Familja e Marigona Osmanit e shokuar nga vendimi i gjykatës për ekspertizë psikiatrike ndaj vrasësit të vajzës së tyre - NACIONALE

Familja e Marigona Osmanit e shokuar nga vendimi i gjykatës për ekspertizë psikiatrike ndaj vrasësit të vajzës së tyre

3 vjet më parë

nga Gentiana Hasani

Në gushtin e vitit 2021, Kosova u trondit nga vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani. Autori i këtij krimi të rëndë është personi me të cilin ajo kishte pak kohë që po bashkëjetonte, Dardan Krivaça. I njëjti ishte arrestuar pak ditë pas kryerjes së rastit të rëndë. Ndërkohë gjykimi për këtë krim tashmë ka nisur. Së fundi, Gjykata Themelore e Ferizajt ka kërkuar që të dyshuarit kryesor për vrasjen e Marigonës, Dardanit, t’i bëhet ekspertizë psikiatrike. Nga familja e 18-vjeçares, në një rrëfim për Nacionalen, janë shprehur të shokuar me këtë veprim të gjykatës. Babai i së ndjerës ka thënë se do të kërkojnë super-ekspertizë për këtë rast.

Në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Ferizaj ia miratoi kërkesën Dardan Krivaçës, i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, që t’i bëhet ekspertizë psikiatrike. Sipas urdhrit të Gjykatës, Instituti i Psikiatrisë Forenzike duket të hartojë ekspertizë mbi gjendjen psikike të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Urdhërohet Instituti i Psikiatrisë Forenzike që të bëjnë ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit Dardan Krivaça për të dhënë mendimin lidhur me gjendjen psikike të së akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale, a ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore ose gjendjes së zvogëluar të aftësisë mendore”– tha gjatë seancës gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi.

Gjyqtari urdhëroi që të përcaktohej edhe ndikimi i kësaj sëmundjeje nga instituti përgjegjës, nëse ekziston. Duke iu referuar edhe kërkesës së mbrojtjes, gjykata urdhëroi që të bëhej ekzaminimi, nëse i akuzuari ka qenë nën ndikimin e narkotikëve në kohën e kryerjes së veprës.

Familja e Marigonës së ndjerë: Jemi thjesht të shokuar

Nga familja e Marigona Osmanit shprehen të shokuar nga ky vendim i gjykatës. Babai i Marigonës tashmë të ndjerë, Muhabi Osmani, thotë se nuk pret që ndonjë mjek ta nënshkruajë dokumentin ku thuhet se Krivaça ka probleme psikiatrike.

Ne jemi duke pritë që sa më shpejt gjykata ta ftojë seancën e radhës. Unë nuk besoj që ka mjek psikiatrik që do të nënshkruajë se ai është i sëmurë apo i çmendur. Ne kemi nejtë personalisht me të. Nuk është ai. Nuk do ta pranojmë kurrë, nëse ata mendojnë që është i çmendur. Nuk është e vërtetë. Ai është njeri normal, ai e ka ba me vetëdije”- ka thënë për Nacionalen Muhabi Osmani.

Ai ka treguar se nëse dokumentohet se Krivaçka ka probleme psikiatrike, atëherë ata si familje, përmes avokatit të tyre, Gazmend Rexhepi, do të kërkojnë ekspertizë ndërkombëtare.

“Kur kemi marrë vesh që është aprovu kërkesa e mbrojtjes së tij për ta rishikuar rastin psikologjik, ne kemi qenë të shokuar, për arsye se ai nuk është njeri i sëmurë. Nëse gjykata merr vendim në favor të tyre, ne do të kërkojmë super-ekspertizë jashtë Kosovës”- thotë Muhabi Osmani.

Ai thotë se kanë informacione se persona të caktuar po duan të kenë ndikim te procesi gjyqësor sa i përket kësaj çështjeje.

“Janë duke këqyrë me pasë ndikim. Kemi informacione se po këqyrin me pasë informacione në gjykatë, por e kanë të kotë, sepse pasojat do të jenë edhe për ta”- thotë Muhabi Osmani.

Sa i përket këtij rasti, procedura gjyqësore është ende në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Në këtë rast, në cilësinë e dëshmitarëve, deri më tani janë dëgjuar prindërit e viktimës, mjeku kujdestar, i cili e kishte pranuar trupin e pajetë në emergjencën e spitalit, dhe eksperti mjekoligjor, i cili e kishte bërë autopsinë.

Dëshmitarë tjetër që është dëgjuar, është edhe punëtori i kompanisë së kamerave të sigurisë që gjendeshin në banesën e të akuzuarit Krivaça.

Rasti që e ka tronditur opinionin publik ka ndodhur më 22 gusht 2021.18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit. Nacionale ekskluzivisht e kishte siguruar aktakuzën për këtë rast.

“Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”- përshkruhet rasti në aktakuzë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme