Rryma e serbëve në veri: Elektorseveri paditi ZRrE-në dhe ARBK-në
Kompania serbe Elektrosever që ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore, ka paditur ZRrE-në dhe Agjenciën e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) në Gjykatën Themelore të Prishtinë.
Elektrosever nuk është ndalur me kaq. Kjo kompani është ankuar edhe në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zgjatjes së gjykimit nga Gjykata Themelore.
Elektrosever ka paditur ZRrE-në lidhur me dhënien e licencës për furnizim dhe faturim të energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit.
Sipas tyre, ZRrE nuk u kishte ofruar mundësinë edhe Elektroseverit që t’i vazhdohet mundësia e licencimit ngjashëm qysh kishte ndodhur me licencat e tjera.
“Parashtruesi i kerkeses pretendon se dispozitat e vendimit per licence te leshuar nga ZRRE-ja jane ne kundershtim me ligjet e Republikes se Kosoves per energjine kryesisht lidhur me afatet e kohezgjatjes se licences. Ne kete drejtim, parashtruesi i kerkeses thekson: “Ne nenin 25 te Licences permendet afati i vlefshmerise se licences 23.06.2027, mirepo, krahas afatit te permendur nuk qendron dispozita e cila gjendet ne licencat e tjera te leshuara, e qe parasheh mundesine e vazhdimit te saj, kesisoj mbajtesi i licences mund qe me se voni gjashte muaj para skadimit te afatit te licences te parashtroj kerkese per vazhdimin e se njejtes, e kjo ne pajtim me nenin 32, paragrafi 3 i Ligjit per Rregullatorin e Energjise dhe nenin 19 te Rregulles per licencimin e aktiviteteve te energjise””- thuhet në komentet e përfaqësuesit të Boban Novakoviq ndaj komenteve të ZRrE-së të cilat janë publikuar në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, Elektrosever ka paditur ARBK-në për mos-autorizimi për zgjerimin e aktivitetit të tyre për shpërndarje të energjisë elektrike, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes për Energjinë.
Vendimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë ankesën e Elektorseverit ndaj Gjykatës Themelore të Prishtinë dhe Gjykatës Komericiale.
“Gjykata vlerësoi se (i) rasti i parashtruesit të kërkesës ka një ndërlikueshmëri të caktuar në një fushë të ndejshme dhe të rëndësisë vitale siç është zgjerimi i veprimtarisë energjetike dhe furnizimi me energji elektrike; (ii) parashtruesi i kërkesës është në proces të zgjerimit të veprimtarisë së tij në fushën energjetike dhe se në këtë aspekt nuk vërehet ndonjë veprim i parashtruesit të kërkesës që mund të konsiderohet si “kontribut” në zvarritje tejzgjatje të procedurave; (iii) në rrethanat e rastit konkret nuk vëren ndonjë sjellje të autoriteteve relevante përfshirë që do të mund të kontribuonte në zvarritjen tejzgjatjen e procedurave në kundërshtim me parimin për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm; (iv) ARBK-ja dhe ZRRE-ja kishin pajisur parashtruesin e kërkesës me licencat relevante për zgjerim të veprimtarisë energjetike dhe për furnizimin me energji elektrike; dhe, (v) lënda e parashtruesit të kërkesës ishte transferuar nga Gjykata Themelore tek Gjykata Komerciale.” – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata në fund, me shumicë, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatje të procedurës është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Elektroseveri është kompani serbe e cila ishte licencuar nga ZRrE-ja për shpërndarje dhe faturim të energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Kjo kompani kishte aplikuar në ZRrE pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për energjië.
Deri më tani, Elektrosever nuk ka filluar operimin e saj, teksa faturat e energjisë elektrike të qytetarëve serbë në veri të vendit, vazhdojnë të paguhne nga buxheti i Kosovës.

