Feminizmi pas 8 marsit, përpjekja e vazhdueshme kundër pabarazisë gjinore në Kosovë - NACIONALE

Feminizmi pas 8 marsit, përpjekja e vazhdueshme kundër pabarazisë gjinore në Kosovë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Për çdo 8 mars, organizatat e ndryshme të shoqërisë civile e aktivistë feministë protesojnë e marshojnë për avokuar për barazi gjinore. E kthyer në traditë viteve të fundit, marshimi që në thelb ka protestën kundër gjendjes aktuale jo të mirë të grave në shoqëri, mbulohet gjerësisht nga mediet.

Shkruajnë: Arta Avdiu & Mirlind Behluli

Por, pas këtij aksioni simbolik në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, disi krijohet përshtypja se mungojnë organizime që flasin për pabarazitë mes dy gjinive. Megjithatë, përtej marshimit për 8 mars të organizuar nga Kolektivi Marshojmë S’festojmë, protestohet edhe kundër feminicidit në Kosovë, ku nuk mungojnë vrasjet e grave.

Ndonëse jo fortë i mbuluar nga mediet, ekziston një lëvizje feministe që për çdo ditë lufton për përmirësimin e situatës së gruas në shoqëri dhe ç’rrënjosjen e sterotipeve të motivuara mbi baza gjinore.

Agjenda feministe pas 8 marsit

Adelina Tërshani, aktivistja e njohur feministe, thotë se puna që bëhet për kauzën e barazisë gjinore pas 8 marsit është e madhe.

“Arsyeja pse duket sikur gjithçka mbaron me marshin e 8 Marsit, është sepse puna që bëhet gjatë tërë vitit është punë e shpërndarë dhe bëhet në struktura të ndryshme organizative të cilat punojnë që agjenda feministe dhe rrjedhimisht edhe jeta e grave dhe vajzave në Kosovë të përmirësohet”, tha Tërshani për Gazetën Nacionale.

Njëjtë mendon edhe Rreze Abdullahu, një tjetër aktiviste e agjendës feministe në Kosovë, e cila ka një kritikë rreth mënyrës se si gratë e burrat feministë veprojnë pas 8 marsit.

Ajo thotë se përpjekjet janë selektive dhe të orientuara drejt shtresave që arrihen më së lehti duke theksuar se ato drejtohen kah shtresa e lartë, e cila ka një status të mirë shoqëror.

Duke parë patriarkalitetin e shoqërisë, shton Abdullahu, feminizmi duhet të shtrihet përtej urbanes duke synuar gjithëpërfshirjen e grave nëpër ‘provinca’.

“Në anën tjeter, shoqëria funksionon mbi themele të forta patriarkale dhe eshte në fazën ku feminizmi konsiderohet i panevojshëm dhe luftë ndaj burrave, në shume raste, konsiderohet edhe luftë po ndaj vetë rolit tradicional të grav, të cilin rol shoqeria patriarkale nuk ka interes që ta zhbejë apo të beje perpjekje per ta çuar perpara, vecanerisht neper vende dhe qytete me te vogla”, tha Abdullahu.

Aktivizmi feminist në Kosovë, pashmangshëm, ka edhe një dimension informimi e emancipimi.

Greta Avdyli, hulumtuese në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion, deklaron se aktivizmi feminist në Kosovë është rritur dukshëm duke treguar qasjen informuese mbi feminizmin pas 8 marsit.

“Ne si organizatë QIKA, përmes platformës tonë mediale online publikojmë artikuj informues mbi çështjet gjinore si dhe tekste kritike feministe për të rritur ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve. Organizata jonë është e hapur ndaj perspektivave të reja dhe mendimeve të ndryshme

Feminizmi i përditshëm dhe roli i Qeverisë

Zana Avdiu, aktiviste dhe analiste politike, thotë për Gazetën Nacionale se nevojitet një feminizëm i përhershëm pasi që kauza feministe nuk fillon e mbaron me vetëm një ditë.

“Pabarazia gjinore është kaq e madhe, kaq e shtresuar sa duhen çdo dite punë e aktivitete për ta zbutur sado pak. Në Kosovë çdo dite po ka vetëdijësim më të lartë të qytetarëve për feminizmin dhe barazinë gjinore, kjo është falë punës së aktivsteve, shoqërisë civile. Përpjekja për barazi gjinore/feminizëm është një luftë e përditshme që fillon, sic thotë Rebecca Solnit "me mendimet tona" e mbaron me aktivitetet, protestat, shkrimin e librave kundër padrejtësive e pabarazive”, tha Avdiu.

Se nevojitet ‘dora e shtetit’ për të kontribuar në arritjen e barazisë gjinore e thekson edhe Abdullahu, e cila shton se politikat promovuese për drejtësi mes gjinive janë të domosdoshme.

Roli emancipues i Qeverisë duhet të vë theksin tek zhbërja e steriotipeve gjinore. Madje sipas Abdullahut edhe për 8 mars, nxënësve vazhdohet t’u thuhet se ‘nëna është shtylla e shtëpisë’.

“Roli i Qeverisë, edhe znj. Osmani veçanërisht duhet të jetë specifikisht promovues dhe shtytëse në kete aspekt. Ata duhet t’i prijnë këtij ndryshimi dhe kësaj kauze për të drejta fundamentale të grave. Eshte e domosdoshme qe të paktën në ditë të caktuara Ministria e Arsimi, Shkences dhe Teknologjise të fusë aktivitete në planprogramin mësimor për t’i shënuar këto dite dhe për t’i njohur nxënësit me afër me terme të reja dhe kauza”, thekson Abdullahu.

Ndërsa nga organizata QIKA shtuan se Qeveria duhet të ketë prioritet përpjekjen për barazi gjinore duke targetuar çështje si papunësia, mos trashëgimia e pronës e kështu me radhë.

“Sa i përket Qeverisë, ajo duhet që agjendë primare të ketë përpjekjen për barazi gjinore, duke marrë parasysh se në Kosovë shtypja e grave është e shumëfishtë, duke filluar nga papunësia, mos trashëgimi i pronës, ekspozimi ndaj dhunës në familje dhe poashtu rastet e shpeshta të femicidit. Andaj, për të pasur një shoqëri më të sigurt e të barabartë, Qeveria e Kosovës duhet të prodhojë politika direkte të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të shtresëzuara prej kohësh”, tha Avdyli nga QIKA.

Kujtojmë që vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Konventën e Stambollit, e cila fton për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Lajme të ngjashme