“Fitore të momentit; koordinim”: Pse fjalët e Osmanit nga Amerika mund të lexohen si kritikë ndaj Kurtit?
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka qëndruar gjatë kësaj jave në “tokën e premtuar”. Në ShBA, Komandantja Supreme e FSK-së ka dhënë dy intervista për “Zërin e Amerikës” dhe “RTV Dukagjini”, ku ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe marrëdhënien e trazuar mes Kosovës dhe shtetit amerikan.
Për më shumë, në këto intervista Osmani ka përdorur disa terme e argumente interesante, që lehtësisht mund të lexohen si kritikë ndaj kryeministrit Albin Kurti. Pse?
Një këshillë paraprake e nevojshme: deklaratat e Osmanit duhet lexuar në kontekstin e marrëdhënieve të “acaruara” të Kurtit me ndërkombëtarët e tjerë. Po ashtu, mos i harroni raportet disi të ftohura të Osmanit me Kurtin, të cilat raporte, në mënyrë eufemiste, u mbuluan me termin “dallime”.
Mesazhi numër një: Ftesa si bashkëpunim me amerikanët
Shefja e shtetit, pra Osmani, foli për ftesën që e mori nga ShBA-ja për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s. Në interpretimin e Osmanit, ftesa për në Amerikë, të cilin e vend e falënderoi për ndihmën ndaj Kosovës, lidhet me bashkëpunimin me ndërkombëtarët.
“Është e mundur kur punon afër me aleatin strategjik, SHBA-të, dhe presidenca e Kosovës e ka bërë këtë, duke e kuptuar që sukseset e Kosovës janë shumë afër të ndërlidhura me bashkëpunimin me ShBA-të. Asnjë sukses për këto vite, nuk ka ekzistuar pa një angazhim substancial të ShBA-së. Janë aleati ynë kryesor strategjik, dhe i sigurisë. Kur punon shumë afër me ShBA-të, të shohin si partner të rëndësishëm, që Kosova mund të jap kontribut, jo vetëm që e ftojnë Presidenten si përfaqësuese, por edhe i jepin jehonë Kosovës, para të gjitha shteteve. Siç ishte rasti kur sekretari Blinken veçoi pjesëmarrjen e Kosovës, duke treguar për rolin e udhëheqjes që po e bëjmë ne, sidomos presidenca e Kosovës, dhe pastaj në aktivitetin përmbyllës duke na përfshirë” – tha dje Osmani në “RTV Dukagjini”.
Mesazhi numër dy: JO fitoreve të momentit
Presidentja Osmani foli edhe për nevojën që të mendohet interesi afatgjatë i Kosovës. Madje, një fjali duhet vënë në spikamë, pasi lehtësisht mund të lexohet si një këshillë publike për Kurtin.
Osmani sugjeroi që marrëdhëniet me zyrtarët amerikanë nuk duhet ngërthyer me “fitoret e momentit”, një togfjalësh interesant që duket se është thumbim për kryeministrin Kurti.
“Tani unë nuk dua të sillem këtu kinse se po i injoroj problemet. Natyrisht ka patur dallime natyrisht në qasje, jo në qëllim, por në qasje në raste të caktuara, mes zyrtarëve amerikanë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës. Megjithatë si presidente e Republikës vazhdimisht bëj thirrje për shkak të interesit të Kosovës, dhe për këtë shkak duhet të shohim shumë më aftagjatë, dhe jo vetëm për ndonjë fitore të momentit që tema që kanë bëjnë me sigurinë në Kosovë dhe në rajon, meqenëse të gjitha varen edhe nga partnerët tanë të sigurisë, dhe për shkak të kontributit të tyre dhe për shkak se janë pjesë e këtyre aleancave të vlerave, ne duhet t’i dakordojmë, t’i koordinojmë, t’i flasim paraprakisht me partnerët tanë. Sepse besimi i ndërsjellë është elementi më i rëndësishëm, në çdo raport edhe në politikën e brendshme, por edhe ndërkombëtarisht” – tha Osmani para disa ditësh në “Zërin e Amerikës”.
Mesazhi numër tre: S’duhet befasuar partnerët ndërkombëtarë
Përveç nevojës për bashkëpunim me ndërkombëtarët, Osmani përmendi një fakt tjetër: mungesën e befasisë. Pra Osmani theksoi se ndërkombëtarët nuk duhet befasuar, pasi “veprimet që bëhen si befasi” nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës.
“Unë jam e bindur që veprimet që bëhen si befasi, në raport ndaj partnerëve, pavarësisht qëllimit legjitim dhe përputhjes me kushtetuën, në aspektin aftgjatë nuk mund t’i ndihmojnë Kosovës, përkundrazi vetëm në qoftë se ato koordinohen me partnerët sidomos me aleatët tanë në SHBA” – ka theksuar ajo.
Sjellim ndër mend që Nacionale kishte shkruar muaj më parë në lidhje me befasitë që Qeveria Kurti ua kishte bërë amerikanëve dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë.