EU Observer: Plani i ri BE-ShBA kërkon vetëqeverisje për serbët, dhe Serbisë të veprojë sikurse e njeh Kosovën
Gazeta që shkruan ekstenzivisht për çështje të Bashkimit Evropian, “EU Observer”, i ka kushtuar një artikull planit të ri evropiano-amerikan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, i cili përmban edhe një draft-Statut për themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, zbatim i cili supozohet të kryhet paralelisht me pranimin e Serbisë për një njohje “të derës së pasme” të Kosovës, e që rëndom jepet nën termin “njohje de facto”. Gazeta evropiane vlerëson se plani i ri "është më i miri që mund të marrin" palët.
EU Observer vëren se në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë kryesisht dy mosmarrëveshje që duhen të zgjidhen: që Serbia të njohë Kosovën dhe që Kosova t’ua njohë një nivel autonomie komunave të banuara me shumicë serbe – çështje këto në të cilën zbërthehet edhe marrëveshja frankogjermane.
“Përderisa Serbia e pretendon zyrtarisht të gjithë Kosovën si të sajën, ajo me të vërtetë dëshiron vetëm katër komunat veriore ku serbët janë një shumicë e madhe”, shkruan gazeta evropiane.
“Beogradi dhe Prishtina të dyja kryejnë funksione sovrane në këtë territor në një ekuilibër të paqëndrueshëm dhe gjithnjë e më të rrezikshëm. Kosova drejton policinë, ndërsa Serbia drejton shkollat. Kosova operon me pikat kufitare, ndërsa Serbia drejton spitalet dhe klinikat. Të dyja funksionojnë me qeveritë komunale. Serbia shpenzon shumë më tepër se Kosova për këtë zonë dhe popullsia është besnike ndaj saj”, shkruhet më tej në artikull.
“Plani i porsapropozuar i normalizimit (një ndryshim i vogël në planin e BE-së në shkurt 2023) merret me të dyja mosmarrëveshjet kryesore”, thotë gazeta evropiane.
“Aty i kërkohet Serbisë të veprojë sikur e njeh Kosovën: të ndalojë së kundërshtuari vendimet e qeverive të tjera për ta njohur atë ose për ta pranuar atë si anëtare të organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në”.
“Nga ana e saj, Kosova duhet t'i përmbushë zotimet e mëparshme për t'i dhënë pakicës së saj serbe një shkallë të vetëqeverisjes dhe akses në shërbimet serbe”.
Eu Observer vëren se “plani i ri i propozuar së fundi” nga pesë të dërguarit evropianë dhe amerikanë në takime të veçanta me Kurtin dhe Vuçiqin, “do t'i jepte fund situatës së paqëndrueshme dhe të prirur ndaj dhunës të Serbisë dhe Kosovës që pohojnë mbivendosjen e sovranitetit në veri të Kosovës”.
“Në vend të saj, serbët e veriut të Kosovës do të qeveriseshin kryesisht brenda kornizës më të gjerë të Kosovës”.
EU Observer, në kontektin e këtij propozimi të ri, shkruan “Beogradi do ta ketë më të lehtë të respektojë personalitetin ndërkombëtar të Kosovës nëse Kosova respekton pakicën e saj serbe”.