‘Gjahu’ i qeverisë ndaj hetuesve diskutohet në Kuvend: Pritet të ftohet në raportim ministri dhe drejtori i Policisë
Gazeta Nacionale dje ekskluzivisht publikoi hulumtimin që tregon me detaje konkrete se si hetuesit që po trajtojnë aferat e korrupsionit të qeverisë, janë në listë të largimit nga Njësia e Veçantë Hetimore.
Nacionale solli me emra të gjithë hetuesit që janë drejt largimit, dhe eprorët e rinj që janë emëruar nga shefi i ri i Njësisë pas shkarkimit të Shemsi Hazirit.
Kryetari i Komisionit për Çështjes e Sigurisë dhe Mbrojtjes, deputeti Bekë Berisha ka paralajmëruar se do t’i ftojnë për raportim inspektoratin policor, ministrin dhe drejtorin e policisë pas raportimit të Nacionales se disa hetuesve që kanë hetuar ministrat e persona të afërt me Qeverinë Kurti, u është ndërruar pozita.
Berisha këto deklarata i ka bërë gjatë seancën së sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Është raportu prej Nacionales që policët hetues që kanë hetu ministrat e korruptum janë zhvendos prej hetimit dhe në hetim tash kanë ardhë disa shokë të ministrit të Punëve të Brendshme, dmth për me i mbrojtë ministrat e korruptum.” – ka thënë ai fillimisht.
Tutje, Berisha është shprehur:
“Ne si komision parlamentar do të ftojmë inspektoratin policor, ministrin dhe drejtorin e policisë dhe do të merremi me këtë çështje.” – ka thënë ai.
Blerta Deliu, deputete e PDK-së, ka komentuar raportimin e fundit dhe ekskluzive të Nacionales rreth “hakmarrjes” së Qeverisë Kurti ndaj hetuesve të Policisë së Kosovës që hetonin aferat e dyshuara korruptive të pushtetit.
Sipas Deliut, këto hapa të Qeverisë Kurti janë shqetësuese.
"Raporti i DASH përmend sbkarkimin e Shemsi Hazirit, kryeshefit të task Forcës anti korrupsion. kemi parë raportimet e fundit se ka përpjekje të qeverise që hetuesit që po hetojnë afërat korruptive po shkarkohen, po degradohen. Kjo është shqetësuese" – tha ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka komentuar në Kuvendin e Kosovës, hulumtimin ekskluziv të Nacionales për largimin e hetuesve që po trajtojnë rastet e korrupsionit.
Ajo ka thënë se largimi i këtyre hetuesve tregon se qeveria është në panik për aferat korruptive.
“Pse po largohen hetuesit që janë duke hetuar këto raste të korrupsionit. Keni vendosur si polic hetimorë familjarët e ministrit. A keni thanë se familjarët janë për dasma e ahengje. E si munet krejt një departament të jetë në përbërje me kushëri të ministrit të Brendshëm. Ky është fakti se jeni në panik, dhe po tentoni me i fsheh të gjitha këto raste të abuzimeve. Kjo është e saktë. Dhe kjo po shihet se e keni bërë rastet e korrupsionit të lidhjeve të shkurtëra, ministra zv/ministra”, tha deputetja e AAK-së.
“Cila është qasja e qeverisë ndaj prokurorëve që po hetojnë rastet e dyshimta të korrupsionit.
Duke i thënë që prokuroria po na i ndërsen policët hetues dhe po na i dërgon te zyret e ministrave të ndryshëm.
Kur është bërë publike dhe dihet largimi i Shemsi Hazirit nga Task Forc anti-korrupsion dhe zvogëlimi i kësaj Task Force, me pesë policë më pak, presioni që po iu bëhet policëve që janë detyruar të largohen dhe po detyrohen të largohen.
Mos harroni që deri tani, janë detyruar të largohen toger Naser Bajra, Blerim Gashi, Ekrem Ferati, polic Fadil Gashi, edhe 10 të tjerë kanë bërë kërkesë të largohen për shkak të presionit.
Shefi i ri ka vendosë një njësi prej 30 vetëve, që të gjithë shefat e njësisë të jenë nga vendbanimi ku është edhe ministri”, tha Qalaj.
-Major Besim Berisha, shef i njësisë
-Kapitetn Blerim Sylejmani
-toger Agron Avdullahu
-Rreshter Avni Reçica
-Rreshtet Fitim Kastrati
-Toger Ridvan Obertinca
-Rreshtet Vehbi Zabërgja
Të gjithë nga Podujeva, nuk ka të keqe kurrgjë nëse ishin shpërnda nëpër njësi, por në një njësi, të gjithë të jenë prej të njëjtit vend, atëherë ësht dicka.
Raportimi i Nacionales
Nacionale ka publikuar me iniciale (pavarësisht që i posedojmë edhe emrat) e të gjithë hetuesve të cilët janë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore. Gjiashtu do të bëhen publike edhe rastet që ata janë duke hetuar.
Të gjitha informacionet Nacionale i ka të evidentuara nëpërmjet disa provave/dokumenteve që kanë dalë nga brenda kësaj njësie, e ku janë shfaqur pakënaqësitë nga hetuesit të cilët janë në pritje të largimit.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia.
Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.
Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia.
Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi.
Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët.