Borell nuk fajëson qartë Serbinë për tensionet në veri: Të dy palët treguan gatishmëri për de-eskalim - NACIONALE

Borell nuk fajëson qartë Serbinë për tensionet në veri: Të dy palët treguan gatishmëri për de-eskalim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për situatën në veri të Kosovës, ka folur edhe një herë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai i shpreh i shqetësuar me situatën e krijuar në veri të Kosovës, ku barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugët përkundër që Kosova ka shtyrë për në prill zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian ka thënë se menduan se gjërat u qetësuan pas marrëveshjes për targat, mirëpo serbët e Kosovës pas arrestimit të ish-policit serb u përgjigjën me probleme dhe me bllokim të rrugëve dhe se kjo sipas tij ishte e papranueshme

Më tej, z. Borrell ka shtuar se bisedoi edhe me kryeministrin tonë Albin Kurti por edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në telefon.

Unë e di se dy palët janë të gatshme për de-eskalim dhe fuqishëm i thërras të dyja që ta bëjnë. Në këtë rast kam qenë në lidhje me kryeministrin Albin Kurti, Miroslav Lajcak ka qenë në kontakt me presidentin Aleksandër Vuçiç në Serbi.” - ka thënë Borrell.

Borrell kishte qenë shumë i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes së 23 nëntorit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo kishte evituar tensionet bazuar në çështjen e targave ilegale.

Paraprakisht, më 21 nëntor kryediplomati evropian kishte treguar se kryeministri i Kosovës e kishte refuzuar një propozim të bërë prej tij. Ai nuk kishte hezituar që edhe ta rëndonte politikisht shtetin e Kosovës, duke u shprehur edhe se do t'i informonte partnerët dhe shtetet anëtare për atë që kishte ndodhur.

Sidoqoftë, gjatë ditës së djeshme Kosova ka marrë mesazhe më pozitive diplomatike. Filluar me ministren e Jashtme të Gjermanisë që fajësoi konkretisht Serbinë për tensionet aktuale në veri të Kosovës.

Për fat të keq, Borrell as kësaj here nuk kishte gatishmërinë e shtetit më të fuqishëm në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme në Serbi qarkulluan shumë lajme që më pas rezultuan të pavërteta. Ata kishin deklaruar se kryeminsitri i Kosovës Albin Kurti do të dërgonte njësitë speciale të Policisë së Kosovës që t'i hiqte me dhunë barrikadat që po bllokonin rrugët në veri të Kosovës. Por, kjo nuk ndodhi e as që ishte paralajmëruar të ndodhte.

Në konferencën për medie pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, z. Kurti kishte thënë se po e prisnin KFOR-in që të hiqte ato barrikada.

Lajme të ngjashme