Gjuriq: Serbia po forcon raportet me Amerikën, Kurti s'e gëzon mbështetjen e pakusht të administratës Biden - NACIONALE

Gjuriq: Serbia po forcon raportet me Amerikën, Kurti s'e gëzon mbështetjen e pakusht të administratës Biden

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori serb në Washington, Marko Gjuriq, është shprehur se administrata amerikane ka qenë më këmbëngulëse se sa të gjitha të tjerat në kërkesën për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Gjuriq u shpreh se marrëdhëniet mes Serbisë dhe ShBA-ve po përparonin vazhdimisht me të dyja palët që po përpiqeshin ta ngrisnin bashkëpunimin e mirëkuptimin në një nivel të ri.

“Nuk është e nevojshme të ndjekësh politikën me shumë kujdes për ta kuptuar se Kurti nuk e gëzon mbështetjen e pakusht të administratës së Presidentit Biden, veçanërisht pas lëvvizjeve të tij të njëanshme dhe destabilizuese.” – thotë z. Gjuriq në fjalën e tij, përcjell Kosovo-Online.

“Administrata në Washington ka qenë vazhdimisht më e zhurmshme se të tjerat në këmbënguljen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, madje duke pohuar se ajo duhet të formohet me ose pa Kurtin.” – vazhdoi më tej ai.

Ish-drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë foli edhe për takimin e nesërm në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Presidenti Vuçiq e ka thënë vazhdimisht se nuk do të pajtohet për dialog të mëtejshëm pa formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe... Asgjë s’do të jetë e thjeshtë dhe e lehtë më datën 27.” – u përgjigj Gjuriq.

Ai fajësoi Kurtin për ndezje të tensioneve që nga invazioni rus në Ukrainë.

Në pjesën e mëtejme, z. Gjuriq përsëri përmendi presionin amerikan ndaj Qeverisë Kurti II.

“Nëse analizoni deklaratat e nënsekretarit Chollet, Gabriel Escobarit, ambasadorit Hill, do të shihni se ata kanë kërkuar Asociacionin në muajt e kaluar më shumë se shumë vende që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës...” – u shpreh ai.

Kujtojmë se gjatë ditës së nesërme pritet të ndodh takimi mes presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit tonë Kurti. Sipas Bashkimit Evropian, fillimisht do të ketë një takim të ndërmjetësuesve veç e veç me palët, dhe më pas një takim të përbashkët mes palëve.

Lajme të ngjashme