Flamuri i Kosovës të bëhet me tetë yje: U kontrabanduan tri komunitete në një yll - NACIONALE

Flamuri i Kosovës të bëhet me tetë yje: U kontrabanduan tri komunitete në një yll

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Racizmi në Kosovë s’është fenomen që shprehet vetëm një herë në vit gjatë Festës së Abetares. Minoritetet etnike përveç që trajtohen çnjerëzisht në shkolla e media, përjetojnë racizëm edhe në flamurin me gjashtë yje [që duhej t’i kishte tetë].

Tri komunitetet, romët, ashkalitë dhe egjiptianët, shpesh identifikohen me akronimin “RAE”, ndërkohë që nuk ekziston asnjë arsye të bëhet një gjë e tillë përveç ekonomizimit të gjuhës dhe fjalëve siç ndodh me rastin e akronimeve.

Përfaqësues të këtyre komuniteteve e konsiderojnë veten të ofenduar nëse dikush i fut të trija komunitetet në një thes. Ama këtë gjë e bëri Kosova kur shpiku flamurin shtetëror.

Deputeti egjiptian, Fridon Lala, ka thënë për Nacionalen se ky akronim nuk duhet të përdoret.

“Nuk është akronim zyrtar, është zhargon i mediave që duhet të ndryshojë. Ky (RAE) s’është term ligjor. Ka mbetur në zhargonin mediatik. Por, s’është vetëm mediatik, ka edhe institucione që lëshojnë deklarata. Këto janë komunitete të njohura me kushtetutë”, thotë Lala.

Por, komunitetet në Kosovë margjinalizohen edhe në simbole të shtetit. Pesë komunitete në Kosovë i kanë yjet e tyre simbolike në flamurin e Kosovës, ndërkohë që një yll i vetëm është ndarë për të trija komunitetet e lartpërmendura.

Lala vetë e pohoi se komuniteti i tij e ka një yll të përbashkët me komunitetin ashkali.

Në flamur është një yll i përbashkët...”, thotë Lala.

E kur u pyet se a ka ndonjë nismë që kjo çështje të përmirësohet, Lala tha se këto komunitete përballen me probleme ekzistenciale, e se ylli në flamur s’është prioritet. Edhe ka të drejtë, simbolika nuk sjell ushqim në tryezë.

Po, kemi probleme tjera, duke u nisur nga ato më baziket - ekzistenca për jetë”, thotë Lala.

Nacionale ka kontaktuar edhe me deputetin e komunitetit rom, Erxhan Galushin, për të biseduar rreth këtij diskriminimi me të cilin ballafaqohet komuniteti i tij.

Përkundër premtimit se do të përgjigjet, Galushi ka zgjedhur të heshtë.

Cilat komunitete përfaqësohen simbolikisht në flamurin e Kosovës multietnike?

Nacionale ka kontaktuar autorin e flamurit të Kosovës, Muhamer Ibrahimin, për ta pyetur se a është e vërtetë se ka yll në flamur që përfaqëson më shumë se një komunitet. Dhe pikërisht, Ibrahimi përgjigjet ashtu siç s’duhet.

Po, RAE. Siç ka qenë atëherë komuniteti rom, ashkali, egjiptian. I kanë përfshi në një minoritet”, thotë Ibrahimi.

E për detaje shtesë, Ibrahimi thotë të shikohet sqarimi në Wikipedia.

Yjet i përfaqësojnë minoritetet, përshkrimin e ke edhe në Wikipedia”, shton Ibrahimi.

E nëse konsultohemi me Wikipedia-n lidhur me këtë çështje, del se komuniteti RAE me të vërtetë përfaqësohet në mënyrë raciste me vetëm një yll, për dallim nga komunitetet tjera.

Komunitetet e privilegjuara në flamur janë: shqiptarët, serbët, turqit, goranët dhe boshnjakët.

Por, pse duhet që këto tri komunitete të përfaqësohen në një yll në flamur, ndërkohë që boshjnakët dhe goranët (të themi), kanë yjet e tyre? A mos ka të bëjë me përqindjen e banorëve brenda Kosovës? Jo.

Në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë rreth 11 mijë e 500 egjiptianë. Ndërsa OSBE më 2010 pretendonte se jetojnë 34 mijë romë dhe 15 mijë ashkali.

Ndërkohë që në Kosovën multietnike jetojnë rreth 10 mijë e 200 goranë – me yllin e tyre në flamur.

Nuk ka shpjegim logjik. Këto tri komunitete përfaqësohen me një yll në flamur, sepse Kosova vendosi ta shfaqë racizmin e vet edhe në simbole shtetërore.

Lajme të ngjashme