"Flasim sot në Këshill të Ministrave": Parisi i kërkon Kosovës e Serbisë uljen e tensioneve
Franca i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar qartë se këtë çështje, do ta diskutojnë edhe në takimin që po mbahet sot në Bruksel mes Këshillit të Ministrave të Jashtëm.
Përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Franca ka dënuar sulmet ndaj misionit të EULEX-it, “dhe të gjitha aktet e dhunës në terren”.
“Franca është shumë e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe dënon fuqishëm sulmin e papranueshëm ndaj misionit të EULEX-it në Kosovë si dhe të gjitha aktet e dhunës në terren. Franca u kërkon palëve të tregojnë përmbajtjen më të madhe dhe të tregojnë përgjegjësi për të ulur tensionet.” - thuhet në këtë komunikatë.
Mes tjerash, Parisi ka bërë thirrje që të dyja palët t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe të arrihet përparim drejt një marrëveshje finale.
“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin evropian, i cili duhet të bëjë të mundur përparimin drejt një marrëveshjeje globale dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe të ecim përpara në drejtim të perspektivës evropiane të dy vendeve. Po ashtu, u kërkon të dyja palëve të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE.” – theksohet mes tjerash.
Në fund, Franca konfirmon se kjo do të jetë një prej çështjeve që do ta diskutojnë në takimin mes Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme do ta diskutojë këtë temë me homologët e saj evropianë gjatë Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian që po mbahet sot në Bruksel.” – u tha në përfundim të komunikatës.
Reagimi i ShBA-së
Pasditen e së dielën, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, dhe ajo në Serbi, dolën me një reagim ku goditën strukturat ilegale në veri të vendit.
"Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare gjatë zbatimit të ligjit dhe aktiviteteve për organizim të zgjedhjeve dhe se ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime e frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale", thuhet ndër të tjerash në komunikatë.
Gjithashtu, ambasadat kanë kërkuar që barrikadat të hiqen menjëherë, ndonëse situatë e njëjtë vazhdoi edhe sot.
“Ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.
Vuçiqi shkon edhe më tutje – Kërkon vendosjen e trupave serbe në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se të enjten, Qeveria e drejtuar nga Ana Bërnabiq do të marrë vendim që t’i dërgojë misionit të KFOR-it një kërkesë që ta mundësojë prezencën e strupave serbe në veri.
Radiotelevizioni serb"RTS", raporton se Vuçiq i ka bërë këto deklarata pas një takimi që pati me Srdan Petroviq, pronarin e një punishte vere nga Hoça e Madhe.
“Qeveria ka seancë të enjten, dhe si po qëndrojnë gjërat, Qeveria do të marrë një vendim për t’i nisur letrën komandantit të KFOR-it.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, mediumi serb “Novosti” publikoi një kërkesë për të cilën po pretendoi se është ajo që Serbia do t’ia dërgojë komandës së KFOR-it, për të mundësuar vendosjen e ushtarëve dhe policëve serbë në veri të Kosovës.
Sipas kësaj kërkese, për të cilën nuk është e sigurt nëse është zyrtare, Serbia po kërkon që trupat të vendosen në veri pasi është “e nevojshme të sigurohet mbijetesa e serbëve dhe komuniteteve të tjera”.
Në kërkesën e Serbisë, mes tjerash thuhet se “komandanti i KFOR-it nuk ka kompetencë diskrecionale për të vendosur nëse do ta lejojë këtë apo jo, por është i detyruar të lehtësojë ardhjen e forcave serbe në veriun e Kosovës”.


