Shifra shqetësuese të FMN-së: Kosova vendi më i varfër në Evropë
Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi të martën projeksionin më të dobët të rritjes globale afatmesme në më shumë se 30 vjet. Sipas organizatës me bazë në Uashington, DC, rritja globale do të jetë afërsisht 3 për qind në pesë vjet në një raport të Perspektivës Ekonomike Botërore të FMN-së që nga viti 1990. FMN klasifikoi Kosovën si vendin më të varfër në Evropë në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, të cilat llogariten duke matur fuqinë blerëse. Dy shtetet shqiptare pritet të mbesin të fundit për nga të ardhurat deri në fund të vitit 2028 sipas parashikimeve.
Sipas të dhënave të Perspektivës Ekonomike Botërore, të përpunuara nga Gazeta Nacionale, Kosova renditet si shteti më i varfër në Evropë për vitin 2023 në këtë tregues, me një Produkt të Brendshëm Bruto për frymë prej 15 mijë e 619 dollarë ndërkombëtarë. Shqipëria renditet pas Kosovës me 19 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Më mirë se shtetet shqiptare nqëndrojnë të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku Maqedonia e Veriut ka të ardhura për frymë prej 20 mijë e 110 dollarë ndërkombëtarë, Serbia me 25 mijë e 432 dollarë, Bosnja dhe Hercegovina me 19 mijë 600 dollarë dhe Mali i Zi me 27 mijë e 761 dollarë ndërkombëtare për frymë në vitin 2023.
Sa i përket parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, shifrat për rritjen e të ardhurave për kokë banori në Kosovë janë zhgënjyese, ku deri në vitin 2028 parashikohet një rritje prej vetëm 9 mijë e 900 dollarësh ndërkombëtarë për frymë.
Deri në vitin 2028, Mali i Zi pritet të vazhdojë të kryesojë si vendi me të ardhurat më të larta për frymë, duke lënë pas Kosovën me rreth 15 mijë dollarë.
Raporti tregon sfidat ekonomike që ka Kosova në vitin 2023 dhe në vitet e ardhshme, dhe nevojën për politika të qëndrueshme për të përmirësuar kushtet e ekonomisë dhe të përmirësuar nivelin e të ardhurave për frymë për qytetarët të cilët janë përballur me një koso jetese në rritje eksponenciale viteve të fundit.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022 Kosova është përballur me një inflacion që i ka tejkaluar nivelet disa dekadash me çmimet e produkteve esenciale që shënuan rritje pothuajse të pakontrolluar si pasojë e presioneve të mëdha inflacioniste të shkaktuara nga prishja e zinxhirëve të furnizimit të shkaktuara nga në masë të madhe nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Si një ekonomi e euroizuar me vlera importi stratosferike, Kosova ishte drejtpërdrejt e ekspozuar ndaj krizës globale.
Raporti i Bankës Botërore vitin e kaluar gjithashtu vlerësoi se pakot sociale të qeverisë ishin shumë të “varfra” dhe të pafuqishme për të zbutur krizën ekonomike me të cilën po përballet Kosova, me inflacionin që mbetet problemi kryesor.
FMN në raportin e Perspektivës Ekonomike Botërore, Prill 2023, vlerëson se ekonomia botërore po përballet me rrezikun në rritje të një ngadalësimi të dhimbshëm mes shqetësimeve për sistemin bankar global dhe shqetësimeve se rritja e normave të interesit mund t'i detyrojë bankat të kufizojnë kreditimin.
Parashikimi bazë mbetet që rritja të bjerë nga 3.4 përqind në 2022 në 2.8 për qind në 2023, përpara se të vendoset në 3.0 për qind në 2024.
Inflacioni total global, në anën tjetër sipas raportit të prillit, parashihet të ulët nga 8.7 për qind në 2022 në 7.0 për qind në 2023 për shkak të çmimeve më të ulëta të mallrave, por inflacioni bazë thuhet se “ka të ngjarë të bjerë më ngadalë”.

