"Euro e vetmja valutë"; "Synojnë ndalimin e dinarit": A do ta shtrijë Kosova "sovranitetin monetar" në veri nga 1 shkurti?
Se serbët qe-kush-e-di-sa paguajnë mes vete në dinarë në pjesën veriore të Kosovës është gjë e mbarëditur. Hyrja e dalja e kësaj valute është Serbia; e cila (edhe) që nga viti 1999 vazhdon që zonat me shumicë serbe t'i ketë në sistemin të pagesave në institucionet e saj financiare.
Por, ditëve të fundit ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili duke folur nga Forumi Ekonomik në Davos, i ra borisë (për kush-e-di-të-satën-herë) së një propagande se shteti kosovar “do të ndalojë përdorimin e dinarit” për serbët e Kosovës.
Në dritën e kësaj, ai tha se “qysh në fillim të shkurtit” shteti kosovar do të veprojë në ndalimin e “transaksioneve” të Serbisë te komuniteti serb i Kosovës; e që madje “do të bastisin Bankën e Kursimeve Postare” në veri.
Tha se këtë gjë ia ka kumtuar Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Jim O’Brien dhe Emisarit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak; dhe se në rastin e realizimit të këtij “ndalimi të transaksioneve serbe dhe dinarit” atëherë do të vihet “në pikëpyetje” krejt ajo çka është arritur në dialog. O’Brien-it dhe Lajçak-ut, tha ai, “u thash: ndaleni Kurtin”.
“Prishtina synon ‘de fakto’ fundin e dialigut”, tha Aleksandar Vuçiq duke folur për “Tv Pink”.
Lajçak nuk është lëshuar në komentime rreth kësaj çështje ndërsa është shprehur optimist se një gjë e tillë “nuk besoj se do të çojë në ndofarë gjendje të rrezikshme” dhe se “mendoj se do të arrijmë të gjejmë zgjidhje ku s’do të ketë pasoja negative”.
Edhe Lista Serbe, me t’u deklaruar Vuçiqi, jehuan deklarimet e tij se një ndalesë e tillë e përdorimit të dinarit “është dëbim i zhurmshëm i serbëve të Kosovës”; teksa u bënë thirrje ndërkombëtarëve “të ndalin çmendurinë e Kurtit para se të jetë tepër vonë”.
“Nuk është koha për mesazhe anemike që kuptohen si pëlqim ndaj Prishtinës, por për reagim vendimtar që mbron popullin serb nga kjo shtypje”, ka shkruar Lista Serbe.
Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregulloren e re që hyn në fuqi nga 1 shkurti dhe ku rikujtohet se “valuta e vetme e lejua për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme në sistemi ne pagesave...është euro”; dhe se “euro si valutë e vetme” në sistemin e pagesave bazohet “në nenin 11 të Kushtetutësr së Republikës së Kosovës”.
Në lidhje me krejt këtë “poterë” ka reaguar Zëvendës Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryenegaciator, Besnik Bislimi, i cili tha se s’ka të bëjë gjë rregullorja e BQK-së me ndalim të dinarit serb, sepse dinari serb në fakt asnjëherë s’ka qenë i lejuar.
Edhe krejt pagesat në dinarë që Serbia paguan për serbët e Kosovës, Bislimi tha se “për çdo dinar të dërguar...janë vjedhur 5 sosh” nga sekserë politikë të Beogradit.
Bislimi iu referua aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Kosovës, në të cilin parashihet se valuta euro është e vetmja valutë e velfshme pagese në Republikën e Kosovës.
“Nё Rregulloren e sipёrpёrmendur (të BQK-së), nuk ka pasur se si tё anulohet pёrdorimi i dinarit, pra diçkaje qё nuk ka qenё e lejuar asnjёherё mё parё. Pёr mё tepёr, as dinari e as monedhat e asnjё shteti tjetёr fqinj nuk janё pёrmendur fare nё tekstin prej 40 faqesh tё kёsaj rregulloreje”, ka shkruar Bislimi.
“Natyrisht se e njё rёndёsie tё veçantё ёshtё edhe pёrcaktimi i valutёs e cila lejohet tё pёrdoret nё tё gjitha transaksionet bankare e jobankare, e qё nё rastin e Kosovёs ёshtё vetёm valuta EURO”.
Bislimi mohoi se rregullorja e BQK-së të mund të ketë ndikim në procesin e dialogut në Bruksel sepse, siç beson ai, “nuk është produkt i negociatave politike”.
“E vetmja gjё qё zvogёlohet fuqishёm, ёshtё hapёsira enorme pёr keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, praktikё kjo e perfeksionuar nga sekserёt politikё nё Beograd, tё cilёt pёr secilin dinar qё kanё dёrguar tek familjet e komunitetit serb nё Kosovё, kanё vjedhur 5 sosh”, tha mes tjerash Bislimi.
Ndërkaq një lexim krejt tjetër rreth kësaj “përleshje” (mos)ndalimi të përdorimit të dinarit në Kosovë e ka dhënë Këshilli Kombëtar i Serbëve, të cilët e quuajnë “koncesion i Beogradit ndaj Prishtinës për zbatim në heshtje të planit franko-gjerman”.
“Të mësuar me deklarata të tilla disfatiste të Presidentit të Serbisë, të cilat për të kush e di të satën herë shpall përkeqësim shtesë të kushteve të jetesës së serbëve të mbetur në Kosovë, Këshilli Kombëtar Serb i interpreton ato si një tjetër në një seri marrëveshjesh të paracaktuara. me Prishtinën, zbatimi i së cilës tani ka ardhur”. kanë thënë nga SNV.
“Qëllimi i një vendimi të tillë të Beogradit, në negociatat e mëtejshme me Prishtinën, e cila, siç pretendon presidenti Vuçiq, shpall heqjen e transaksioneve të pagesave me Serbinë qendrore dhe ndalimin e përdorimit të dinarëve, mund të jetë njoftimi për gjetjen e një zgjidhjeje për financimi i ardhshëm i të punësuarve në institucionet e Republikës së Serbisë në Kosovë përmes Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”, tha njëkohësisht SNV.