Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendos kundër Italisë për skemën e dërgimit të emigrantëve në Shqipëri
Gjykata Evropiane e Drejtësisë të premten e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e listës së “shteteve të sigurta” të cilën e përdor Italia për të dërguar emigrant në Shqipëri dhe për t’i shqyrtuar shpejt aplikimet e tyre për azil, në një goditje të re ndaj një shtylle kyçe të politikës së qeverisë italianë ndaj emigrantëve.
Në një deklaratë, zyra e kryeministres konservatore italiane, Giorgia Meloni, e quajti “të befasishëm” vendimin e gjykatës dhe tha se ai “i dobëson politikat për luftimin e imigrimit të paligjshëm masiv dhe mbrojtjen e kufijve kombëtarë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dario Bellucio, avokat që e ka përfaqësuarin njërin nga azilkërkuesit nga Bangladeshi në rastin specifik të paraqitur në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, tha se kampet shqiptare për emigrantë praktikisht janë shkatërruar si projekt.
“Nuk do të jetë e mundshme që të vazhdohet me atë që qeveria italiane e kishte parashikuar para këtij vendimi… Teknikisht, mua më duket se qasja e Qeverisë është çmontuar tërësisht” – tha ai.
Në vendimin e shumëpritur, gjykata me seli në Luksemburg tha se Italia është e autorizuar që t’i shqyrtojë shpejt refuzimet e kërkesave për azil për shtetasit që vijnë nga shtete që ndodhen në listën e vendeve “të sigurta” – parim që ndodhet në thelbin e skemës së bashkëpunimit me Shqipërinë.
Gjykata tha gjithashtu se Italia është e lirë për të vendosur se cilat shtete janë “të sigurta”, por gjithashtu paralajmëroi se një cilësim i tillë duhet të përmbushë standarde të prera ligjore dhe t’u lejojë aplikuesve dhe gjykatave që të kenë qasje dhe t’i sfidojnë dëshmitë mbështetëse.
Në deklaratën e saj, Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha se një gjykatë në Romë u ishte drejtuar gjykatësve të BE-së duke e cituar pamundësinë për qasje në të dhëna të tilla dhe kështu i ishte parandaluar “sfidimi dhe analizimi i ligjshmërisë së një prezumimi të tillë të sigurisë”.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë gjithashtu tha se nuk një shtet nuk mund të cilësohet si “i sigurt”, nëse ai vend nuk e ofron mbrojtjen e duhur për tërë popullsinë e vet, praktikisht duke u pajtuar me gjykatësit italianë që e kishin ngritur këtë çështje vitin e kaluar.
Zyra e Melonit u ankua se gjykimi i BE-së praktikisht u lejon gjykatësve italianë që ta diktojnë politikën rreth emigrantëve, “duke e zvogëluar më tej (kapacitetin) tashmë të kufizuar” të Kuvendit dhe Qeverisë për të marrë vendime rreth kësaj çështjeje.
“Ky është një zhvillim që duhet ta shqetësojë secilin” – tha zyra e kryeministres italiane.
Rasti i paraqitur në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë përfshinte dy shtetas të Bangladeshit, të cilët ishin shpëtuar në det nga autoritetet italiane dhe ishin dërguar në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil ishin refuzuar duke u mbështetur në klasifikimin e Bangladeshit si shtet “i sigurt” nga Italia.
Objektet për mbajtjen në ndalim të emigrantëve që janë ndërtuar në Shqipëri kanë qenë boshe me muaj për shkak të pengesave ligjore. Javën e kaluar, në një raport u tha se ndërtimi i tyre ka kushtuar shtatë herë më shumë se një qendër e barasvlershme e atij lloji në Itali./Nacionale