Ligji i pagave: Dita e fundit e janarit, a do ta mbajë premtimin Kurti? - NACIONALE

Ligji i pagave: Dita e fundit e janarit, a do ta mbajë premtimin Kurti?

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Edhe pse janari i ka 31 ditë, aq sa 6 muaj të tjerë të vitit, muaji i parë për shumë arsye nga njerëzit shihet si më i gjati i krejt vitit. Ndoshta njëra prej arsyeve kryesore për këtë “tejzgjatje” të muajit është pikërisht sepse i presim gjatë pagat, të cilat potencialisht njerëzit i kanë shpenzuar për festat e fundvitit.

Përveç pritjes së pagave të janarit, punonjësit e sektorit publikë janë në pritje edhe që të zbulohet një sekret tjetër. Po pritet që kryeministri Kurti ta zbulojë vlerën e koeficientit në Ligjin e Pagave.

A gënjeu Kurti?

Kurti qysh në dhjetor e ka ditur se është vonuar me Ligjin e Pagave e me informacionin për të. Kurti kishte deklaruar se në muajin janar do ta zbulojë vlerën e koeficientit.

“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali. Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi.”, deklaronte ai.

“Në janar do të vendoset vlera e koeficientit, nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023”- tha Kurti.

Kur jemi në ditën e fundit të janarit, nuk ka asnjë lëvizje nga Qeveria. Deri tash as nuk është thirrë ndonjë konferencë, e as nuk ka paralajmërim.

Pasi e mori miratimin e deputetëve ne Kuvend, Ligji i Pagave, pritet të hyj në fuqi më 5 shkurt të këtij viti. Pra, jemi 5 ditë afër. Askush nuk e di se sa do ta ketë pagën me këtë ligj.

Ndonëse nuk dihen vlerat, raportime të ndryshme kanë treguar se vlera e koeficientit nuk shkon më shumë se 110 euro. Për këtë, Sindikatat kanë thënë se çdo vleër nën 120 euro, do të ishte e papranueshme.

E Kryeministri i vendit, Albin Kurti pak para janarit, u premtoi qytetarëve se në muajin janar, do të ju tregoj atyre se sa do të paguhen për punën që e bëjnë.

Vlera e koficientit e cila e përcakton pagën paradoksalisht vazhdon të mbetet sekret, anipse kanë mbetur vetëm disa ditë deri te hyrja në fuqi e ligjit.

Kurti e ministri i tij, që e mban kuletën e shtetit mbase janë dy njerëzit e vetëm që e dijnë se sa do të paguhen zyrtarët e shtetit.

Çka po ndodh?

Ligji është votuar në dy leximet në Kuvend e është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare, por ende nuk dihet se kur do të caktohet vlera e koeficientit. Kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar se vlera do të caktohet këtë muaji, por nuk ka përmendur datë.

Mungesa e përcaktimit të vlerës së koficientit përveç ankthit që ka shkaktuar tek zyrtarët publikë, mbase e ka arritur një efekt të dëshirueshëm për pushtetin. Kjo pasi nuk ka shumë ankesa, të cilat potencialisht do të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë dy institucione deri tash, i janë drejtuar Avokatit të Popullit, të bindura se ky Ligj duhet ta kaloj filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli Prokurorial e Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se në Ligjin e shumë përfolur, ka shkelje kushtetuese.

Zbritja e pagës së prokurorit?

Drejtësi dhe punësim, ishte fjalia që e shoqëronte Kurtin në secilin tubim, mbledhje a konferencë.

Përgjigjja e tij për drejtësi e punësim, u bë edhe njëfarë mbruojë madje edhe kur pyetej për bisedimet Kosovë-Serbi.

Nuk kam ardhur në pushtet me premtimin për bisedime me Beogradin. Drejtësi e Punësim, kanë qenë shtyllë e programit tonë” thoshte Kurti.

Por, problemet e Qeverisë së tij, me institucionet e drejtësisë, dita e ditës po vijnë në shprehje.

Ligji i Pagave duket se do të jetë fushëbeteja e re, e këtyre dy pushteteve.

Prokurorët konsiderojnë se zvogëlimi i pagës së tyre, e cenon pavarësinë dhe funksionimin e tyre, duke shtuar se pretendimet e tyre në lidhje me këtë ligj, janë të harmonizuara me praktikat ndërkombëtare.

Të gjitha pretendimet e ngritura nga KPK-ja, të cilat janë dërguar tek Avokati i Popullit, paraprakisht edhe tek hartuesit e këtij Ligji, janë të mbështetura në aktet dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat kanë paraparë në mënyrë taksative se kur mund të zbritet paga e prokurorit të shtetit. Me qëllim të referimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. KPK përkrah hartimin e një ligji për pagat në sektorin publik, i cili duhet të jetë i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe i cili nuk do të cenojë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”- u tha në reagimin e KPK-së.

IKD: Në disa raste kemi gjetur shkelje Kushtetuese

Ulja e pagave në sistemin e drejtësisë, e trajtim i pabarabartë i nëpunësve në sektorin publik.

Këto janë arsyet pse IKD, beson se ligji në fjalë, duhet të përballet me një trajtim në Gjykatën që ka për detyrë të mos lejoj institucionet të dalin përtej kushtetutës.

Instituti për Drejtësi, i ka dërguar letër Avokatit të Popullit, me anë të së cilës ka kërkuar që ligji të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, meqenëse sipas tyre, cenohet pavarësia funksionale e sistemit të drejtësisë, si dhe në disa raste të tjera ka gjetur se ligji përmbëhet nga dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik.

Mospërcaktimi i vlerës së koficientit, e paqartësia ligjore që mund ta përcjellë këtë proces, ka bërë që atmosfera e krijuar rreth kësaj çështje të jetë totalisht konfuze.

Lajme të ngjashme