Gashi i reagon Kurtit: Sulm direkt mbi sistemin e drejtësisë, paralajmërove puç institucional
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit, Albin Kurti për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, të cilit i doli në mbrojtje.
Pasi Kurti sulmoi sistemin e drejtësisë, Gashi i reagoi duke i thënë se Kurti bëri një monolog mashtrimi.
“Pasi që kryeministri e pa që nuk jemi këtu e filloi një monolog mashtrimi, edhe pse me votë e refuzoi debatin. Kryeministrit po ja them disa fakte, e para prokuroria nuk mundet me ngritë akuza në bazë të AKI-së, sa për kapjen e sitstemit të drejtëisë, nga rreth 450 gjyqtarë në qeverisjen tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë, 23 janë emëru në janar, 29 në prill, 48 gjyqtarë në korrik, prej rreth 210 prokurorëve janë emëru në qeverisjen tuaj 29 prokurorë, më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurtë.” – ka thënë Gashi.
“Keni tentu me kapë sistemin prokurorial dhe gjyqysor duke vepruar në mënyrë jo kushtetuese dhe ato që thatë këtu janë sulm direkt mbi sistemin e drejtësisë. Ai është sistem i pavaruar kushtetues, nëse përzihen bëjnë puç institucional dhe atë e paralajmërove ti sot këtu.” – ka thënë Gashi.
