Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut: Kush çka tha pas deklaratës së Kurtit e cila nxiti shumë reagime?
Një mbledhje e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u mbajt në Prishtinë të hënën.
Megjithatë, ajo që deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes u kthye në temë diskutimi ditëve të fundit.
Kurti deklaroi se Ligji për Gjuhët nuk e përmend gjuhën shqipe, por shifrën 20% të popullësisë.
“Së pari, kjo është një çështje për Gjykatën Kushtetuese të MV, pasi tre dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve janë dërguar në Komision të Venecias, dhe këto tri dispozita – paradoksalisht – nuk janë vërë në jetë, nuk janë zbatuar në të kaluarën. Dhe tash, i përket Gjykatës Kushteutese në MV që ta vlerësojë. Por, duhet ta sqarojmë një gjë. Nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për gjuhën shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën”, tha Kurti.
Kurti dha leximin e vet kushtetues për Maqedoninë e Veriut, se “nuk ka ligj për shqipen, dhe s’ka pasur në të kaluarën” por shtoi se “aty ka ligj që përmend shifrën 20%, por jo ligj për përdorimin e shqipes, por gjuhëve”.
“Ekziston ligji që përmend shifërn 20%, por ai nuk është ligj për shqipen, por përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tejtër, besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminuim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje”.
“Por, në Repbulikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare e tash po u rrezikohen....Ka organe atje të cilët i marrin vendimet e tyre”, tha ai.
Kjo deklaratë nxiti reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim të cilët thanë se Kurti ka folur të pavërteta.
“Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve. Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.” Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, tha BDI-ja.
“Është për keqardhje që një Kryeministri I Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sugjerimet se disa nene të ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm i japin alibi përpjekjeve për të dobësuar këtë legjislacion vital. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin këtë si një akt që shkon kundër interesave të tyre dhe si një zhgënjim i madh nga një politikan që duhej të ishte mbështetës i të drejtave të shqiptarëve kudo. I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve”, thuhet në reagim.
Për këtë çështje foli mbrëmë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski, i cili tha se gjuha shqipe nuk po rrezikohet dhe nuk i pengon askujt.
“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi ja unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni, kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk I pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski për “Prime” në RTK.
Tutje ai tha se ‘Ligji për Gjuhët’ për pesë vite ka qëndruar në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe pikërisht tani në qeverisjen e tij kjo temë po kthehet në në rend dite.
“Epo, pikërisht kjo është pyetja, se si këta të njejtit gjyqtarë kushtetues, të votuar nga shumica e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, i kanë mbajtur të gjithë këto në sirtar për 5 vjet dhe tani papritmas kur erdhi një qeveri e re, një qeveri pro-evropiane, nje qeveri reformatore, op atë e nxorrën ne siperfaqe, perndryshe nuk e di a njihni antropologjinë për ligjin e gjuhëve, dhe kjo që sot është para Gjykates kushtetuese, unë pyeta pak dhe u interesova. Ajo që sot eshtë përpara Gjykatës Kushtetuese janë praktikisht tre nene nga ligji për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me kontestet para gjykatave”, deklaroi kryeministri maqedonas.
Mickoski tha se përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të veriut nuk po rrezikohet. Madje duke folur për një rast specifik, ai theksoi se sa të jetë ai i pari i shtetit “Vallja e Shotës” do të luhet në mes të Shkupit.
“Në Shkup është luajtur edhe Shota edhe Kolo sërbe, është luajtur edhe Qyqeku turk dhe vallja e vështirë maqedonase, dhe do të luhet. I tillë është shteti dhe ne jemi të bashkuar në diversitetin, dhe do të vazhdohet te luhet. Deri sa të jem unë kryetar i Qeverise do te luhet se në atë mënyrë ne afrohemi e jo të ndahemi”, deklaroi ai.