Radikalizohen gjyshërit, sulmojnë Rrahman Jasharajn e SBASHK-un e quajnë sindikatë fashiste
Ndonëse janë në moshë të shtyrë, gjyshërit sot kanë krijuar shumë tollovi në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë. Çuditërisht, atyre nuk u ka munguar energjia për të diskutuar me zë të lartë, e madje edhe për ta sulmuar Rrahman Jasharajn, kryetar i SBASHK-ut.
E gjitha erdhi pas vizitës së Jasharajt në shkollë, e ku ai do të takonte mësimdhënësit grevistë.
Sigurisht, ky incident vjen pas rritjes së gjuhës dehumanizuese nga eksponentë të pushtetit ndaj z. Rrahman Jasharaj.
Së fundi ai u përball edhe me akuzat se kishte pjesë e partive serbe, se ishte i lidhur me ShIK-un derisa nuk mungojnë as sulmet në pamjen e tij fizike.
Tentim-sulmi ndaj Jasharajt
Gjithçka nisi pas një mbledhjeje në shkollën “Ismail Qemali”.
Një gjysh i revoltuar, e shtyri z.Jasharajn, duke tentuar ta sulmonte, por fatmirësisht kryetari i SBAShK-ut pësoi pa lëndime.

Jasharaj për Gazeta Blic ka thënë se një prind ka dashur ta sulmojë gjatë një tubimi në një shkollë në Prishtinë.
Ai tha se kishte tendencë për sulm ndaj tij, mirëpo theksoi se “aty i kisha shoktë”.
“Një prind deshi të më sulmojë, ishte tendencioze – mund të sulmohem edhe në rrugë”, ka thënë ai.
Ai është shprehur i frikësuar se raste të tilla mund t’i ndodhin edhe në rrugë apo në vizita të tjera.
"Rastet të tilla mund të më ndodhin edhe në rrugë dhe në vizitat tjera qē do të kemi në shkolla”, ka thënë ai.
Por, jo gjithçka ka përfunduar këtu.
Një familjar i një nxënësi është përplasur me njërin nga mësimdhënësit në shkollën “Ismail Qemali”, rreth grevës që po vazhdon të mbahet.
“Ju i jeni bashkuar Sindikatës”, tha familjari, që siç raporton Koha është gjysh i një nxënësi në këtë shkollë.
“Ne jemi Sindikata, Sindikata është partner social i Qeverisë”, ia ktheu mësimdhënësi.
Gjyshi i revoltuar me grevën, ka përdorur një term aspak korrekt.
“Ju i jeni bashkuar fashistave”, tha tutje ky gjysh.
“Çka kanë morë sot këta gjyshër sot”, u dëgjua të thotë mësimdhënës.
Ekzekutohen pagat
Një lajm i mirë për punëtorët e sektorit publik. Rrogat e muajit gusht janë lëshuar, ndonëse greva ende vazhdon, ashtu siç edhe ka paralajmëruar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Pra Qeveria Kurti është dorëzuar karshi vendosmërisë së sindikalistëve për grevë.
Në një njoftim nga ana e Ministrisë së Financave, që udhëhiqet nga Hekuran Murati, thuhet se pagat janë lëshuar, përkundër mos përditësimit të listave së grevistëve nga ana e komunave.
Ministria e Muratit fajin për vonesën e pagave ia ka hedhur komunave, të cilët sipas Ministrisë nuk kanë përditësuar listën për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore. Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar, gjë për të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve shpreh keqardhje të thellë.”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e Ministrisë theksohet se kushdo që grevon, bazuar në Ligjin për Greva, kontratat e tyre duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës.
“Bazuar në Ligjin për Greva, kontratat e punonjësve që janë në grevë duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës për aq kohë sa punonjësi qëndron në grevë. Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit.”, theksohet tutje në njoftim.
Ministria e Financave ka paralajmëruar auditim ndaj komunave të cilat nuk kanë përditësuar listat dhe në të cilat ka pasur indikacione për greva.


