Formimi i Qeverisë, pastaj zgjedhja e presidentit: VV-ja nuk do ta respektojë aktgjykimin e Kushtetueses, “opozita” hesht
Lëvizja Vetëvendosje nuk do të respektojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese n për çështjen e Presidentit, i cili tregon se fillimisht duhet të zgjidhet presidenti dhe pastaj Qeveria e re.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se presidenti i ri do të zgjidhet pas formimit të Qeverisë së re.
“Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë pra, pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja, kushdo që të jetë ai apo ajo do të ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër të vendit”, ka thënë ajo.
Ajo është shprehur optimiste për këtë çështje.
“Presim një herë që të ndodh certifikimi i rezultateve. Pastaj, pas certifikimit të rezultateve natyrisht se do të ketë takimet me partitë politike dhe e urojmë që ta gjejnë një konsensus në mënyrë që ta votojë Kuvendi i Kosovës presidentin me mandat 5 vjeçar dhe të vazhdojmë punën dhe përgjegjësi që kemi para qytetareve e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo, duke treguar se nuk do të jetë kandidate për presidente.
Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti dje ka treguar se fillimisht do të formohet qeveria e re.
Në hapje të mbledhjes së qeverisë, ai ka treguar se fillimisht do të formohet qeveria e me pas do të zgjidhte presidentin.
“Posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re, dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, ka thënë Kurti.
Në këtë mënyrë do të injorohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit, i cili thotë që se pari duhet të zgjidhet presidenti.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar fare thjeshtë renditjen e detyrimeve kushtetuese kur vendi hyn në një legjislaturë të re pa president të zgjedhur.
Në paragrafin 162, Gjykata ka konstatuar se, “procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve”.