Në fillim s’i pritej të deklarohej “krenar” për liri të medias, Kurti tash as nuk i zotohet KiE-së t’i dënojë sulmet ndaj gazetarëve
Albin Kurtit të Vetëvendosjes nuk i pritej të deklarohej “krenar” për avancimin në lirinë e medias më 3 maj 2023, kur Reporterët pa Kufij e renditën Kosovën në vendin e 56-të, nga i 61-ti një vit më parë dhe i 78-ti dy vjet më herët.
Kjo përbënte “lajm të mirë”, të cilin Kurti e shpërndau edhe në “X”, duke e paraqitur si dëshmi të përmirësimit të Kosovës nën qeverisjen e tij.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova e përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në dy vjet. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe Kosovës”, shkruante ai.

Por tatëpjeta veçse do të niste.
Deri më 2025, Kosova kishte rënë edhe më poshtë se Serbia në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave, duke zbritur 28 vende nga viti 2023, në pozitën e 84-të nga 180 shtete.
Armiqësia e pushtetit ndaj mediave mori tone gjithnjë e më të ashpra.
Gazetari, që Vetëvendosja e donte stenograf, u bë subjekt i gjuhës nënçmuese, u shënjua si bashkëpunëtor armiku dhe u akuzua për “para me çanta”, duke përdredhur deklarata publike në akuza të përgjithshme.
Raporti i fundit i Grupit Faktmbledhës të Këshillit të Evropës e trajton këtë rënie dhe i atribuon Vetëvendosjes përgjegjësi të konsiderueshme.
Raporti përfshin edhe rastin e RTK-së, ku, përmes artikulli famëkeq nga “Slobodna Bosna”, të transmetuar me urdhër të drejtorit Rilind Gërvalla, ku u sulmuan Nacionale dhe Periskopi si media gjoja “të financuara nga Serbia”.
Delegacioni vëren se RTK publikoi raportimin pa verifikim paraprak. Reagimi politik nxiti thirrje për hetime ndaj dy mediave.
Vendimet e KPM-së, Këshillit të Mediave të Shkruara dhe hetimi i brendshëm i RTK-së konstatuan se raportimi shkelte standardet profesionale. RTK publikoi më pas reagim sipas vendimit të KPM-së.
Nacionale ngriti padi për shpifje kundër RTK-së. Seanca e parë u mbajt më 5 maj 2026, ndërsa procesi gjyqësor vazhdon.
Raporti kritikon drejtpërdrejt edhe retorikën e Kryeministrit ndaj gazetarëve. Ai citohet t'i ketë thënë një gazetareje të Klan Kosovës: “Thoni pronarëve të medias suaj t'i kthejnë milionat në buxhetin publik.”
Në një rast tjetër, Kurti i përshkroi mediat online si pjesë e një “Trekëndëshi të Bermudës” që synon fundosjen e Kosovës.
Zyra e Kryeministrit i tha delegacionit se “ai kurrë nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj gazetarëve”, por delegacioni vëren se Kurti nuk dha asnjë zotim konkret për të shmangur gjuhën përçmuese në të ardhmen.
AGK regjistroi 69 raste sulmesh ndaj gazetarëve gjatë vitit 2025, shumica denigrime nga zyrtarë publikë.
Ligji për KPM-në, i miratuar në vitin 2024, u shpall antikushtetues në prill 2025, pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se dispozitat cenonin pavarësinë e institucionit.
Edhe emërimet e bordeve të RTK-së dhe KPM-së në prill 2026 u konsideruan të kompromentuara, si vazhdim i së njëjtës qasje.
Raporti thekson se RTK vazhdon të vuajë financiarisht, pasi Kuvendi miratoi vetëm 8.96 milionë euro për vitin 2025, më pak se gjysma e shumës së paraparë me ligj.
Delegacioni kundërshton pretendimin e Zyrës së Kryeministrit se ky detyrim kishte skaduar, duke insistuar se ligji për RTK-në mbetet në fuqi.
Gazetarë të RTK-së raportuan procedura disiplinore dhe suspendime pas refuzimit të lajmeve të “porositura”. Drejtori televiziv është ish-donator i VV-së, fakt që lidhet me shqetësimet për pavarësinë editoriale.
Raporti përmend edhe propozimet e zyrtarëve të lartë të VV-së për rikriminalizimin e shpifjes, të cilat delegacioni i refuzon fuqishëm.
Konkluzioni thotë se qeveria e ardhshme “duhet të bëjë punë të konsiderueshme” për të rikthyer besimin demokratik.