Gjuha ashpërsisht opozitare e pushtetit dhe realiteti kundrejt diskursit - NACIONALE

Gjuha ashpërsisht opozitare e pushtetit dhe realiteti kundrejt diskursit

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Filozofja amerikane e lindur në Gjermani, Hannah Arendt, thotë se politika është realitet, respektivisht gjykim objektiv dhe i paanshëm, i gjithë asaj që ndodh në hapësirën politike si kombinim i pluralitetit të qëndrimeve dhe fakteve, ndërsa që të jenë të besueshme, Arendt na mëson se duhet t’i nënshtrohen rishqyrtimit të opinionit respektivisht ndërmjet dialogut dhe debatit publik.

E debat me intensitet të lartë dhe polarizim të dukshëm, ditëve të fundit ka edhe në Kosovë. Grevat e punëtorëve të sektorit publik, veçanërisht ato të mësimdhënësve, ka disa javë i janë nënshtruar debatit publik në Kosovë, i cili ka prodhuar tabore pro dhe kundër grevës.

Pjesë e debatit u bë edhe pushteti dhe akterë të tjerë që mbajnë mbështesin establishmentin në Kosovë.

Mirëpo, ajo që po kritikohet më së shumti është qasje e pushtetit, i cili i thirrur për të ofruar zgjidhje, ka rrëshqitur në një diskurs opozitar e të ashpër ndaj organizatorëve të grevës, duke i etiketuar edhe si bojkotues të shtetit, siç nënvizoi kryeministri Kurti, i cili tha se “kur bojkotohet shkolla, bojkotohet shteti”.

Deklaratat e Kurtit dhe vartësve të tij në pushtet, po kritikohen për shkak të përmbajtjes së gjuhës dhe ligjërimit që partia në pushtet ka ndaj atyre që nuk pajtohen apo organizojnë metoda kundërshtuese ndaj pushtetit. Si rrjedhojë, duket se pushteti sa herë që është në disavantazh, lëshohet në etiketime ndaj kundërshtarve duke i ndërlidhur me qëllimet “jo të pastërta” të kritikëve.

Gjuha e ashpër në mungesë të zgjidhjes dhe dialogut

Përplasjet e pushtetit me Sindikatën e Arsimit e rrjedhimisht me kreun e kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj janë karakterizuar shpesh me një gjuhë shumë të ashpër, të ngjashme me atë të Vetëvendosjes si opozitë.

Gjuha ndaj kreut të SBAShK-ut vazhdon të jetë e ashpër nga deputetë të mazhorancës e aktivistë të VV-së. Madje, figura të rëndësishme të partisë, siç është profesori i filozofisë Elvis Hoxha, që provoi ta ndërlidh Jasharajn edhe me Serbinë, duke pretenduar se ka qenë anëtar i një partie serbe, deklaratë për të cilën më pas Hoxha kërkoi falje.

Pas këtyre akuzave të rënda të bëra nga Elvis Hoxha i Vetëvendosjes, kishte reaguar edhe Rrahman Jasharaj. Për gazetën Nacionale ai ka tregoi se akuzat e rënda të Hoxhës i kanë shkaktuar madje edhe telashe shëndetësore.

Deklarata e Hoxhës kishte marrë shume reagime, duke u cilësuar si gjuhë e urrejtjes dhe linçuese.

Justja e medieve, Flutura Kusari, bëri një reagim të ashpër ndaj linçimit të z. Elvis Hoxha, drejtuar kryesindikalsitit të punëtorëve të arsimit.

Ajo e ka cilësuar me të drejtë si “nxitje të urrejtjes ndaj tij dhe thirrje publike për ta sulmuar atë online dhe fizikisht” linçimin e bërë nga Hoxha.

Për politologun Shkodran Ramadani, ky model i ligjërimit të Vetëvendosjes nuk është model i paparë më herët, pasi sipas tij, VV-ja po e bënë atë që e bëjnë partisë populiste në tërë botën.

Populistët e ndajnë në mënyrë arbitrare shoqërinë në dy grupe homogjene dhe antagoniste, ‘populli i pastër’ kundër ‘elitës së korruptuar’. Këto parti besojnë se këto dhe vetëm këto kanë legjitimitet të udhëheqin”, thotë Ramadani për Nacionalen.

Ramadani tutje shtoi se shumë studiues e kanë gabim mendimin se populistët nuk mund të mbajnë pushtet për shkak të bindjeve “anti-establishment”, pasi sipas tij, populistët edhe kur janë në pushtet, sillen si opozitë.

“Kjo për shkak, që duke u ngritur në pushtet, populistët do të ishin zyrtarisht në mesin e "elitës. Megjithatë, kjo anashkalon faktin se në botën e populistëve dallimi midis atyre që ata i quajnë “masa” dhe “elita” nuk është situacional, por moral. Përkatësia nuk varet nga pozita ekzekutive që ke, por nga morali, bindjet dhe vlerat tua. Në këtë kuptim, je opozitë kur je në pushtet dhe anasjelltas", thotë Ramadani.

"Thelbësore për argumentin e tyre është se pushteti i vërtetë nuk është tek liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, d.m.th., populistët, por nga disa forca në hije (“establishmenti”, “deep state”) që vazhdojnë të mbajnë pushtete jolegjitime për të minuar zërin e popullit. Pikërisht këtu del në pah “stili paranojak i politikës”, siç e përshkroi populizmin historiani i famshëm amerikan Richard Hofstadter", mendon Ramadani.

Kurse për analistin Halil Matoshi, gjuha kundërshtuese e Vetëvendosjes, sipas tij është “i vetmi diskurs që e njohin”.

Për Matoshin, ky diskurs është i dëmshëm për legjitimitetin e shtetit nga brenda.

“Ky diskurs kundërshtues është i vetmi që njohin, porse diskursi permanent kundërshtues e përplasë shoqërinë dhe e gërryen legjitimitetin e shtetit nga brenda”, thotë për Matoshi për Nacionalen.

Ai është i mendimit se kjo klasë politike që qeverisë është një “aksident zgjedhor”.

Kjo klasë politike është është thjesht aksident zgjedhor – i cili ndodhi si kundërshtim i korrupsionit dhe padrejtësisë shoqërore, por kjo klasë politike është e paaftë për çkadoqoftë progresive. Pushteti i “duarve të pastërta” dhe truri i shpërlarë”, thotë Matoshi për qeverinë Kurti.

Ndërkaq Ramadani, teksa flet për viktimizimin si model populist, merr shembullin e qeverisjes në Prishtinë nga Vetëvendosje me Shpend Ahmetin si kryetar.

“Kujtojmë qeverisjen e Shpend Ahmetit në mandatin e tij të parë në krye të Komunës së Prishtinës. Edhe pse ai dhe Vetëvendosje kishin fituar zgjedhjet, që nga dita e parë e qeverisjes viktimizoheshin, duke u ankuar se establishmenti i kryeqytetit (“mafia e ndërtimit”) po pengon përpjekjet e tyre “për ta bërë Prishtinën”, thotë Ramadani, i cili thekson më tej se edhe si opozitë edhe si pushtet, populistët gjithmonë targete të ndryshme të shoqërisë i etiketojnë si armik të popullit, “qoftë partitë politike, mediat, shoqëria civile, gjykatësit, veteranët, pakicat etj”, thotë Ramadani.

“Në situatën aktuale caku kryesor i Vetëvendosjes populiste janë mësimdhënësit, që po linçohen si vegla të “deep state-shteti i thellë”, term që në Kosovë rëndom asocohet me SHIK-un, i cili sipas legjendës populiste ka shtrirë tentakulat në të gjitha grupet dhe individët që kritikojnë Vetëvendosjen dhe refuzojnë të nënshtrohen në përpjekjet e saj për kontroll të plotë shoqëror”.

Kujtojmë që grevat në arsim po vazhdojnë, teksa qeveria po vazhdon të refuzojë takimin me SBShK-un. Përmes Pakos për Përballjen me Inflacion, qeveria ka paraparë edhe shtesa prej 50 eurove për punëtorët e sektorit publik që përfshinë edhe mësimdhënësit, mirëpo grevistët nuk po pajtohen me këtë lloj shtese, teska kërkojnë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga

Lajme të ngjashme