Ministria e Financave e demanton Muratin: Komunat nuk mund të falin tatimin në pronë - NACIONALE

Ministria e Financave e demanton Muratin: Komunat nuk mund të falin tatimin në pronë

1 muaj më parë

nga Arbër Ramadani

Rritja e tatimit në pronë, në disa zona deri në 100%, ishte ndër lajmet më të rënda që kohën e fundit morën qytetarët e Kosovës. “Fajësinë” për rritjen e tatimin nuk e mori askush. Në fakt, Hekuran Murati, që udhëheq me Ministrinë e Financave, e hodhi fajin tek komunat, ndërsa këto të fundit e shënjestruan si fajëtorin kryesor Muratin, Ministria e të cilit e rivlerësoi pronën. E pasi kjo temë ngjalli shumë debate, Murati dha një ide: t'u falen deri në 100 euro të gjithë pronarëve në Kosovë. E gjithë kjo duket të jetë një farsë, pasi ligjërisht komunat nuk janë të autorizuara të falin tatimin. Pse?

Përtej gjuajtjes së topit nga Ministria e Financave te komunat dhe anasjelltas, tash ka filluar një proces “shfajësimi”.

Ministri Murati, gjatë një fjalimi në Kuvend, bëri një “ofertë” për komunat e Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Murati deklaroi se derisa të përfundohen procedurat për ndryshime në ligj, komunat mund ta falin qytetarin nga një pjesë e pagesës së tatimit, duke dhënë edhe një shifër.

Unë sugjeroj që komunat le t’ua falin 100 eurot e para secilit tatim pagues të tatimit për pronë” ishte deklarata e ministrit Murati.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, qytet që udhëhiqet nga LVV-ja, partia në pushtet, duket se i ka dëgjuar me vëmendje fjalët e ministrit Murati.

Ata sot vendosën t’i “falin” deri në 100 euro tatimpaguesve të pronave në Gjilan. Por krejt kjo duket të jetë një “farsë”, pasi vetë Ministria e Financave, sot me anë të një shkrese ka bërë të ditur se komunat nuk mund të falin borxhin e tatimit në pronë.

Kjo shkresë me interpretim ligjor del të jetë në shpërputhje të plotë me deklaratat e ministrit Murati. E pyetja që duhet shtruar këtu është e qartë: a po mashtrojnë Murati e Kuvendi i Gjilanit?

Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Drenasit që vjen nga rradhët e PDK-së, z. Ramiz Lladrovci, kishte kërkuar opinion ligor nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave. Lladrovci e pyeti ministrinë nëse kanë të drejtë komunat të falin qytetarët nga pagesa e tatimit në pronë, ashtu siç ofertoi ministri Murati.

Përgjigjja e Ministrisë, e cila i është dërguar Lladrovcit, por edhe vetë ministrit Murati, ishte shumë eksplicite. “Ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë”- thuhet ndër të tjera aty.

Çka ndodhi?

Kuvendi Komunal i Gjilanit u mblodh këtë të premte në një seancë të jashtëzakonshme. Aty do të miratohej, rekomandimi i këshilltarëve të Vetëvendosjes, që të lirohen tatimpaguesit e kësaj komune nga pagesa e tatimit në pronën e paluajtshme në vlerë deri në 100 euro.

Këtë propozim e votuan edhe pushtetarët edhe opozitarët e Gjilanit.

Madje në njoftimin e Komunës u dhanë edhe specifika të tjera në lidhje me këtë votim të “jashtëzakonshëm”. Ndër të tjera, aty thuhet se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, inkurajoi kuvendarët që ta votojnë këtë propozim.

"Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të jashtëzakonshme, të drejtuar nga Arianit Sadiku, kryesues, i ka kërkuar Ministrisë së Financave, përkatësisht Departamentit të Tatimit në Pronë që t`i lirojë të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune nga pagesa e tatimit në pronën e paluajtshme në vlerën prej 100 euro për vitin 2023. Ky rekomandim i Grupit të këshilltarëve të LVV, është mbështetur nga Kuvendi me 27 vota për, një kundër dhe një abstenim. Edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni i ka inkurajuar këshilltarët komunalë që ta mbështesin propozimin, duke thënë se komunat nuk do të dëmtohen, pasi pret që qeveria t`ua rimbursojë këtë shumë." - thuhej në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Tutje në njoftimin e komunës thuhet se edhe opozita e ka votuar të njejtin propozim, duke u zotuar se do të shtyjnë përpara edhe propozimet e saj në lidhje me rivlerësimin e pronave.

“Ndërkaq, opozita edhe pse e ka mbështetur me votë rekomandimin, ka thënë se do të bëjë përpjekje shtesë për t`i shtyrë përpara edhe propozimet e saj për pezullimin e rivlerësimit të pronave, faturimin e tatimit sipas vlerës së vitit 2022, përkatësisht që qeveria t`i subvencionojë nga buxheti qendror faturat deri në shumën 100 euro, që mbledhja e tatimit në pronë të fillojë nga janari i vitit 2024, kurse afati për pagesën e ratës së parë për sivjet, të shtyhet deri më 30 qershor.”- thuhet tutje në njoftimin e “jashtëzakonshëm”.

Çka tha ministria?

Përgjigjja e Ministrisë së Financave, e “zbeh” këtë akt të “jashtëzakonshëm” të kuvendarëve gjilanas. Në fakt, lexuar në kontekstin ligjor, përgjigjja e Ministrisë e ka demantuar krejt këtë organizim të Kuvendit Komunal të Gjilanit, sepse duke u thirrur në ligje e parime juridike, i ka bërë me dije komunave që s’mund të falin tatimin me votime në seanca të kuvendit.

Në opinionin ligjor të ministrisë ndër të tjera thuhet: “ Ju informojmë se legjislacioni aktual nuk autorizon komunën për falje të pagesës së tatimit në pronë. Në kapitullin VI të Ligjit për Tatimin në Pronë thuhet se pagesa e tatimit në pronë është e detyrueshme. Më tej ky kapitull përmban edhe autorizime për shtyrje të pagesës por jo edhe të faljes.”

Tutje në opinionin e ministrisë bëhet e qartë se falja e borxheve, mund të bëhet vetëm me akt juridik që ka fuqinë juridike të ligjit.

Pra, duhet të njxerret një akt juridik me fuqinë e ligjit, që e përcakton faljen e borxhit, e nuk bëhet përmes votimeve në kuvendet komunale.

Reagimet...

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ishte ndër të parat që reagoi ndaj këtij "mashtrimi", siç e quajti ajo "ofertën" e Muratit.

“MINISTRIA DEMANTON MINISTRIN DHE E BËN CC:

"Komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime - propozimin e Muratit e hedhë poshtë ministria e tij. Çdo ditë po e dëshmojnë se janë Qeveri praktikantësh. “ ka shkruar Bajrami, duke shpërndarë shkresën e ministrisë së financave.

Asociacioni i Komunave të Kosovës gjithashtu ka reaguar, duke e përsëritur atë që thuhet në shkresen e Ministrisë së Financave. Pra, komunat nuk mund ta falin ndonjë vlerë nga pagesa për tatimin në pronë.

“MINISTRIA E FINANCAVE, PUNËS DHE TRANSFEREVE KONFIRMON:

KOMUNAT NUK KANË KOMPETENCË LIGJORE TË FALIN TATIMIN NË PRONË

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) konfirmon të drejtën e Komunave që nuk kanë kompetencë për faljen e tatimit në pronë.

Kjo është vërtetuar edhe në përgjigjen që MFTP ka dhënë edhe në kërkesën e kryetarit të Komunës së Drenasit, z.Ramiz Lladrovci i cili para pak ditësh kërkoi interpretim ligjor nga MFPT rreth asaj që a kanë të drejtë komunat të falin tatimin në pronë.

Përgjigjja është e bashkëngjitur.” Thuhet aty.

Nuk dihet nëse Ministria do të ndërmarrë ndonjë hap konkret për ta lehtësuar sitautën në lidhje me rritjen e tatimin në pronë, ndaj të cilit shtrenjtim qytetarët kanë paralajmëruar edhe protestë.

Lajme të ngjashme