Flasin për Nacionalen nga Zhitia Turist: Dy autobusët tanë u kthyen nga Merdarja, na u tha se është rruga e prishur
U raportua se serbët kanë filluar t’i bllokojnë hyrjen e kamionëve e autobusëve nga Kosova. Gazeta Nacionale ka kontaktuar Kompaninë e Autobusëve, Zhitia Turist, autobusët e së cilës u kthyen nga pika në Merdarë, për të vazhduar rrugën për te “Dheu i Bardhë”.
Gjithmonë sipas Kompanisë, dy autobusët e tyre vendosën të kthehen, sepse u është thënë se rruga është e prishur, e se duhet të prisnin 4 orë.
“Informacioni i saktë është se ne e kemi bë nisjen prej Prishtinës në ora 5, kanë qenë dy autobusa, kanë shku deri në Merdarë, tash janë kthy, janë duke kalu kah Dheu i Bardhë. Nuk ka diçka për tu shqetësuar për udhëtarët, ata janë mirë të gjithë. Vetëm se janë kthy nga Merdarja. Sepse na është thënë se është rruga e prisht, dhe se duhet të presim 4 orë. Ne kemi vendosë me u kthy kah Dheu i Bardhë, që mos me i humb 4 orë.”- kanë thënë nga Kompania.
Mediumi Telegrafi shkruan se disa qytetarë të përkatësisë serbe kanë bllokuar hyrjen e kamionëve nga Kosova që kalojnë në pikën kufitare në Jarinje.
Sipas raportimit të Telegrafit, disa vozitës serbë të kamionëve, rreth orës 19:00, kanë bllokuar rrugën magjistrale në pjesën e Serbisë, në shenjë proteste dhe të pakënaqësisë me zhvillimet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, Telegrafi shkruan se bllokuesit serbë nuk po lejojnë lëvizjen e kamionëve me targa të Kosovës në drejtim për në Serbi.
Gazeta Nacionale nuk ka arritur ende të konfirmojë këto raportime të Telegrafit. Nacionale ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare për këto raportime.