Sveçla flet për djalin e Vuçiqit, shpalljen e organizatave terroriste e koordinimin – Krejt çka tha - NACIONALE

Sveçla flet për djalin e Vuçiqit, shpalljen e organizatave terroriste e koordinimin – Krejt çka tha

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me shpalljen e dy organizatave terroriste nga veriu.

Sveçla tha se me shpalljen terroriste të grupeve si Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile, është bërë ndarja e qytetarëve të zakonshëm serbë me grupet kriminale.

Ai vlerësoi se këto grupe kanë pjesëtarë të specializuar për kryerjen e akteve terroriste, raporton Nacionale.

“Duke u thirrur në analizat e vlerësimet e sigurisë nga institucionet jemi informuar se terrorizmi është prezentë në pjesën veriore të Mitrovicës. Kemi informacione të sakta se grupe që janë të identifikuara, kanë kryer akte terroriste në pjesën veriore të vendit: si sulme ndaj zyrtarëve e objekteve të KQZ-së, sulme të armatosura ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it e të EULEX-it. Djegie e veturave me targa legale RKS. Sulme e kanosje ndaj kundërshtarëve politikë. Trafikimi dhe posedimi i armatimit me qëllim të kryerjes së sulmeve terroriste. Sulme ndaj gazetarëve e punonjësve të mediave”, tha ai, raporton Nacionale.

“Këto grupe me strukturë të organizuar kanë pjesëtarë të përgatitur për akte terroriste me burime financiare të mjaftueshme për realizimin e qëllimeve të tyre. Qëllimet e tyre janë destabilizimi i rendit kushtetutës të Kosovës. Këto grupe kërcënojnë sigurinë shtetërore me veprime të ndërmarra brenda territorit, por edhe jashtë”, deklaroi ai.

Ministri i brendshëm serb foli edhe për ardhjen e djalit të Vuçiqit për Vidovdan në Kosovë. Ai tha se djali i presidentit serb ka hyrë si qytetar i rëndomtë, dhe kjo i lejohet me Marrëveshjen e Brukselit.

Sipas tij, Policia e ka detyruar djalin e Vuçiqit ta largojë bluzën me përmbajtje provokative. Ai e ka mohuar që djali i presidentit serb të ketë qenë i armatosur, pasi kjo sikur të ndodhte, ai do të ndalohej nga Policia e Kosovës.

“Për djalin e Vuçiqit, ai në Kosovë ka hyrë si qytetar i rëndomtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave deri tash për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Ai u shfaq në Graçanicë me atë bluzë, dhe policia ka marrë vendim që ta ndalin dhe kontrollojnë vetura që janë sjellur në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar, që është realizuar, heqja e bluzës me mesazh provokativ. Ata janë larguar për Serbi. Ne e dijmë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit, por që është gënjeshtar kronik po na e dëshmon çdo ditë. Djali i tij nuk është ndalur tri herë, por vetëm një herë”, tha ministri Sveçla.

Ministri foli edhe për votën kundër të ministrit Rashiq në mbledhjen e sotme të qeverisë lidhur me organizata Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut.

“Për qëndrimin e Rashiqit, ai ishte më se i qartë në fjalën e tij. Brenga e tij ishte tek hapat, jo tek e drejta me marrë këtë lloj vendimi apo nevojën për këtë vendim. Skepticizmat e tij ishin lidhur me hapat. Unë jam i bindur që ky hap është i nevojshëm tani, në mënyrë që të bëj ndarjen mes këtyre kriminelëve të cilët në vazhdimësi sulmojnë institucionet e mediat, por edhe më së shumti godasin qytetarët tanë atje qoftë ata serbë apo të tjerët”, tha ai.

Por a mund të ketë organizata të tjera që mund të shpallen terroriste dhe a erdhi ky vendim me koordinim nga ndërkombëtarë?

“Institucionet e sigurisë, AKI-ja por edhe partnerët tanë, punojmë në hetimin e ngjarjeve që kanë ndodhur dhe vazhdojnë gjithandej. Në momentin kur ata kanë dëshmi relevante për organizim të strukturara të ndonjë etniteti, qeveria do të marrë veprime meritore”, tha ai.

“Partnerët tanë dihen: BE-ja, EULEX-i si mision i tyre dhe KFOR-i. Jo vetëm që ndajmë vlera të përbashkëta, por kemi edhe iniciativa të përbashkëta. Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, herë pajtohemi e herë nuk pajtohemi. Këtë e ka koordinimi. Patjetër që për këtë hap jemi koordinuar”, deklaroi Sveçla.

Për shpalljen e dy organizatave si terroriste, ministri Nenad Rashiq ka votuar kundër.

Lajme të ngjashme