Gënjeshtrat e Kurtit e Sveçlës kanë prekur dimensione të panjohura, përgënjeshtrohen prapë nga amerikanët, gjermanët dhe britanikët
Qeveria e Kosovës në një mbledhje të kabinetit qeveritar gjatë ditës së entje, i shpalli dy formacione ilegale serbe “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste. Në konferencën për media, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, deklaroi se “për këtë hap, ne jemi në koordinuar” me aleatët perëndimor. Por e vërteta është krejt ndryshe. Në fakt, bash e kundërta e deklaratës së Sveçlës është e Vërteta me V të madhe. Si gënjeu publikisht ministri Sveçla?
Menjëherë pasi kabineti qeveritar mori vendimin për shpalljen e dy formacioneve ilegale serbe si organizata terroriste”, Sveçla doli në konferencë për media. Aty, i pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme siguroi që vendimi për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste, është bërë në koordinim me aleatët e Kosovës.
“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar.” - deklaroi ai në konferencën e djeshme për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.
E vërteta e Amerikës, Gjermanisë e Britanisë
Por pa kaluar as 24 orë, aleatët e Kosovës nisën të përgenjështrojnë deklaratë e Sveçlës. Të parët që folën publikisht për mungesën e koordinimit në lidhje me këtë vendim ishin amerikanët, ndërsa gjermanët thanë se as nuk janë njoftuar paraprakisht, e le më të koordinohej me ta vendimi.
Në një përgjigje për mediumin Radio Evropa e Lirë, DASh-i sqaroi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto organizata si terroriste nuk ka qenë i koordininuar me ShBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Sipas DASh, ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë të Kosovës. Në përgjigjen e tyre, DASh i ka kërkuar Kosovës të përmbahet nga hapat e njëanshëm.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale.” - tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Pas amerikanëve, edhe gjermanët reaguan për këtë temë. Njëjtë sikurse ShBA-ja, edhe Gjermania e konfirmoi mungesën e koordinimit të Qeverisë Kurti me shtetin gjerman për punën e shpalljes së dy organizatave terroriste. Pra edhe Gjermania e përgenjështroi Sveçlën e Qeverinë Kurti.
“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht. Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore.” - ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për Klan Kosovën.
E gënjeshtrën publike të Sveçlës e konfirmoi edhe Mbretëria e Bashkuar, një tjetër aleat i vendosur i Kosovës. Edhe Mbretëria e Bashkuar ishte në linjë të njëjtë me ShBA-në e Gjermania, duke theksuar se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, nuk është konsultuar me ta në lidhje me këtë vendim.
“Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha shkurt një zëdhënës i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.




