‘Gjahu’ ndaj hetuesve që po luftojnë korrupsionin: Të premten drejtori i Policisë raporton në Komision
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, do të raportojë të premten para deputetëve në Komisionin për Siguri në Kuvendin e Kosovës.
Kjo ndërlidhur me hulumtimin e publikuar nga gazeta Nacionale për largimin e disa hetuesve të cilët po hetojnë aferat e dyshuara korruptive në qeverinë Kurti.
Lajmin për raportimin e drejtorit të Policisë e ka konfirmuar për Nacionalen kryetari i Komisionit, Bekë Berisha.
“E kom thirr bash për këtë temë. Zyrtarisht e kam ftuar, edhe vjen të premten drejtori i Policisë”, tha Berisha për Nacionalen.
Berisha bëri të ditur se e ka ftuar edhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, por i cili deri më tash nuk është përgjigjur.
“E kam thirr edhe inspektorin, edhe ministrin e kam thirr po s’po përgjigjet. Sepse disa prej tyre janë shokë të Xhelal Sveçlës, sipas hulumtimit të juaj”, deklaroi më tutje deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
‘Gjahu’ ndaj hetuesve që po hetojnë korrupsionin
Gjithçka nisi me largimin e majorit Shemsi Haziri, udhëheqësit të Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës që trajton rastet e korrupsionit. Haziri po hetonte disa prej aferave më të njohura të korrupsionit ku ishin të përfshirë Martin Berishaj, Nagip Krasniqi, Ministria e Tregtisë, e zyrtarë të tjerë të lartë të pushtetit.
Megjithatë, largimi i Hazirit duket të ketë qenë vetëm nisja e një plani për ta bllokuar hetimin e rasteve ku janë të përfshirë akterët e pushtetit.
Nacionale ka siguruar informacione nga burime tejet të afërta me këto zhvillime, të cilat dëshmojnë se hetuesit e tjerë që po i trajtojnë këto afera të korrupsionit, janë në prag të largimit përfundimtar nga kjo Njësi e Policisë së Kosovës.
Vetëm që nga largimi i Shemsi Hazirit, e emërimi i Besim Berishës, katër hetues kanë kërkuar largimin nga kjo njësi. Berisha është nga Podujeva, një fshat i afërt me vendlindjen e ministrit Xhelal Sveçla.
Nacionale në vijim do të publikojë me iniciale (pavarësisht që i posedojmë edhe emrat) e të gjithë hetuesve të cilët janë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore. Gjiashtu do të bëhen publike edhe rastet që ata janë duke hetuar.
Të gjitha informacionet Nacionale i ka të evidentuara nëpërmjet disa provave/dokumenteve që kanë dalë nga brenda kësaj njësie, e ku janë shfaqur pakënaqësitë nga hetuesit të cilët janë në pritje të largimit.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht.
Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia.
Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.
Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia.
Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi.
Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët.
Të gjithë këta zyrtarë, janë nga komunat si Drenasi, Skënderaj, Mitrovica e Vushtrria.
Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se këta hetues tashmë nuk figurojnë në sistemin elektronik të Policisë së Kosovës, ku figurojnë emrat e këtyre zyrtarëve.
Gazeta ka mësuar se këta hetues do të vazhdojnë t’i hetojnë rastet aktuale. Megjithatë, me ndryshimin e hierarkisë, rastet e korrupsionit të ngjashme, do t’iu delegohen hetuesve të tjerë.
Shefat e rinj, kryesisht nga Llapi dhe të afërt me shefin
Gazeta Nacionale posedon informacione të tjera lidhur me zyrtarët e tjerë që janë pozicionuar nëpër pozitat udhëheqëse brenda njësisë. Gazeta ka siguruar me emra të gjithë hetuesit, megjithatë do t’i publikojë vetëm me iniciale.
Me largimin e Shemsi Hazirit, erdhi në udhëheqje të Njësisë majori Besim Berisha. Me ardhjen e tij, është ndryshuar komplet zinxhiri udhëheqës i kësaj njësie.
Kapiteni me inicialet B.S është emëruar në pozitën zv/shef i njësisë. Funksionari i ri në këtë pozitë vjen nga Podujeva.
Togeri A.A është emëruar shef i ekipeve, edhe ky me prejardhje nga Podujeva.
Rreshteri me inicialet F.K është emëruar shef i ekipit, gjithashtu nga komuna e Podujevës.
Rreshteri me inicialet A.R është emëruar shef i ekipit, edhe ky nga Podujeva.
Rreshteri V.Z është emëruar shef i ekipit. Nacionale ka mësuar se ky i fundit ka lidhje familjare me udhëheqësin Besim Berisha.
Togeri me inicialet R.O është emëruar shef i ekipit, i njëjti dyshohet se ka lidhje miqësore me majorin Besim Berisha.
Rreshteri M.K është përzgjedhur shef i ekipit. Ky i fundit ishte larguar nga njësia vite më parë, dhe duket se është parë e arsyeshme që ky të kthehet sërish.