Vendimi për targat: Nga sot fillojnë ditët e qortimit për drejtuesit e veturave me targa ilegale - NACIONALE

Vendimi për targat: Nga sot fillojnë ditët e qortimit për drejtuesit e veturave me targa ilegale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga sot, Policia e Kosovës e ka filluar zbatimin e vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale. Si pjesë e këtij vendimi është edhe masa e qortimit. Një fletëqortim i tillë është lëshuar mbrëmë, pak orë pas hyjres në fuqi të vendimit. Për 21 ditë do të ketë vetëm qortim.

Policia e Kosovës raportohet se e ka dhënë qortimin e parë për një veturë me targa ilegale.

Sipas raportimi të portalit serb, “Kosovo Online”, një qytetareje serbe në veri të vendit i është lëshuar fletëqortimi në vendkalimin kufitar në Jarinje.

Ajo ka thënë se zyrtarët policorë i kanë dorëzuar asaj një fletqortim për riregjistrimin e veturës me targa RKS.

Më tej, ajo ka thënë se nuk planifikon ta regjistrojë veturën në RKS dhe se është në pritje të vendimit nga Beogradi.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas fillimit të masës së re, ka kërkuar nga qytetarët që posedojnë targa ilegale që t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS.

"Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin.”, ka shkruar ai në Facebook.

Mirëpo vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale nuk u prit mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët kërkuan që të shtyhet për 10 muaj afati për targat.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, e ka përsëritur edhe një herë kërkesën e ShBA-së për targat, duke thënë se nuk kanë kërkuar shtyrje të pjesshme të vendimit, por të plotë.

"Ne lëshuam një deklaratë javën e kaluar për ta bërë shumë të qartë besimin tonë dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë se qeveria e Kosovës duhet ta zgjatë periudhën e zbatimit. Kosova, natyrisht, ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim sipas marrëveshjes së Brukselit, por ne jemi të zhgënjyer, jemi të shqetësuar se qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e partnerëve ndërkombëtarë për zbatim. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen në një dialog të lehtësuar me BE-në" – tha Price gjatë konferencës për medie.

Price bëri të qartë se vendimi i Kosovës për shkallëzim të vendimit nuk përkon me kërkesën e ShBA-së dhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Ai e rikonfirmoi kërkesën për shtyerje të plotë të vendimit.

“Ne kemi qenë të qartë në publik dhe në biseda private se komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e BAshkuara, kërkon shtyrje të plotë të implementimit në këto çështje. Ne nuk kërkojmë shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë implementim të shkallëzuar. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës shtyrje të plotë të implementimit të vendimit”- pëfundoi ai.

Më tej, pas hyrjes në fuqi të vendimit, mediet serbe kanë vendosur tituj tendeciozë.

“Terrori i Kurtit: Kush nuk i do targat RKS, duhet të shpërngulet”, “Gati përgjigjja për Kurtin: Do t’i aktivizojmë çnjohjet nëse i afrohen KiE-së”, janë disa nga titujt e gazetave serbe.

Deri më tani, një numër i vogël i pronarëve të veturave i kanë konvertuar targat nga ato ilegale në RKS.

Pas fazës së qortimit, që do të bëhet për tri javë, do të ketë masë të gjobitjes dy muaj, targa provuese dy muaj dhe nga prilli konfiskim.

Lajme të ngjashme