"Fontanë për deputetë": Fitore Pacolli, deputetja fjalëmadhe e VV-së që mezi hyri në Kuvend
Sqarim: Ky shkrim nuk është profili i Fitore Pacollit. Më së shumti, këtë artikull mund ta cilësojmë si gjysmë-profil (madje dhe kjo do të ishte një hiperbolizim i tejskajshëm) i deklaratave të çuditshme të zonjës Pacolli.
Fitore Pacolli, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është ndër politikanet e rralla që shpesh bën fjalime interesante (natyrisht, thënë me eufemizëm). Në secilën deklaratë të saj, ajo ka një fajtor kujdestar: opozitën dhe 20 vitet e qeverisjes së ish-regjimit.
Edhe këtë të premte, Pacolli e bëri një deklaratë qesharake rreth pretendimeve të presidentit serb Vuçiq për çnjohjen e pavarësisë së Koosvës nga disa shtete. Nga deklarimi i saj i sotëm, por edhe bazuar në të kaluarën, zonja Pacolli duket se e ka në qef të përzgjedh qëllimshëm informacionet.
Ajo ka fajësuar qeverinë e kaluar për këtë fushatë diplomatike të Serbisë kundër Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, zonja Pacolli ka shkruar se këtë fushatë të Serisë e ka ndihmuar marrëveshja e Uashingtonit, të cilën e ka nënshkruar ish-kryeministri Avdallah Hoti, në shtator të vitit 2020.
“Në shtatorin e vitit 2020, në Ëashington shumica e këtyre që dje dolën të shqetësuar për fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës patën bashkërenduar këtë fushatë të Serbisë vet duke nënshkruar se Kosova nuk do kërkoj njohje e as anëtarësohet askund. Ndërkohë që Serbia e vazhdonte fushatën e saj të çnjohjes”, ka shkruar Pacolli.
Pra nga ky pikëvështrim, duket se zonja Pacolli vuan nga “amnezia politike” pasi qëllimshëm “harron” se marrëveshja e Uashingtonit ka kohë që ka përfunduar dhe se LVV-ja udhëheqë me Qeverinë që gati 2 vite.
Por Pacolli mbahet mend edhe për një deklaratë aspak diplomatike rreth SHBA-së, duke thënë se Amerika mund të shqetësohet, por Kosova është vend sovran.
“Mund të shqetësohen, kanë të drejtë, por shteti i Kosovës ka treguar se do të veprojë si shtet i pavarur dhe do të vendosë rend dhe rregull në secilën pjesë të vendit”, theksonte ajo në RTV Dukagjini muaj më parë.
Natyrisht, të gjithë e mbajnë mend deklaratën e saj se “duhet të ndërtohet një fontantë në Kuvend”.
“Është faza e dytë e projektit që nënkupton instalimin e fontanave të ujit që vjen nga rrjeti publik e në momentin që i kemi ato fontana, atëherë edhe deputetët nuk do të marrin ujë falas siç u ofron kuvendi tani në seanca. Këto do të instalohen brenda objektit të kuvendit, ku kemi nyjet e ujit. Mund të pinë edhe me grushta, do të jenë fontana në të cilat mund të pinë fare pa gota e pa shishe, siç pinë në secilin vend në Bashkimin Evropian”, shprehej ajo.
Një deklaratë e tillë kishte ngjallur shumë reagime, të cilat me ironi e tallnin Pacollin për këtë deklaratë.
Zonja Pacolli ishte "përplasur" një herë edhe me Nacionalen, duke e cilësuar si fakenews (lajm të rremë) një lajm të gazetës. Por ajo kishte pasur edhe një deklaratë aspak të mirë për mediet, duke kërkuar "masa" ndaj portaleve e televizioneve.
“Vitet e fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online që po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik. Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, me transparencën si dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, deklaronte Pacolli nga LVV-ja.
Kujtojmë që ajo nuk mori aq shumë vota në zgjedhjet e vitit 2021, duke u rënditur kah fundi i atyre që siguaruan ulëse dhe mezi u bë deputete.


