Prokuroria thotë se rasti në Shtërpcë ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale - NACIONALE

Prokuroria thotë se rasti në Shtërpcë ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka treguar detaje të reja për rastin në Shtërpcë, ku kanë mbetur të plagosur dy të rinj serbë.

Në një komunikatë për media, prokuroria ka bërë me dije se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty.

Pas kësaj mosmarrëveshje, sipas prokurorisë, i pandehur ka nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.”, është thënë në komunikatë.

Më pas, prokuroria përmend edhe veprën tjetër për të cilën dyshohet i pandehuri.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të nëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 06 Janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, komuna Shtërpcë, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës “Golf V”, në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës “Mossberg” shtënë pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së’”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme