Fushata nis e qetë: Partitë hapin garën me tubime të mëdha dhe tone të matura
Fushata elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit ka nisur në mënyrë të qetë. Në ditën e parë të fushatës, partitë kryesore kanë mbajtur tubime të mëdha hapëse. Para mbështetëseve të tyre, kandidatët për kryeministër të LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë prezantuar programet dhe kandidatët e tyre për deputet.
Gjuha që liderët politikë kanë përdorur para elektoratit ka qenë e matur dhe pa akuza të renda.
Lëvizja Vetëvendosje fushatën e ka nisur në Ferizaj. Me këtë rast, lideri i kësaj partie Albin Kurti vuri theksin te 100 eurot për punëtorët e sektorit privat.
“Mos harroni, të dashur punëtorë, që sot në sektorin privat është hapur aplikimi për shtesën e njëhershme prej 100 eurosh. Ky ka qenë zotim i yni. Tash po na akuzojnë e sulmojnë pse po i përmbushim zotimet tona ndaj jush. Krejt çka bëjmë ne është përmbushje e zotimeve tona. Krejt britmat e piskamat kundër neve janë për shkak të realizimit të zotimeve tona. Ne ju duam sinqerisht, ne punën e marrim seriozisht dhe atë që zotohemi e realizojmë”, ka thënë Kurti.
Po ashtu në Ferizaj fushatën e ka hapur edhe PDK-së.
Në sheshin e këtij qyteti, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, është shprehur optimist për rezultatin e 7 qershorit.
Përvec prezantimit të programit, Hazma ka folur edhe për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Sot, liderët tanë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, së bashku me bashkëluftëtarët Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen larg familjeve të tyre në Hagë. Ne kemi besim në drejtësi dhe në të vërtetën. Historia nuk mund të ndryshohet. Ata nuk janë vetëm individë, por pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës. Besoj se do të rikthehen faqebardhë, krenarë dhe më të fortë”, është shprehur Hamza.
Lidhja Demokratike e Kosovës ishte subjekti i parë që hapi zyrtarisht fushatën në Prishtinë. Në tubim, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani dolën bashkë para simpatizantëve për të prezantuar kandidatët për deputetë.
“Sonte, mu sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës. Në këtë kryengritje të djathtë, le t’i kujtojmë vetes se kush jemi ne: jemi pasardhës të qendresës, jemi pasardhës të rezistencës, jemi pasardhës politikë të shqiptarit më të madh të kohërave, jemi pasardhës politikë të Dr. Ibrahim Rugovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kësaj radhe hyn në garë me Ardian Gjinin si kandidat për kryeministër.
Hapja e fushatës së AAK-së u mbajt në Gjakovë, ku Gjini prezantoi prioritetet kryesore të programit të tij, me fokus te siguria, zhvillimi ekonomik dhe energjia.
Ai gjatë fjalimit i kushtoi rëndësi të veçantë edhe diasporës.
“Një përshëndetje për diasporën. Sa na doni ju neve, ju duam edhe ne juve. Njëjtë, kurrfarë dallimi”, u shpreh ai.
Sot është dita e dytë e fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Agjenda e subjekteve politike për këtë ditë është tejet e ngjeshur. Gjatë të premtes ato do t`i kenë nga disa tubime zgjedhore në qytetet të ndryshme të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë tubim në Istog në ora 17:00, ndërsa në Pejë në ora 19:30, transmeton Klankosova.tv.
Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë tubime në Gjakovë në ora 18:00 dhe në Pejë në ora 19:30.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojë disa tubime gjatë ditës, në Kaçanik dhe Han të Elezit në ora 17:00, në Shtime në ora 18:00, në Fushë Kosovë në ora 19:30 dhe në Prishtinë në ora 20:30.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë tubim në Rahovec në ora 20:00