Publikohet Ligji për Paga, koficientin më të lartë do ta ketë presidentja e vendit - NACIONALE

Publikohet Ligji për Paga, koficientin më të lartë do ta ketë presidentja e vendit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në Gazetën Zyrtare tashmë është publikuar Ligji për Paga. Ndonëse vlera e koeficientit nuk dihet ende, dhe as nuk është bërë e ditur, koeficientin më të lartë do ta ketë presidenti i vendit, në këtë rast Vjosa Osmani.

Mes kritikave për mospërcaktimin e vlerës së koeficientit, Ligji për Paga tashmë është bërë publik edhe për qytetarët e vendit.

Koeficienti më i lartë, do të jetë për pagën e presidentit të vendit me 18.0, për të vijuar më pas më kryetarin/kryetaren e Gjyaktës Kushtetuese, 17.5, kryetarin e Kuvendit, 17, kryeministrin 17 dhe kategori të tjera që mund t’i shihni në fotografinë më poshtë.

Në nenin 7 të Ligjit, tregon edhe se si do të bëhet llogaritja e pagës.

Sipas pikës 3 të këtij ligji: “Vlera e pagës bazë (v), për punën e kryer me orarë të plotë, llogaritet duke shumëzuar koeficientin për orë pune (x), me orët e realizuara përgjatë muajit (y), me vlerën monetare të koeficientit (z).

Klikoni këtu për ta parë të plotë dokumentin.

S’dihet koeficienti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pretenduar se vlera e koeficientit mund të përcaktohet në janar.

“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali. Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi. Në janar do të vendoset vlera e koeficientit.” – kishte thënë ai.

Veç kësaj, ai kishte shtuar i njëjti, mund të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti i vitit 2023.

“Nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023.” – kishte deklaruar i pari i ekzekutivit.

Çka kishte thënë opozita?

Ligji për Paga që u miratua në muajin dhjetor të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës, kishte shkaktuar reagime të shumta, pasiqë ende nuk dihet koeficienti.

85 deputetë ishin të pranishëm në sallë nga ta 63 votuan për Projektligjin për Paga.

64 deputetë kanë votuar 63 për asnjë kundër dhe një abstenim, miratohet Projektligji për Paga në Sektorin Publik.” – kishte thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Partitë opozitare, nuk kishin marrë pjesë fare në votim, por ishin të pranishme në diskutimin rreth këtij ligji.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri kishte reaguar pas votimit, duke thënë se “të gjithë janë në terr informativ”.

Madje, ai kishte deklaruar se “kryeministri ia ka rritur pagën vetës”, duke e arsyetuar këtë me faktin se vetëm ai mund të dijë se sa është koeficienti.

Imagjinoni, ligji i pagave që u miratua sot nga mazhoranca e VV-së, i ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik, mjekët, profesorët, shërbyesit civil, mësimdhënësit, policët, prokurorët, gjyqtarët, infermierët, zyrtarët në nivel qendror e lokal, të cilët nuk e kanë të qartë se cila është vlera e koeficientit të pagës së tyre, rrjedhimisht, absolutisht të paqartë se sa do të jetë paga e tyre. Ky ligj i pagave, lirisht mund të quhet ligji për pagën e Albin Kurtit, sepse askush tjetër përveç tij, nuk e di koeficientin e pagës së vet, ndërsa kryeministri që ia ka rritur pagën vetës, është i vetmi që e di se sa vlen një koeficient dhe se si përkthehet ai në vlerë monetare si pagë. Urime Kryeministër!.” – kishte shkruar Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri kishte thënë se kalimi i Ligjit për Paga është manipulim dhe sipas tij po shihet edhe si një "mashtrim tjetër i radhës".

E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ndërsa, deputetja Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaronte se Ligji i Pagave u votua, por as Qeveria s’e di se kur mund të hyjë në fuqi.

Qeveria e praktikantëve. Ligji i Pagave u votua, por Qeveria nuk e di kur hyn në fuqi ky ligj. Sepse vlera monetare e koeficientit të pagave duhet të caktohet me Ligj të Buxhetit. Ligji i Buxhetit për 2023 ka kalu në lëxim të dytë me 15.12.2022. Rrjedhimisht Qeveria duhet të bëjë rishikim të Ligjit të Buxhetit për me caktu vlerën e koeficientit. Kur do të këtë rishikim të Ligjit të Buxhetit? Kur do të hyjë Ligji i Pagave në fuqi?”, ka shkruar Bajrami.

Lajme të ngjashme