Formimi i qeverisë së re, kërkohet që presidentja Osmani ta luajë rolin që i takon: Nuk duhet të ketë bllokadë
Zgjedhjet e 9 shkurtit kanë prodhuar një rezultat që imponon një koalicion në mes të partive politike për t`i formuar institucionet e reja. Deri me tani partitë kanë treguar pak vullnet për një gjë të tillë.
Subjektet politike opozitare kanë treguar se nuk bashkëpunojnë me VV-në, kurse kjo e fundit nuk i ka numrat për konstituimin e institucioneve.
Kjo ka shtuar shqetësimet për një krizë institucionale në Kosovë.
Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se në këtë rast presidentja Vjosa Osmani duhet ta luaj rolin që i takon.
Ata kanë vlerësuar se Osmani nuk guxon të lejojë një bllokadë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, ka bërë me dije se nëse një gjë e tillë ndodh, presidentja Osmani është përgjegjëse.
Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, presidentja është balancuese e institucioneve.
“Për qata është presidenti i Republikës, i cili nuk është pushtet, por është balancues i institucioneve dhe përgjegjës kryesor për formimin e institucioneve”, ka thënë Hasani, duke thënë se një gjë të tillë e ka përcaktuar Kushtetuta e Kosovës.
“Nuk po e them unë, e thotë Kushtetuta. Ajo është përgjegjëse për funksionim të institucioneve, të cilën e thotë Kushtetuta. Është balancuese e tyre”, është shprehur Hasani.
Nëse ajo nuk e bënë një gjë të tillë, sipas Hasani, Osmani bënë shkelje kushtetuese.
Ai ka vlerësuar se në asnjë mënyrë nuk mund të ketë zvarritje për formim të institucioneve të reja.
“Me kushtetutë dhe ligj jo, e me ba me ligjin e xhunglës ajo mund të ndodhë. Por, unë nuk besoj që jemi në pozitë na me funksionu më qatë ligj. Ne deri sot nuk kemi funksionuar me qatë ligj”, ka thënë Hasani.
Edhe analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se pas certifikimit të rezultateve presidentja Osmani duhet ta luajë rolin që i takon.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka bërë me dije se Osmani duhet të ndihmojnë edhe krijimin e një qeveria teknike.
“Nëse Kurti e ka pas vështirë të nënshkruaj dhe realizojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si një akt kyç për realizimin e tërësisë të marrëveshjes, sot në rrethanat tejet të trazuara ndërkombëtare ndoshta do të reflektoi a duhet të vazhdojë me kokëfortësinë e tij në raport me partnerët strategjikë, duke u pajtuar që të bëhet një marrëveshje xhentlemene për qeveri teknike që i kryen disa punë taksative rreth marrëveshjes me Serbinë. Kuptohet, nuk di a ka ai fare gatishmëri për këtë. E kuptoj pse dyshohet për këtë sepse gjatë fushatës dhe me shpalljen e “fitores” natën e 9 shkurtit, që po del si një fitore e Pirros, ai i ka thelluar animozitetet me liderët tjerë”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, veprimi i Osmani duhet të shtyhet edhe nga ndërkombëtarët.
“Mirëpo, Presidentja Osmani, po e bëj edhe një spekulim pa parë, e mbështetur nga këshilltarët ndërkombëtarë, do të mund të bënte në vitin e fundit të mandatit të saj një punë të hajrit, duke luajtur rolin e instancës racionale që na nxjerrë nga pozicionimet idhnake të liderëve që ua ka rra hise të vendosin për fatin e vendit. Fundja, kjo i takon edhe me funksinin që e ka, nëse e ka ndërgjegjen për këtë”, ka vlerësuar Maliqi.
Mbetet të shihet nëse shefja e shtetit do të luajë rolin që i takon me Kushtetutë. Në këtë mandat, opozita nuk është shprehur e kënaqur me punën e presidentes. Subjektet politike opozitare vazhdimin Osmanin e kanë quajtur si notere të kryeministrit Albin Kurti.
Presidentja Osmani është kritikuar edhe për heshtjen e saj ndaj në raport me procesin zgjedhor të 9 shkurtit.