Euroactiv: Gjermania për "po"-në në KiE do hapa për Asociacionin nga Kurti, votimi edhe mund të shtyhet deri në fund të vitit - NACIONALE

Euroactiv: Gjermania për "po"-në në KiE do hapa për Asociacionin nga Kurti, votimi edhe mund të shtyhet deri në fund të vitit

2 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Qeveria gjermane me shumë gjasë do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se ta japë “po”-në e saj që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës. Kështu raporton mediumi i njohur, “Euroactiv”. Madje, përmendet edhe një shtyrje e mundshme.

Mediumi, në një artikull të publikuar të mërkurën, i përmend zërat që Gjermania dhe Franca mund ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës, në rast se nuk ndërmerren hapa për formimin e Asociacionit.

Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, thuhet që ky shtet është në favor të anëtarësimit të Kosovës dhe se bisedimet për këtë çështje po vazhdojnë.

Megjithatë, një zëdhënës citohet të ketë shtuar: “…është e rëndësishme për hapat e radhës që Kosova të dërgojë një sinjal të qartë sa i përket mbrojtjes së minoriteteve, gjë që është kyçe për anëtarësimin në KiE”.

“Çështja e Asociacionit të komunitetit serb luan një rol qëndror këtu. Formimi i Asociacionit të komunave vazhdon të jetë një qëllim për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Në fund të artikullit, një “burim me njohuri për këtë çështje” thuhet se i ka thënë mediumin “Euroactiv” që vota për Kosovën mund të shtyhet deri në fund të këtij viti, nëse nuk sigurohet që do të marrë vota mjaftueshëm aktualisht për t’iu bashkuar organizatës.

Çka raportoi Nacionale?

Në lidhje me këta zëra, Nacionale kontaktoi ambasadën gjermane në Kosovë të martën. Ambasada na tha: “Tash i mbetet kryeministrit Kurti të bind numrin e nevojshëm të shteteve anëtare përmes mënyrave tjera, d.m.th, të hapave të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit”.

“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e ASMM-së në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm".

"Sipas mendimit tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i projektstatutit në Gjykatën Kushtetuese. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet ta bëjë ngritjen e peshave të rënda’. Kjo ende nuk ka ndodhur” - tha ambasada gjermane për Nacionalen.

“Tashmë i takon kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që ta bindin numrin e nevojshëm të shteteve me mjete të tjera, pra duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të ASMM-së, të cilin Kosova është zotuar ta themelojë dhe për këtë arsye është obligim ndërkombëtar”thuhet në fund.

Nacionale dje bisedoi edhe me filozofin Afrim Kasolli, të cilën e pyetëm se çka do të thotë në raport me politikën tonë të jashtme në rast se aplikimi i Kosovës lihet jashtë agjendës – praktikisht shtyrje për një vit.

“Në fakt, nëse ndodh kjo, një rezultat i tillë i shërben vetëm më shumë kryesministrit Kurti për agjendën e tij të brendshme elektorale, ku ai do të arsyetohet para opinionit se raporti paraqet një vlerësim demokratik për Kosovën dhe në këtë drejtim vendi ynë i ka plotësuar këto kritere, mirëpo vendimi i Këshillit Ministror për të mos e marrë në konsideratë këtë vlerësim demokratik është tërësisht politik dhe se ky nuk mund të bëjë kompromise të tilla për dallim nga pararendësit e tij. Kështu, ai në këtë mënyrë mbase do të ketë një ‘argument’ shtesë politik, që është konform Evropës demokratike, por jo asaj diplomatike, e cila për kalkulime politike i shpërfilli edhe vlerat demokratike" – na tha Afrim Kasolli.

“Por problemi është pikërisht te komunikimi jo i sinqertë i tij, si me publikun e brendshëm, ashtu edhe me diplomatët perëndimorë. Sepse, siç është dëshmuar edhe nga mediumi juaj, nëpërmjet letrës dërguar Dora Bokjanis, të tjera obligime dhe zotime ka marrë ndaj tyre, dhe me të tjera premtime ka operuar para publikut të brendshëm”shtoi ai.

Lajme të ngjashme