Fabrikat në alarm, punëtorë në hall ‘çka nesër?’: ZRrE-ja e dhunon ligjin që dikur e lexonte qysh duhet për prodhuesit
- Fabrika me prodhim të ndalur. Punëtorë të njoftuar të mos dalin në vend të punës deri në një njoftim tjetër: të mbetur në hamendje dhe hall se çfarë ndodh me vendin e tyre të punës. Prodhues vendor të gjuajtur në pamëshirën e të ashtuquajturit treg të lirë të energjisë elektrike me çmime trefish që i çon në dy drejtime: shkëputje të vendeve të punës ose falimentim. Një ZRrE që bën sehir nga vendimi i saj që ka shkundur në themel vijueshmërinë e prodhimtarisë vendore, por të mbështetur nga qeveria në detyrë e Albin Kurtit me një dritë kategorikisht të gjelbërt. Për më tepër duke u justifikuar edhe në standarde të BE-së për liberalizim të tregut, hiç më larg se dje vetë BE-ja u shpreh se liberalizimi i tregut të bëhet ‘gradualisht’ dhe jo për fa(k)t të kryer thjesht-ashtu.
ZRrE nuk ka as vendim për daljen në të ashtuquajturit treg të lirë të energjisë elektrike, por thjesht një njoftim publik para tre muajsh dhe një lexim kontra-vetes të Ligjit për Energjinë Elektrike që kishte bërë më 2021. Ligji stipulon që për të dalë nga ‘shërbimi universal’ në ‘treg të lirë’ një kompani duhet të përmbush dy kushte: të ketë mbi 50 punonjës dhe mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Kështu e interpretonte edhe vetë ZRrE-ja, por jo edhe sot. Sot, ka futur 1 mijë kompani më shumë që përmbushin thjesht-njërën.
Kjo evidentohet nga një vendim i tyre pas pyetjes së një kompanie në vitin 2021, e cila punësonte 120 punëtorë por kishte qarkullim nën 10 milionë euro: “Ju i plotësoni kushtet”, i përgjigjet ZRrE-ja kompanisë, “për të qëndruar në shërbim universal”. Ky konstatim-vendim i ZRrE-së ishte dërguar nga Gani Buçaj anëtar i bordit vendimarrës edhe sot. I njëjti ligj, dy interepretime – që pritet të çojë në mijëra padi në gjykata për ndryshim të interpretimit të ligjit.
Qe qysh...
“ZRrE ka analizuar dokumentet e juaja të dërguara nga ATK lidhur me qarkullimin vjetor dhe numrin e punonjësve dhe ju informon se bazuar në këto të dhëna dhe dispozitat ligjore të Ligjit për Energjinë, ju i plotësoni kriteret e furnizimit të shërbimit universal. Andaj ju mund të vazhdoni të furnizoheni përmes Furnizuesit të shërbimit universal, me çmime të rregulluara”, përgjigjet ZRrE-ja.
ZRrE i qëndronte interpretimit logjik të ligjit: që të drejtën e shërbimit universal e kanë të gjitha kompanitë që kanë ose nën 50 punëtorë ose nën 10 milion qarkullim: që do të thotë se për të qëndruar në shërbim universal kërkohet ligjërisht përmbushja e njërit kusht. Sipas ligjit – të lexuar edhe siç e lexonte ZRrE-ja – s’do të ishin më shumë se 300 kompani që plotësojnë të dyja kriteret për të dalë në treg të lirë, ndërsa ata kanë futur brenda këtij interpretimi 1 mijë e 300 kompani.


- Këto 1 mijë e 300 kompani, punësojnë 137 mijë persona në sektorin privat dhe përbëjnë rreth 50% të të gjithë të punësuarve në sektorin privat. Për më tepër, janë këto kompani që gjenerojnë gati se gjysmën e buxhetit të shtetit, përmes tatimeve dhe doganës dhe TVSh-së marrë së bashku.
Bizneset prodhuese kanë kërkuar shtyrjen për një vit të këtij vendimi të ZRrE-së për të ashtuquajturin “treg të lirë” që veç i lirë nuk është por rezulton në monopol të pastër me vetëm një ofertues, KESCO-n: me çmime deri në trefish nga ç’i kanë pasur deri sot. Deri në 265 euro megavat/orën po ua oferton KESCO-ja, duke tejkaluar edhe çmimet e energjisë elektrike të vendeve më të zhvilluara ekonomikisht se Franca e Holanda. Edhe BE-ja, ku thirret ZRrE-ja, ka kërkuar që liberalizimi i tregut të energjisë elektrke të bëhet “gradualisht” dhe jo thjesht-ashtu.
Prodhuesit vendor në alarm
- 70 punëtorë janë njoftuar të mos dalin në punë në një fabrikë tekstili në Ferizaj: deri në një njoftim tjetër.
Nacionale ka biseduar me kompaninë në fjalë, por se nuk kanë dashur ende të bëhet publike ermri i tyre pasi janë pritje “edhe 10 deri në 16 ditë” duke i shqyrtuar ligjërisht “disa çështje”. Por, nga 140 punëtor sa punësojnë, na thanë se do të detyrohet ta mbyllin të githë repartin e prodhimit “deri në 90 punëtorë” si pasojë e çmimeve të energjisë elektrike në të ashtuquajturin treg “të lirë” ku çmimet e energjisë po u ofertohen deri në trefish.
“Tash, kur çmimet e prodhimit shkojnë shumë lart, na duhet ta mbyllim këtë repart (prodhimi)”, na thanë nga kompania që ka njoftuar 70 punëtorë të mos dalin në punë, me të cilin ka biseduar Nacionale.
- Nacionale: Në tërësi, sa persona punësoni – dhe sa nga vendet e punës mund t’i shkëputni?
- Kompania: 140 punëtorë. Mendoj se 80 deri në 90 vende të punës duhet t’i shkëpusim – por, duhet t’i bëjmë përllogaritjet, me këtë edhe po merremi
- Nacionale: Pra, më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore?
- Kompania: Po, më shumë se gjysmën.
Me ç’kupton Nacionale, vetë pronari i kësaj fabrike i kishte thënë drejtpërsëdrejti deputetit që ushtron edhe postin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në një takim të mbajtur kohëve të fundit me bizneset se kështu edhe do të ndodh nëse me 1 qershor nis zbatimi i këtij vendimi. Për më tepër, i njëjti i ka thënë Kurtit se planifikonte të zgjeronte ndërmarrësinë e vet deri në 2 mijë punëtorë, por asgjë.
Nacionale kupton po ashtu se fabrika të tjera veçse kanë ndalur punën e maçinerive prodhuese dhe janë buzë marrjes së vendimit për mbyllje ose reduktim të stafit punues.