Erdhi nga Davos, Kurti dhe VV ende "pa fjalë" për Bordin e Paqes ku u nënshkrua Kosova - NACIONALE

Erdhi nga Davos, Kurti dhe VV ende "pa fjalë" për Bordin e Paqes ku u nënshkrua Kosova

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Autoriteti i gjerë i dhënë mbi emrin e përvetshëm dhe kryesimin e saj përjetësisht.

Këto shqetësime i ka dhënë Bashkimi Evropian për Bordin e Paqes të krijuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kështu i ka parë “Reuters” të formuluara në një dokument të brendshëm të BE-së të dhënë për diplomatë përmes Shërbimit të Jashtëm të unionit njëzet e shtatë shtetësh.

Ky Bord i Paqes, vëren dokumenti i cituar, shkon përtej asaj çka u mandatua nga Këshilli i Sigurimit për luftën në Gaza.

Dhe, më tej, konstatohet të bjerë ndesh me parimet kushtetuese të BE-së.

Zyrtarët e BE-së gjithashtu kanë vënë seriozisht në pikëpyetje nëse iniciativa përputhet me Kartën e OKB-së dhe kuadrin ndërkombëtar të njohur.

Këto shqetësime kanë bërë që udhëheqës evropianë të shmangin pjesëmarrjen, ndërsa vende si Franca dhe Spanja tashmë kanë refuzuar t’i bashkohen bordit.

Në këtë kontekst, Bordi i Paqes, shkaktoi ndjenja të përziera në sferën perëndimore të shteteve.

Kosova, aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu bashkua nismës si ndër vendet e para themeluese të saj.

Kjo nismë do të sjellet në Kuvend të Kosovës për t'u ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare.

Ende nuk dihet nëse vendi do t'i paguaj 1 miliardë dollarë për pjesëmarrje përtej trevjeçare..

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, i tha BBC-së se, përkundrazi, kjo iniciativë e Trump-it jo vetëm që nuk synon të jetë zëvendësim i OKB-së, “por, mund të punojë dorë për dore me të”.

Çka është vërejtur nga brenda është heshtja e plotë e Albin Kurtit të Vetëvendosjes, kryeministër në ardhje, ndaj aderimit të Kosovës në këtë organizatë.

As edhe një fjalë të vetme deri tash Kurti s’ia ka kushtuar kësaj nisme të nënshkruar nga Osmani, ku njëherësh me të, ishte në Davos.

Kurti gjeti kohë të takoj lloj-lloj politikanësh të vendeve të ndryshme, por jo edhe të deklarohet, urojë, njoftojë apo diçka në referim të kësaj ngjarje.

As partia e tij Vetëvendosje, s’u bë e gjallë.

Një zyrtar i saj, në një postim në Facebook, goditi mediat se pse po e ngrisin si pyetje.

Kur shef si peshku, bardh e zi, një çeshtje kaq komplekse e shtron kështu si në këtë shkrim (të Kohës Ditore)... Quhen analistë por nuk arrijnë t'i dallojnë nuancat në marrëdhënjet ndërkombëtare!”, shkroi Avni Zogiani, i propozuari për Ministër të Arsimit nga Albin Kurti.

Më tej se kjo asgjë.

As forca e dytë politike në vend, Partia Demokratike e Kosovës, nuk është deklaruar, përveç zyrtarë të saj pyetur nga gazetarë, si Artan Behrami, që e kanë artikuluar si “kudo që Kosova të jetë me ShBA-në, e përkrahim”.

Por, ndryshe nga këto dy forca politike, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë lartësuar si gjë të madhe dhe me peshë për vendin, që Kosova të jetë krah-për-krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përshëndetje të madhe ngjarjes i bëri Lumir Abdixhiku.

“Përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është një moment që tejkalon secilin lajm ditor. Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, shkroi Lumir Abdixhiku

“Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta. Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, tha ai.

Me urim, edhe para nënshkrimit të dokumentit nga Vjosa Osmani në prani të Donald Trump, i parapriu kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”, tha Haradinaj.

“Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, shkroi Ramush Haradinaj.

Lajme të ngjashme