Mesazhet e Escobarit: Pse ShBA-ja u tregua kaq e qartë për zgjedhjet në veri?
Kosova si rrallë herë në kohët e fundit ka marrë një mbeshtetje të fuqishme nga aleati kryesori i vendit tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dje emisari special amerikan, Gabriel Escobar bëri dy deklarata të fuqishmë në favor të shtetit kosovar, duke bërë më dije se ShBA do t'a njeh rezultatin e zgjedhjeve, edhe përkundër bojkotit të Listës Serbe.
Tutje, ai i kërkoi Serbisë t’i ndalojë sulmet dhe kërcënimet ndaj serbëve të Kosovës që duan të integrohen në shtetin e tyre, ku ka potencuar se këto sulme për të cilat shpesh ankohet Vuciq, nuk bëhen nga shqiptarët etnik.
“Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar.
“Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, deklaroi i dërguari special i ShBA-së, Gabriel Escobar për “Tanjug”.
Sovraniteti
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se mesazhet e të dërguarit special të ShBA-së janë mbeshtetje për shtrirjen e sovranitetit të plotë të Kosovës në gjithë territorin e saj.
Analisti dhe profesori univeristar Rrahman Paçarizi, thotë se deklarata e diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, shënon një moment të rrallë të kohës së fundit kur institucionet e Kosovës lavdërohen nga ShBA.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Paçarizi, tha se me këtë deklaratë ShBA po e njeh të drejtën e Kosovës për ta shtrirë sovranintetin e saj në gjithë territorin e vendit.
“Deklarata e të dërguarit Escobar është ndër momentet e rralla të kohës së fundit, kur institucionet e Kosovës janë lavdëruar tërthorazi për konstruktivitetin e demonstruar me rastin e zbatimit të marrëveshjeve të fundit me Serbinë. Escobar po e njeh edhe një herë të drejtën e Kosovës për sovranitet dhe ushtrim të demokracisë në të gjithë territorin e saj, përfshire veriun e vendit”, ka thënë Paçarizi.
Tutje, ai tha se Escobar ka kritikuar Serbinë, se përmes sulmëve dhe kërcënimeve ndaj komunitetit serb po e minon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Dhe po ashtu tërthorazi kritikohet Serbia për manipulim të strukturave të caktuara që përmes frikësimit e shantazhit, nuk i lejojnë bashkëkombësit e tyre të jenë pjesë e demokracisë dhe vendimmarrjes. Kjo deklaratë realisht e bën Serbinë fajtore për minimin e zbatimit të marrëveshjes së Bruksel/Ohrit. Dhe, ky është momentin kur pala kosovare duhet ta marre situatën në duart e veta dhe të rikthehet në palën bashkëpunuese dhe bashkërënduese me partnerët ndërkombetarë”, ka thënë ai.
Ndërsa, analisti Gazmir Raci, i tha gazetës Nacionale se mbeshtetja e ShBA-së ka ardhur pasi Kosova u tregua konstruktive, duke u koordinuar me ShBA-të për shtyrjen e zgjedhjeve në dhjetor.
“SHBA po mbeshtesin zgjedhjet e lira dhe demokratike në veri. Kosova në harmoni të plotë me qëndrimet e komunitetit ndërkombetarë që nga shtyrja e parë, kur iu kërkua t’i jap shans arritjes se marrëveshjes së fundit në Brukselit e ajo marrëveshje u pranua nga Kosova dhe për këtë arsye komuniteti ndërkombëtarë po i qëndron prapa Kosovës”, ka thënë Raci.
Me tej, Raci thotë se ShBA kërkoi nga serbët lokalë të integrohen në institucionet dhe shoqërinë kosovare.
“Zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe nuk guxojmë të bijmë pre e provokimeve të grupëve kriminale që dirigjohen nga Rusia e Serbia përmes Radojçiqeve në veri të vendit. Serbët do të ishte mirë të dalin sa me shumë në këto zgjedhje dhe ta bojkotojë tendencën e Vuçiqit që përmes veriut ai ta mbajë në kontroll edhe politikën e tij në Beograd. Serbët e pjesës veriore duhet të jetojnë jetën si serbët në pjesën jugore që nuk kanë asnjë problem me shumicën shqiptare dhe pakicat tjera. Kosova është shtëpi për të gjithë ata që e konsiderojnë vend të tyrin e që punojnë për paqe e tolerancë në mes të shumicës dhe pakicës”, ka shtuar ai.
Ndërsa, sot, përmes një konferencë për media, kreu i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, ka tërhequr kandidaturën e tij për kryetar të Leposaviqit.


