Osmani duket se thumbon Kurtin: Kur bashkëpunon me ShBA-të, të ftojnë – presidenca e ka bërë këtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron këto ditë në Uashington, ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s. Në një intervistë për “Dukagjini” ajo ka folur në lidhje me takimet që ka pasur atje.
Njëra prej pyetjeve që iu bë asaj, ishte se si mori ftesën, duke marrë parasysh që Kosova nuk është anëtare. Këtu, ajo u përgjigj se “kjo është e mundur kur punon afër me aleat strategjik”.
Sipas saj, për shkak të “bashkëpunimit të presidencës”, ajo u ftua nga ShBA-të.
“Është e mundur kur punon afër me aleatin strategjik, SHBA-të, dhe presidenca e Kosovës e ka bërë këtë, duke e kuptuar që sukseset e Kosovës janë shumë afër të ndërlidhura me bashkëpunimin me ShBA-të. Asnjë sukses për këto vite, nuk ka ekzistuar pa një angazhim substancial të ShBA-së. Janë aleati ynë kryesor strategjik, dhe i sigurisë. Kur punon shumë afër me ShBA-të, të shohin si partner të rëndësishëm, që Kosova mund të jap kontribut, jo vetëm që e ftojnë Presidenten si përfaqësuese, por edhe i jepin jehonë Kosovës, para të gjitha shteteve.
Siç ishte rasti kur sekretari Blinken veçoi pjesëmarrjen e Kosovës, duke treguar për rolin e udhëheqjes që po e bëjmë ne, sidomos presidenca e Kosovës, dhe pastaj në aktivitetin përmbyllës duke na përfshirë”. - tha Osmani, përcjell Nacionale.
Sipas presidentes Osmani, në takimet që ajo ka pasur atje mori përkrahje nga presidenti amerikan, Joe Biden e sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Tutje, kryetarja e shtetit dha detaje edhe për takimin që ka pasur me presidentin francez, Emmanul Macron. Ajo bëri me dije se një prej temave të diskutimit ishte edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Kemi pasur një diskutim shumë të mirë, për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës, dhe çështjet që kanë të bëjnë e me KiE-në ku kisha mundësinë në detaje të diskutoj për rëndësinë që ka kjo organizatë për qytetarët tanë.” – u shpreh ajo.
Osmani parlajmëroi takime të tjera, pasi njoftoi se do të marrë pjesë edhe në një samit tjetër:
“Kemi diskutuar për reformat e brendshme në sundimin e ligjit, ekonomi, fusha të tjera. Kishte interesim të dëgjojë për këto gjëra, do të kemi një takim të radhës pas disa ditësh në kuadër të samitit EPC ku jam e ftuar ta përfaqësoj Kosovën”.
Vlen të theksohet se kohëve të fundit, është përfolur për një përplasje të mundshme mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Kjo e para madje, i kishte bërë publike pakënaqësitë e saj kur Qeveria e Kosovës u zotua përmes një letre se do ta hartojë draftin e Asociacionit, dhe se të njëjtin do ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.