EULEX-i për situatën në veri: Jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve - NACIONALE

EULEX-i për situatën në veri: Jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka bërë të ditur se Njësia policore e tyre po vazhdon të patrulloj në veri të vendit, duke përfshirë patrollimet në këmbë.

Mirëpo, nga EULEX-i i kanë thënë KosovaPress-it se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese dhe e tensionuar.

“Gjatë patrullimeve tona në terren, jemi dëshmitarë të një pranie shqetësuese të të armatosurve, shpesh nga individë dhe grupe të maskuara, në veri të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Jemi dëshmitarë të vendosjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të hiqen menjëherë. Ato janë të paligjshme dhe pengojnë lirinë e lëvizjes. Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në veri të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit ta parandalojnë këtë”, thekson EULEX-i.

EULEX-i thotë se është përkrahës i masave parandaluese, por se nuk mund ta zëvendësojnë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë.

“Ajo që tani është e rëndësishme është që situata të de-eskalohet menjëherë, të rivendoset qetësia dhe të përmbahen nga veprimet më provokuese. Kjo është para së gjithash për të mirën e popullatës lokale, mbrojtja dhe siguria e së cilës janë në rrezik për shkak të situatës aktuale”, thekson EULEX-i duke shtuar se kanë detyra dhe mandate të ndryshme në raport me KFOR-in.

“Duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veri të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, Misioni rregullisht e përshtat qëndrimin e tij për të pasqyruar situatën në terren. Nëse kushtet lejojnë përdorimin e sigurt të rrugëve alternative, patrullat tona përpiqen të arrijnë në disa lokacione në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe stacionet policore. Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe rrugëve, kjo nuk është gjithmonë e mundur”, ka bërë të ditur EULEX.

Lajme të ngjashme