Gazetari shqiptar nga Beogradi: Mobilizimi i ushtrisë serbe, çështje serioze
Gazetari shqiptar që jeton e vepron në Beograd, Idro Seferi ka folur pas zhvillimeve të sotme në Serbi, konkretisht për mobilizimin e ushtrisë serbe.
Në një paraqitje televizive për Klan Kosovën, Seferi ka thënë se vet fakti i këtij mobilizimi tregon mjaftueshëm për seriozitetin e çështjes.
“Ajo që pash dhe lexova nga Ministria e Brendshme e Serbisë, ka pasur një lëvizje në termin ushtarak, një rishikim i gjendjes së brendshme të forcave të Serbisë dhe kazermave", tha fillimisht ai.
Veç kësaj, Seferi deklaroi se serbët nuk po u besojnë autoriteteve në Kosovës, pra nëse do të futen më shumë në veri, apo nëse do të ketë incident më të madh.
"Fakti që ka shkuar ministri për të parë gatishmërinë e ushtrisë, tregon faktin që ka gatishmëri në përgjithësi, edhe pse ka pasur deklarata që kanë lidhur ngjarjet në Kosovë dhe gatishmërinë e ushtrisë atje, për shkak se siç thuhet autoriteteve në Kosovë nuk iu besohet, nëse do të futen më shumë në veri, apo nëse do të ketë incident më të madh”.
Tutje, gazetari tha se duhet pritur nga ndërkombëtarët nëse do të ketë ndonjë reagim rreth kësaj çështjeje.
“Është ngritur në një nivel të lartë, kur bëhet fjalë për dronë ushtarak, apo avionë ushtarakë MIG-29, atëherë situata me këtë deklarime është mjaftë serioze, se sa që mund të shihet nga jashtë sigurisht se ka një mobilizim të madh për të parë se çfarë ka ndodhur, duhet të pritet të shihet se a ka ndonjë reagim nga ndërkombëtarët”.
Urdhri
Kujtojmë se sot, presidenti i Serbisë lëshoi urdhër që ushtria të ishte në gatishmëri dhe të ngriste nivelin e gatishmërisë ushtarake në mënyrë që t’i përgjigjej çdo detyre.
Në anën tjetër, Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, vizitoi kazermën ushtarake në Rashkë.
Me të në Rashkë ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq.
“Jemi siguruar që gjendja në njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë të jetë në nivel të lartë, të jenë të përgatitura, të stërvitura, të pajisura, që morali të jetë në nivelin më të lartë... dhe që të jenë të gatshëm, të aftë dhe të trajnuar për të kryer çdo detyrë dhe çdo urdhër të Presidentit të Republikës dhe të Komandantit të Përgjithshëm dhe të udhëheqjes shtetërore,” – deklaroi Vuçeviq.
Jo shumë larg Rashkës, Policia e Kosovës në vendkalimin në Jarinjë po zbaton fazën e parë të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
Zanafilla
Nga sot, Policia e Kosovës e ka filluar zbatimin e vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale.
Si pjesë e këtij vendimi është edhe masa e qortimit. Një fletëqortim i tillë është lëshuar mbrëmë, pak orë pas hyjres në fuqi të vendimit. Për 21 ditë do të ketë vetëm qortim.
Ky vendim i ri i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale nuk u prit mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët kërkuan që të shtyhet për 10 muaj afati për targat.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, e ka përsëritur edhe një herë kërkesën e ShBA-së për targat, duke thënë se nuk kanë kërkuar shtyrje të pjesëshme të vendimit, por të plotë.
"Ne lëshuam një deklaratë javën e kaluar për ta bërë shumë të qartë besimin tonë dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë se qeveria e Kosovës duhet ta zgjatë periudhën e zbatimit. Kosova, natyrisht, ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim sipas marrëveshjes së Brukselit, por ne jemi të zhgënjyer, jemi të shqetësuar se qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve ndërkombëtarë për zbatim. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen në një dialog të lehtësuar me BE-në" – tha Price gjatë konferencës për medie.
