Gjermania e shpalli një parti me qëllime të rrezikshme, a është e mundur një gjë e tillë në Kosovë? - NACIONALE

Gjermania e shpalli një parti me qëllime të rrezikshme, a është e mundur një gjë e tillë në Kosovë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Administrative e Këlnit ka nxjerrë të martën një vendim gjyqësor, sipas së cilit partia e emëruar si Alternativa për Gjermaninë (Alternative für Deutschland), mund të klasifikohet si një kërcënim i pritshëm për demokracinë.

Gjithnjë sipas Gjykatës, ka mjaftueshëm prova për qëllimet kundërkushtetuese të partisë në fjalë dhe koncepteve etnike, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Republikës Federale të Gjermanisë. Mbi këtë bazë, Gjykata i dha të drejtë Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës, që ta mbikëqyr partinë në fjalë.

Alternativa për Gjermaninë është një parti e eskstremit të djathtë, e cila karakterizohet nga skepticizmi për vlerat evropiane. Ajo ka ndjekur kurs të ashpër ndaj të huajve, duke kundërshtuar pranimin e imigrantëve në Gjermani. Pas fluksit të refugjatëve më 2015, partia shënoi një rritje dhe më 2017 u bë pjesë e Bundestagut.

Pjesëtarët e partisë janë shprehur të habitur lidhur me Vendimin e Gjykatës, që i dha të drejtë Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës. Kushtetuta e Gjermanisë parasheh mundësinë e shpalljes së partive politike si kundërkushtetuese, nëse ato synojnë ta minojnë apo eliminojnë rendin e lirë demokratik apo ta vënë në rrezik ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë.

Neni 21 i Kushtetutës së Gjermanisë:

1. Partitë politike do të marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit. Ato mund të themelohen lirshëm. Organizimi i brendshëm i tyre duhet të jetë në përputhje me parimet demokratike. Ato duhet të japin përgjegjësi publike për asetet, burimet dhe shfrytëzimit e fondeve të tyre.

2. Partitë, të cilat për shkak të synimeve ose sjelljeve të anëtarëve të tyre, synojnë ta minimizojnë ose eliminojnë rendin e lirë demokratik apo ta rrezikojnë ekzistencën e Republikës Federale të Gjermanisë, do të konsiderohen kundërkushtetuese. GjykataKushtetuese Federale do të marrë vendim në pyetjen e kundërkushtetutshmërisë.

Pra, në Gjermani lejohet kontrolli kushtetues i partive politike. Por, si është e rregulluar kjo çështje në Kosovë?

Nëse e shohim Kushtetutën tonë, në asnjë nen nuk parashihet një mundësi e tillë. Pra, nuk ka bazë kushtetuese për ta kontestuar kushtetutshmërinë e një partie politike. Madje, Kosova nuk ka as ligj të veçantë, që rregullon çështjen e partive politike. Për dallim nga shteti ynë, Republika e Shqipërisë e rregullon këtë çështje me Kushtetutë, ngjashëm si Gjermania.

Neni 9 i Kushtetutës së Shqipërisë

1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike

2.Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit.

Kosova është pjesë e sistemit juridik kontinental, të cilit i takojnë shumica absolute e shteteve europiane, duke përfshirë Gjermaninë dhe Shqipërinë. Por, përderisa shumica e shteteve europiane e rregullojnë me kushtetutat përkatëse çështjen e partive politike, Kosova bën përjashtim dhe është rast i veçantë për shkak se nuk ka as ligj.

Momentalisht, në Kosovë ekziston një rregull i KQZ-së që flet për regjistrimin dhe veprimtarinë e partive politike, i cili thotë: objektivat dhe aktivitetet e partive politike duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi". Madje, KQZ shkon më tej, duke paraparë se "KQZ e refuzon kërkesën e partisë për regjistrim nëse dokumentet e regjistrimit, duke përfshirë statutin, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet".

Por, a mund një gjykatë e Kosovës ta gjykojë një rast hipotetik, ku një parti politike paraqitet si palë, mbi bazën se e njëjta ka ushtruar veprimtari në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës? Në një vendim të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese kishte theksuar se:

“E drejta dhe obligimi për të aplikuar dhe interpretuar Kushtetutën, iu njihet të gjitha gjykatave të Republikës së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve publike në Republikën e Kosovës”. Vendimi i mësipërm ua njeh të drejtën edhe gjykatave të rregullta që ta aplikojnë dhe interpretojnë Kushtetutën në një rast të tillë. Andaj, hipotetikisht, edhe gjykatat e Kosovës kanë mundësi ta vlerësojnë veprimtarinë dhe objektivat në raste të ngjashme.

Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund tëndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente”, thuhet në nenin 44 të Kushtetutës.

Andaj, duke u mbështetur në të, një parti politike mund të ndalohet me vendim gjyqësor.

Lajme të ngjashme