutën në një rast të tillë. Andaj, hipotetikisht, edhe gjykatat e Kosovës kanë mundësi ta vlerësojnë veprimtarinë dhe objektivat në kontekst të lirisë së asociimit, e cila njihet me nenin 44 të Kushtetutës. Kështu, paragrafi i tretë i tij parasheh:
3. Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive
dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të
ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente.
Andaj, duke u mbështetur në të, një parti politike mund të ndalohet me vendim gjyqësor.
Sidoqoftë, mungesa e mundësisë së kontrollit kushtetues ndaj partive politike mund të konsiderohet një mungesë e madhe në Kushtetutën e Kosovës. Nëse jo Kushtetuta, atëherë ligji duhet ta rregullojë çështjen e partive politike, në mënyrë që të sigurohet një mekanizëm mbrojtës ndaj partive ekstreme, që mund ta cenojnë rendin ekzistues në Kosovë.