Fitore pas fitoreje për bizneset në gjykata, rrëzohen një nga një vendimet e deputetëve-"ministra"
Në muajt e fundit, bizneset e Kosovës u detyruan t’i kundërvihen një serie vendimesh me pasoja potencialisht katastrofike. Vendimet, si ai i ZRrE-së [lexo: Qeverisë pa afat] për “tregun e lirë” dhe ai i deputetit‐ministër Hekuran Murati për ndryshimin e befasishëm të sistemit të fiskalizimit, vunë në alarm biznese e fabrika, duke rrezikuar ndalimin e plotë të aktivitetit të tyre, mbetjen pa punë të qindra punëtorëve dhe humbjeve serioze financiare.
Frika e bazuar e bizneseve nisi kur Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) lëshoi një “Njoftim” për më shumë se 1 300 prodhues vendorë, duke i detyruar të dalin në një të ashtuquajtur “treg të lirë” energjie, që në realitet ishte veç një monopol me çmime deri në tre-katër fish më të larta.
Për bizneset, kjo nënkuptonte rrezik serioz për mbyllje apo humbje masive financiare. Bizneset prodhuese kërkuan shtyrjen për një vit të këtij vendimi të ZRrE-së, duke argumentuar se një vendim i tillë po ua rrezikonte vazhdimin e prodhimit.
Tash, kur çmimet e prodhimit shkojnë shumë lart, na duhet ta mbyllim këtë repart (prodhimi)”, i thanë Nacionales nga kompania që i kishte njoftuar 70 punëtorë të mos dalin në punë.
Situata gjithashtu rrezikonte të shkaktonte pasoja serioze zinxhirore, me ekonomistët që paralajmëronin për një rritje eksponenciale të inflacionit, nëse bizneset do të detyroheshin të paguanin tarifa deri në trefish më të larta për sigurimin e energjisë elektrike.
Vendimi u sfidua në Gjykatën Komerciale të Prishtinës. Më 15 korrik 2025, gjykata miratoi masën e sigurisë duke pezulluar ekzekutimin e “Njoftimit” të datës 03.06.2025, deri në shqyrtimin përfundimtar:
• “Aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit L.L.C për caktimin e masës së sigurisë…
• Pezullohet ekzekutimi i Njoftimit … për moslejimin e paditësit të shfrytëzojë furnizimin nga shërbimi universal…”
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) vlerësoi se vendimi i Komerciales është hap i domosdoshëm për mbijetesën e bizneseve dhe i kërkoi ZRrE-së që të ndërprejë menjëherë çdo veprim drejt tregut të lirë, duke ofruar bashkëpunim për një plan tranzicioni të drejtë dhe të zbatueshëm. “Ne nuk jemi kundër tregut të lirë,” tha kryetari i OEK, “por kërkojmë një proces me transparencë, stabilitet e afate të qarta, për të mos lënë bizneset në pasiguri.”
Pak javë më pas, bizneset morën një tjetër lajm pozitiv nga Gjykata Supreme e Kosovës. Me aktgjykimin e datës 18 korrik 2025, Supremja shpalli të paligjshëm dhe antikushtetues Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, i cili ndalonte kompanitë Enternet Sh.p.k. dhe Konsorciumin Service Global të vazhdonin shfrytëzimin e licencave të tyre për furnizim dhe mirëmbajtje të arkave fiskale deri në vitin 2028.
Paditësit argumentuan se udhëzimi ishte lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, duke shkelur parimet e barazisë, transparencës dhe pritshmërisë legjitime. Sipas padisë, investimet e tyre—blerja e mbi 4,000 arkave fiskale dhe kontratat me klientët—ishin vënë në rrezik për shkak të ndryshimeve të papritura në sistem.
“APROVOHET e themeltë kërkesëpadia e paditësve: Enternet Shpk […], me seli në Rrafshi i Kosovës, nr.80, Prishtinë, dhe Konsorciumi Service Global, […], e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me seli në Prishtinë. II. SHPALLET I PALIGJSHËM DHE SHFUQIZOHET Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, i publikuar në Gazetën Zyrtare më datë 16.04.2025. III. REFUZOHET kërkesa për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit, me të cilën paditësit kanë kërkuar ndalimin e prodhimit të pasojave juridike të Udhëzimit Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, i publikuar në Gazetën Zyrtare më datë 16.04.2025, deri në vendosjen meritore sipas kërkesëpadisë.” – thuhej në aktgjykimin e Supremes.
Ky vendim i dha fund edhe çështjes së paligjshmërisë dhe antikushtetueshmërisë ndaj deputetit Albin Kurti dhe dhjetë deputetëve të tjerë "ministra", të cilët vazhdojnë të mbajnë dy poste njëkohësisht, në kundërshtim me ligjin.
“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja. Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.” – thuhet në vendimin e Supremes.
Pas vendimit, Murati kishte deklaruar se “monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon”.
Në këtë pjesë, Murati iu tha fakteve: aq më keq për juve.
Kjo për shkak se, që nga fillimi i fiskalizimit në Republikën e Kosovës kanë operuar rreth tetë operatorë ekonomik, gjë që tregon që ky treg s’ka fare monopol, por është treg i lirë ku operojnë disa biznese.
Rrjedhimisht, bizneset edhe sot në Kosovë mund të zgjedhin tek cili operator ekonomik dëshirojnë të pajisen me arkë fiskale, pasi që në këtë treg operojnë disa operatorë ekonomik.
Sipas asaj që Gazeta Nacionale ka kuptuar, në vitin 2024 janë licencuar edhe dy operatorë të rinjë ekonomik për pajisje të arkave fiskale, por që deri më tani nuk janë futur në treg pasi që digjitalizimi i arkave fiskale ishte paralajmëruar nga Hekuran Murati qysh në vitin 2024.