“Escobari, Hilli, Hovenieri": Çka tha Amerika për zgjedhjet në veri? - NACIONALE

“Escobari, Hilli, Hovenieri": Çka tha Amerika për zgjedhjet në veri?

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

ShBA u pozicionua për zgjedhjet që pritet të mbahen pasnesër, me 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës. I dërguar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier mbeshtesin mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar nga institucionet e vendit, teksa ambasadori amerikan, Christopher Hill mendon se tani nuk është koha më e mirë për mbajtjen e votimeve.

Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë duke u bojkotuar nga partia më e madhe serbe në vend, Lista Serbe.

Çka thanë diplomatët amerikanë?

Dy ditë më parë, emisari special amerikan, Gabriel Escobar bëri dy deklarata të fuqishmë në favor të shtetit kosovar, duke bërë më dije se ShBA do t'a njeh rezultatin e zgjedhjeve, edhe përkundër bojkotit të Listës Serbe.

Tutje, ai i kërkoi Serbisë t’i ndalojë sulmet dhe kërcënimet ndaj serbëve të Kosovës që duan të integrohen në shtetin e tyre, ku ka potencuar se këto sulme për të cilat shpesh ankohet Vuciq, nuk bëhen nga shqiptarët etnik.

I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar.

Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, deklaroi i dërguari special i ShBA-së, Gabriel Escobar për “Tanjug”.

Por, qëndrim tjetër për zgjedhjet kishte ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Hill ka thënë jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe shumë shtete tjera besojnë se tani nuk është koha e duhur për t’i mbajtur zgjedhjet.

Jo vetëm vendi im, por edhe shumë të tjerë, besojnë se nuk është momenti i duhur për t'i mbajtur ato, duke qenë se aktualisht jemi në një moment kritik, një moment domethënës për dialogun që po zhvillohet. Ne besojmë se të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut”, tha Hill për gazetën Blic në Serbi.

Por, ndryshe nga ambasadori amerikan, dhe njësoj si emisari Escobar, ka menduar ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Hovenier, një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, është shprehur se “në pajtueshmëri me dispozitat ligjore” Kosova do të mbajë zgjedhjet më 23 prilll, dhe se vendi i tij do ta njoh rezultatin e zgjedhjeve.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të atyre zonave që të marrin pjesë në zgjedhje, duke I paralajmëruar se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetin ndërkombëtar”.

Ndërsa, edhe shtetet e QUINT-it, kanë mbeshtetur mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar nga institucionët e Kosovës.

Por kjo gjë duket se nuk i ka pelqyer aspak presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, i cili tha se dita e diel do të jetë një ditë e turpit për Evropën dhe botën, dhe e ka vlerësuar si një ditë të tmerrshme për demokracinë.

Ajo do të jetë dita kur zyrtarisht do të shënohet turpi i Evropës dhe i botës, sepse ata i organizuan ato zgjedhje dhe po tallen me to”, tha Vuçiq në programin për TV Prva.

Lajme të ngjashme