"Gazetarët në Kosovë sulmohen nga grupet politike e fetare": Çka tjetër u tha në raportin e komisionares së KE-së?
Kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve e mosndëshkimi i këtyre krimeve mbeten shqetësim serioz, sipas komisionares për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq. Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e këtij institucioni të BE-së dhe synon, që një gjë e tillë të ndodhë shpejt.
Nga 30 maji deri më 3 qershor 2022, Mijatoviq qëndroi për vizitë në Kosovë, ku takoi shumë persona, duke i përfshirë këtu edhe krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
Të martën u publikua raporti në faqen zyrtare të KE-së në lidhje me gjetjet që janë bërë gjatë kësaj vizite, që fokusohej në drejtësi, lirinë e medieve dhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e grave e barazinë gjinore.
Siguria e gazetarëve, shqetësim serioz
Kështu thuhet në pikën 74 të raportit, ku shkruhet se gazetarët në Kosovë kanë qenë subjekt i sulmeve fizike dhe janë penguar të raportojnë “nga rrjetet kriminale".
Gazetarët, sipas gjetjeve të Mijatoviq-it, shpesh përballen me fyerje dhe akuzohen për lajme të rreme nga grupet politike e fetare. Këtu përmendet se gazetarët që raportojnë serbisht, janë të frikësuar të raportojnë në mënyrë të pavarur nga partia që e ka pushtetin në veri të vendit, pra Lista Serbe.
“Kërcënimet dhe sulmet fizike kundër gazetarëve dhe mosndëshkimi për krimet kundër gazetarëve mbeten çështje me shqetësim serioz. Sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët që i hetojnë trafikun e drogës ose ndotjen e mjedisit, kanë qenë subjekt i sulmeve fizike dhe janë penguar që të raportojnë nga rrjetet kriminale. Është raportuar gjithashtu “se mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues përballen me fyerje dhe lajme të rreme, shpesh nga grupet politike dhe fetare”, ndërsa “gazetarët serbishtfolës janë të frikësuar të raportojnë në mënyrë të pavarur nga partia në pushtet në veri të Kosovës”, thuhet në raport.
Pika 75 flet për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2021, ku pati shumë të tilla, plot 29. Krahasuar me vitin 2020, ky numër gati është treshifuar. Atë vit pati 11 sulme.
“Në vitin 2021, bashkëbiseduesit mediatikë të Komisionares regjistruan 29 sulme kundër gazetarëve me kërcënimet online gjithnjë e më të zakonshme, duke i pasur për synim veçanërisht gazetaret vajza. Raste të dhunës ndaj gazetarëve janë vërejtur edhe në vjetët 2019 dhe 2021, si sulmi fizik ndaj një gazetari në Mitrovicën e Veriut, sulmi ndaj një gazetari nga ministri i atëhershëm i Tregtisë, sulmi me armë në makinën e një gazetari në Mitrovicë, si dhe sulmi fizik nga persona të maskuar ndaj një gazetari hulumtues. Komisionarja është njoftuar edhe për arrestimin e Tatjana Lazarevic-it, gazetare e KoSSev-it, në prill të vitit 2020 nga policia në veri të Kosovës, për shkelje të orarit policor për COVID-19, derisa ajo ishte duke kryer punë hetimore. Arrestimi i saj ishte perceptuar nga shumë gazetarë si një përpjekje për t'i frikësuar gazetarët e kësaj medie, e cila njihet për raportimin e pavarur në veri të Kosovës”, theksohet në këtë pikë.
Sipas komisionares, gazetarët që punojnë në zona të karakterizuara nga tensionet e dhuna, ekspozohen para formave të ndryshme të pengimit.
“Komisionarja i vëren, gjithashtu, me shqetësim vështirësitë me të cilat përballen gazetarët që punojnë në zona të karakterizuara nga tensionet dhe dhuna, ku vetë gazetarët mund të ekspozohen ndaj dhunës dhe formave të tjera të pengimit. Në një rast specifik, në tetor të vitit 2021, gazetarët që raportonin për një operacion kundër kontrabandës, të kryer nga policia e Kosovës në veri të Kosovës, u sulmuan nga njerëz që e kundërshtonin aksionin e policisë”, thotë pika 76 e raportit.
Puna mes policisë, prokurorisë dhe gjykatave për t’i trajtuar sulmet ndaj gazetarëve, kritikohet nga Mijatoviq-i, ku thuhet se gjyqtarët vendës japin dënime të buta, si gjoba, ndaj këtyre rasteve.
“Raportet tregojnë se sulmet ndaj gazetarëve nuk trajtohen gjithmonë me nivel të mjaftueshëm serioziteti dhe se në këtë drejtim ka mungesë të koordinimit ndërmjet policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Raportohet gjithashtu se gjyqtarët vendës përdorin dënime të buta për krimet kundër gazetarëve, me gjobat si lloji më i zakonshëm i dënimit të shqiptuar”, thuhet në pikën 77.
Në pjesën ku flitet për mediet, raporti përmban edhe hollësi të tjera të cilat mund t’i lexoni duke klikuar KËTU.
Raporti i Progresit: Sulmet vijnë nga zyrtarë të nivelit të lartë politik
Komisioni Evropian javën e kaluar e publikoi Raportin e Progresit, ku, po ashtu, flitet për mediet dhe situatat në të cilat gazetarët punojnë.
Këtu, po ashtu, përmenden 29 rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, me ç'rast në vitin 2021 u shënua rritje në krahasim me atë paraprak.
Siç theksohej qartazi, gazetarët në Kosovë kërcënohen e sulmohen edhe nga zyrtarët shtetërorë e ata partiakë.
“Kërcënimet dhe sulmet variojnë nga ato të biznesmenëve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, deri tek ato të zyrtarëve shtetërorë ose të partive politike. Nuk zgjidhet rasti i sulmit ndaj gazetarit Visar Duriqi nga viti 2021. Gjykimi i çështjeve mbetet i ngadaltë. Sipas Asociacionit, ka pasur një rritje të deklaratave nënçmuese dhe shpifjeve të bëra nga politikanët që e synojnë median, duke e minuar publikisht besimin në raportimin gazetaresk dhe sigurinë e gazetarëve. Gjatë periudhës raportuese, AGK-ja ka regjistruar të paktën dy raste të Kontesteve Strategjike kundër Padive për Pjesëmarrje Publike të ngritura nga figura publike kundër gazetarëve”, shkruhet në Raportin e Progresit.
Vlen të përmendet se gjuhë të papranueshme urrejtëse ndaj medieve kishin përdorur shumë figura të ndryshme të pushtetit, përfshirë zotërinë e parë, Prindon Sadriun, shefin e stafit të Kurtit, Luan Dalipin, zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe shumë eksponentë të tjerë të pushtetit.



