Fjalët e Demaçit nga burgu për gazetën italiane: Jam i kënaqur që gjendem këtu - NACIONALE

Fjalët e Demaçit nga burgu për gazetën italiane: Jam i kënaqur që gjendem këtu

4 vjet më parë

nga NACIONALE

2 mars 1990

Adem Demaçi ishte mbajtur për 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë, një pjesë të së cilës e kaloi edhe në Stara Gradishka të Kroacisë. Pak javë para se të lirohej, ai kishte dhënë një intervistë për të përditshmen italiane Corriere Della Sera.

Në Kosovë e kishin pritur më shumë se qindra-mijëra veta paraprakisht, duke menduar se po lirohej, por ky kishte qenë vetëm një lajm i rremë nga – dyshohet - strukturat autoritare jugosllave të atëhershme.

Drejtori i burgut të Strada Gradishkës do të deklaronte për reporterin e të përditshmes italiane kësisoj në raport me Adem Demaçin: "Jo, nuk kemi asnjë vërejtje për sjelljen e tij brenda burgut. Mirëpo, zakonisht i reduktojmë dënimet me kërkesë të pandehurve dhe Demaçi një gjë të tillë nuk e ka bërë kurrë".

Me akuzën për aktivitet politik revolucionar kundër popullit dhe integritetit territorial të konfederatës jugosllave, Demaçi vazhdonte të mbahej brenda katër mureve të dhomës së qelisë.

"Unë (e thoshte me krenari) nuk ankohem dhe nuk kërkoj asgjë. Kjo është një zgjedhje e imja personale. Jam i kënaqur që gjendem këtu, sepse jap një kontribut për lirinë e popullit tim.

"Mirëpo, situata në vend (Kosovë) është absurde. Së fundmi po formohen edhe disa parti politike, ndërsa ne jemi akoma këtu në burg, vetëm pse kemi menduar ndryshe nga regjimi", thoshte Demaçi.

INTERVISTA:

Corriere Della Sera:


Si është e mundur që para disa ditësh u dha lajmi i rremë për lirimin tuaj?


Adem Demaçi:

Ndoshta në një moment të caktuar njerëzit fillojnë t'i ngatërrojnë dëshirat dhe realitetin, shpresat dhe gjasat e vërteta. Por, nuk e përjashtoj që ka qenë një shpikje e shërbimeve sekrete serbe. Ndoshta gjithë kjo për ta parë se çfarë reagimi do të provokonte te shqiptarët rikthimi im në liri.

Corriere Della Sera:

Për juve thonë që jeni nacionalist shqiptar i orientimit stalinist?


Adem Demaçi:


Nuk kam qenë asnjëherë. I njoh shumë mirë të keqijat që i ka shkaktuar regjimi i Stalinit, i cili në vend se t'i përmirësonte gabimet që u vurën në spikamë në fillim të revolucionit të Leninit - zgjeroi pushtetin e klasës së privilegjuar të burokracisë.
Tani jemi dëshmitarë të shëmbjes së kësaj perandorie. Unë jam dialektik në kuptimin hegelian, e jo përkrahës i materializmit dialektik, i cili e ka vendosur në plan të dytë segmentin shpirtëror.

Corriere Della Sera:


Si e shihni situatën në Kosovë?


Adem Demaçi:

Mendoj që po ngjan diçka vërtet e madhe. Kemi të bëjmë me një popull si ai shqiptar, i cili ani pse i shtypur, i fyer dhe i keqtrajtuar - ka dijtur të heq dorë nga gjakmarrja brenda tij për hir të lirisë së vendit. Një liri e cila formalisht do të përkufizohet me njohjen e statusit të Republikës së Kosovës. Jam i bindur që ky popull do të dalë fitimtar, ashtu siç jam i bindur që do të triumfojnë edhe proceset demokratike në Jugosllavi, ashtu edhe te populli serb, me të cilin bashkëjetojmë, e që do të di se si të lirohet nga regjimi i Millosheviçit.
Ky është një regjim që dëshiron ta reduktojë Kosovën në Afrikë të Jugut: serbët dhe malazezët do të ishin raca me ngjyrë të bardhë, kurse shqiptarët ata me ngjyrë.
Ky është një regjim përbindësh ndaj bijëve të tij, njësoj sikurse në rastin e Azem Vllasit.

Ky i fundit ka qenë gjithmonë një shërbëtor i regjimit, duke çuar në burg dhjetëra e dhjetëra të rinj shqiptarë.

Corriere Della Sera:

Si mendoni që do të ndiheni kur të riktheheni në liri? A do të mund të përfshiheni në mesin e intelektualëve të rinj shqiptarë që kanë dalur në sipërfaqe gjatë kohës që ju qëndronit në burg?

Adem Demaçi:

Unë jam si qiriri: mundohem të rrezatoj dritë, në mënyrë që njerëzit të shohin më mirë, të njihen më mirë dhe të duhen më shumë. Jap gjithçka nga vetja dhe nuk kërkoj asgjë në këmbim. Pra, besoj që të jetuarit me mua nuk është e vështirë", përfundonte Adem Demaçi.

Lajme të ngjashme