Folën familjarët dhe prokuroria – çfarë u mësua sot për rastin e plagosjes së të rinjve serbë në Shtërpcë? - NACIONALE

Folën familjarët dhe prokuroria – çfarë u mësua sot për rastin e plagosjes së të rinjve serbë në Shtërpcë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në komunën e Shtërpcës. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur dy persona.

Nga ky rast u raportua se mbetën të plagosur Stefan Stojanoviqi (11 vjeçar) dhe Millosh Stojanoviqi (21 vjeçar). Pas këtij rasti, serbët kishin bllokuar magjistralen Ferizaj-Shtërpcë

Policia e Kosovës njoftoi që A.K. ishte arrestuar tashmë. Bëhej fjalë për 33-vjeçarin A.K, i cili u arrestua me shpejtësi nga Policia Rajonale e Ferizajt pas hetimeve të shumta dhe mbledhjes së informacioneve në terren.

“Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar. I dyshuari është duke u shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime tjera hetimore.” – u tha në njoftimin e mbëmshem të Policisë së Kosovës.

Prokuroria

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë me dije se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty.

Pas kësaj mosmarrëveshje, sipas prokurorisë, i pandehur ka nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.”, është thënë në komunikatë.

Më pas, prokuroria përmend edhe veprën tjetër për të cilën dyshohet i pandehuri.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të nëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 06 Janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, komuna Shtërpcë, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së’”, është thënë në komunikatë.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve

Pas plagosjes, të rinjëve serbë iu është dhënë mënjëherë ndihma mjekësore në Shtëpinë e afërt shëndetësore, dhe më pas janë dërguar në repartin e kirurgjisë në Graçanicë.

Nëna e 11-vjeçarit të plagour, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin serb, ka thënë se ka dëgjuar se i dyshuari ka gjuajtur në asfalt me armë, teksa plumbi ka goditur fëmijën e saj.

“Faleminderit zotit, si ka mundësi, janë mirë, as unë nuk e di se çfarë ka ndodhur, më kanë thënë vetëm se është plagosur, nuk dija si, çfarë… Rruga ishte e bllokuar, mezi dolëm.. Tashmë plaga është riparuar. Siç kam dëgjuar, fëmijët po bënin fotografi, të veshur me pemën e Krishtlindjes për natën e Krishtlindjes, ai burrë erdhi dhe qëlloi në asfalt rrugës, dhe plumbi ra me rikoshet në fëmijën tim”, tha Zorica, nëna e djalit të plagosur.

Ajo tha se gjendja shëndetësore e djalit të saj është e mirë.

“Ai është mirë, ai është një hero. Ndihet mirë si fizikisht ashtu edhe mendërisht, faleminderit Zotit”, tha tutje ajo.

I dyshuari A.K, flasin familjarët

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi mbrëmjen e së premtes se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është prëfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e dënuar rastin.

“Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t'i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka thënë Mehaj.

Sa i përket të dyshuarit kryesorë i cili është pjesëtar i FSK-së, Nacionale mësoi se bëhet fjalë për Azem Kurtajn, të birin e Danush Kurtajt. Danush Kurtaj është dëshmor i UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë dhe kishte mbetur i plagosur rëndë më 21 maj të vitit 1999 për të vdekur një ditë më pas. Ai kishte qenë i burgosur në Dubravë dhe ishte mes shumë viktimave në masakrën e kryer nga forcat serbe.

Më 25 nëntor, ose më pak se dy muaj më parë, Azem Kurtaj kishte qenë mes ushtarëve të Kosovës që ishin dekoruar nga Ushtria e Shqipërisë.

Gjatë ditës së sotme, familjarët e ushtarit i thanë Nacionales se pak dinë rreth asaj që ka ndodhur të premten pasdite. Ata mohuan që me qëllim për t’i vrarë djali i tyre ka shtënë drejt qytetarëve në atë zonë.

Axha i Azemit, Afrimi, po ashtu në një bisedë prapa kamerave për Nacionalen tha se nipit të tij nga persona për ta panjohur në Shtërpcë i është bllokuar rruga. Si pasojë, Azemi ka shtënë në tokë në vetëmbrojtje.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për rastin. Pak dimë edhe ne, por e dimë që iu ka blloku rruga edhe në mbrojtje ka gjujtë. Ai (Azemi) ka qenë duke kalu andej”- i tha gazetës axha i tij.

Kur u pyet se ku e kishte marrë armën pjesëtari i ushtrisë, axha tha se e kishte me leje.

Arma sigurisht që ka qenë me leje”- tha për Nacionalen, duke mos dashur që të komentonte më shumë axha i Azemit.

Nga familja e tij kanë sqaruar se në momentin kritik, ushtari kishte qenë duke vozitur veturën e tipit Golf 5 ngjyrë hiri.

Mbrojtja e ushtarit Azem Kurtaj, avokatri Naim Ferati, për Nacionalen dha pak hollësi rreth komunikimit të parë me klientin e tij.

Avokati sqaroi se gjendja emocionale e Kurtajt është e rëndë pas asaj që ka ndodhur të premten pasdite. Tha se, në bazë të asaj se çka i ka thënë ushtari, rasti ka ndodhur në vetëmbrojtje.

Nesër e kemi seancën dëgjimore. Në këtë fazë, klienti im e ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje tash për tash. S’kemi shumë informacione, sepse ende s’e kemi takuar. Rasti, sipas klientit tim, ka ndodhur në vetëmbrojtje. Duhet me folë tash me klientin e me i sqaru rrethanat. Dje ka qenë i shqetësuar, i traumatizuar. Nuk e ka pritë që po ndodh diçka e tillë”- i tha Nacionales Naim Ferati, avokat i ushtarit Azem Kurtaj.

Disa nga reagimet

Kryeministri Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dënuar ashpër sulmin ndaj dy serbëve në komunën e Shtërpcës.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe i njëjti ju ka dëshiruar shërim të shpejtë.

E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht.

Presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ky sulm është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë.

Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ju ka dëshiruar shërim të shpejtë të plagosurve.

“Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojne urgjentisht e sipas ligjit”, ka përfunar ajo.

Ministri Mehaj

Ministri i Mbrojtjes se Kosovës, Armend Mehaj ka bërë të ditur se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i përfshirë në sulmin që ka ndodhur në Shtërpcë.

Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se për të njëjtin do të trajtohet sipas rregullores dhe ligjeve që ka në fuqi Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja.

“Të dashur qytetarë, tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar ai.

Tutje Mehaj iu ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

“Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin. Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t'i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, ka përfunduar Mehaj.

Ambasadori i ShBA-ve

Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se ShBA-ja është e shqetësuar me këtë situatë.

Në një prononcim pas vizitës për Krishtlindje, z. Hovenier tha se ShBA-të e dënojnë rastin.

“Dua të shfrytëzojë këtë mundësi dhe të flasë shkurtimisht për atë që ngjau në Shtërpcë dje dhe të rithkesojë në emër të ShBA-së sa të shqetësuar jemi për situatën ku dy djem të rinjë janë të qëlluar. E dënojmë rastin, natyrisht. Jemi shumë mirënjohës që autoritetet për veprimin e shpejt dhe arrestuan të dyshuarin.” – tha ai.

Pothuajse të gjithë liderët institucional e të partive politike kosovare, e kanë dënuar fuqishëm e njëzëri plagosjen e një fëmije 11-vjeçar e të një djaloshi 21-vjeçar, për plagosjen e të cilit dyshohet një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Madje për këtë ngjarje, tashmë janë kërkuar “kokat” e Armend Mehajt, ministër i Mbrojtjes dhe të Bashkim Jasharajt, komandant i përgjithshëm i FSK-së. Dorëheqjen e z. Mehajt dhe z. Jasharajt e kanë kërkuar së paku dy analistë.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar

Nicholas Abbott, ambasadori britanik në Kosovë, shprehu shqetësimin për sulmin ndaj dy të rinjve serbë të Kosovës dhe tha se mirëpret reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës për arrestimin e të dyshuarit.

"Isha i shqetësuar kur dëgjova për një sulm ndaj dy të rinjve serbë të Kosovës dhe mirëpres arrestimin e shpejtë të një të dyshuari. I uroj shërim të shpejtë." - tha ai.

Bashkimi Evropian

Pas plagosjes së dy të rinjve serbë, kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian. Përmes një reagimi në Twitter, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka shkruar se BE-ja e dënon ashpër plagosjen që ka ndodhur në Shtërpcë gjatë pasdites së të premte duke e quajtur krimin të neveritshëm.

Zëdhënësi i BE-së tutje ka shkruar se është jetike që institucionet e Kosovës të bëjnë një hetim të plotë deri në zbardhjen e gjithë situatës.

“Kosovë: BE-ja e dënon në mënyrë të vendosur plagosjen me armë të një fëmijë dhe të një të riu në Kosovë dje. Është me rëndësi që autoritetet ta hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe të ushtrohet drejtësia”, ka shkruar Stano.

Stano, viktimave u ka uruar shërim të shpejtë.

“Ne u dëshirojmë viktimave shërim të plotë e të shpejtë", ka shkruar tutje Stano.

Lajme të ngjashme