Ekskluzive: Nacionales i tregojnë dy burime nga Kuvendi se vlera e koeficientit mund të jetë 103.17 - NACIONALE

Ekskluzive: Nacionales i tregojnë dy burime nga Kuvendi se vlera e koeficientit mund të jetë 103.17

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ligji për Paga tashmë është bërë publik në gazetën zyrtare, por ende nuk dihet zyrtarisht se sa do të jetë vlera e koeficientit. Pritja mund të marrë fund gjatë ditës së nesërme, kanë konfirmuar burime të mirëinformuara për Nacionalen, të cilat po ashtu, kanë treguar se vlera e koeficienti mund të jetë 103.17.

Zyrtarët publikë pritet shumë shpejt që të mësojnë se sa do të paguhen në fund të vitit, pas një pritje shumë të gjatë përgjatë gjithë muajit janar.

Qeveria në vazhdimësi ka refuzuar të tregojë se sa mund të jetë vlera e koeficientit, megjithatë, Nacionale ekskluzivisht mëson nga burime të shumicës parlamentare se kjo vlerë mund të jetë 103.17.

Po ashtu, vlera e koeficientit mund të bëhet e ditur gjatë ditës së nesërme, mëson Nacionale.

Sa paguhen krerët e shtetit?

Siç kishte raportuar Nacionale në fillim të muajit që po lëmë pas, sipas koeficentëve të përcaktuar për pozitat e zyrtarëve publikë, presidentja Vjosa Osmani do ta ketë koeficientin më të lartë të pagës më 18.0.

Kjo, pasohet nga kryetari i Kuvendit, që është Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti. Pagat e tyre, do të kenë koeficientin 17.

Nëse vlera e koeficientit është 103.17, në bazë të një përllogaritje të thjeshtë, del se presidentja Osmani do të paguhet rreth 1 mijë e 857 euro.

Kryeministri Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca ndërkohë, në bazë të kësaj vlere, do të paguhen 1 mijë e 821 euro.

Çka po ndodh?

Ligji është votuar në dy leximet në Kuvend dhe është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare, por ende nuk dihet se kur do të caktohet vlera e koeficientit. Kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar se vlera do të caktohet këtë muaji, por nuk ka përmendur datë.

Mungesa e përcaktimit të vlerës së koficientit përveç ankthit që ka shkaktuar tek zyrtarët publikë, mbase e ka arritur një efekt të dëshirueshëm për pushtetin. Kjo pasi nuk ka shumë ankesa, të cilat potencialisht do të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë dy institucione deri tash, i janë drejtuar Avokatit të Popullit, të bindura se ky Ligj duhet ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli Prokurorial e Instituti i Kosovës për Drejtësi, siç ka raportuar Nacionale, konsideroi se në Ligjin e shumë përfolur ka shkelje kushtetuese.

Ulja e pagave në sistemin e drejtësisë, e trajtim i pabarabartë i nëpunësve në sektorin publik. Këto janë arsyet pse IKD, beson se ligji në fjalë, duhet të përballet me një trajtim në Gjykatën që ka për detyrë të mos lejoj institucionet të dalin përtej kushtetutës.

Instituti për Drejtësi, i ka dërguar letër Avokatit të Popullit, me anë të së cilës ka kërkuar që ligji të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, meqenëse sipas tyre, cenohet pavarësia funksionale e sistemit të drejtësisë, si dhe në disa raste të tjera ka gjetur se ligji përmbëhet nga dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik.

Mospërcaktimi i vlerës së koficientit, e paqartësia ligjore që mund ta përcjellë këtë proces, ka bërë që atmosfera e krijuar rreth kësaj çështje të jetë totalisht konfuze.

Shënim: Në mbledhjen e 122 të Qeverisë së Kosovës u njoftua nga kryeministri i Kosovës se vlera e koeficientit do të ishte 105.

Lajme të ngjashme