Ligji i pagave hyn në fuqi edhe 8 ditë, a do të dërgohet në Kushtetuese? - NACIONALE

Ligji i pagave hyn në fuqi edhe 8 ditë, a do të dërgohet në Kushtetuese?

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Zyrtarët publikë po e presin me ankth zbatimin e Ligjit për Pagat. Ndonëse data 5 shkurt kur do të fillojë zbatimi i këtij ligji po afrohet, tashmë askush prej zyrtarëve publikë nuk e di se sa do ta ketë pagën. Madje nuk dihet as nëse vërtetë do të filloj të zbatohet në datën e paraparë.

Dy institucione deri tash, kanë paraqitur kërkesë të Avokati i Popullit, për t’a referuar ligjin, në Gjykatë Kushtetuese, çka do të thoshte se, ligji do të pezullohej, deri në një vendim të gjykatës.

Gazeta Nacionale përmes burimeve të veta ka mësuar se në fakt janë edhe 6 palë deri më tash që kanë paraqitur kërkesën te Avokati i Popullit.

Megjithatë, Avokati i Popullit deri më tash nuk ka kthyer përgjigje për gazetën Nacionale, nëse do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj.

Çka po ndodh?

Ligji është votuar në dy leximet në Kuvend e është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare, por ende nuk dihet se kur do të caktohet vlera e koeficientit. Kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar se vlera do të caktohet këtë muaji, por nuk ka përmendur datë.

Mungesa e përcaktimit të vlerës së koficientit përveç ankthit që ka shkaktuar tek zyrtarët publikë, mbase e ka arritur një efekt të dëshirueshëm për pushtetin. Kjo pasi nuk ka shumë ankesa, të cilat potencialisht do të dërgoheshin në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë dy institucione deri tash, i janë drejtuar Avokatit të Popullit, të bindura se ky Ligj duhet ta kaloj filtrin e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli Prokurorial e Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsiderojnë se në Ligjin e shumë përfolur, ka shkelje kushtetuese.

Zbritja e pagës së prokurorit?

Drejtësi dhe punësim, ishte fjalia që e shoqëronte Kurtin në secilin tubim, mbledhje a konferencë.

Përgjigjja e tij për drejtësi e punësim, u bë edhe njëfarë mbruojë madje edhe kur pyetej për bisedimet Kosovë-Serbi.

Nuk kam ardhur në pushtet me premtimin për bisedime me Beogradin. Drejtësi e Punësim, kanë qenë shtyllë e programit tonë” thoshte Kurti.

Por, problemet e Qeverisë së tij, me institucionet e drejtësisë, dita e ditës po vijnë në shprehje.

Ligji i Pagave duket se do të jetë fushëbeteja e re, e këtyre dy pushteteve.

Prokurorët konsiderojnë se zvogëlimi i pagës së tyre, e cenon pavarësinë dhe funksionimin e tyre, duke shtuar se pretendimet e tyre në lidhje me këtë ligj, janë të harmonizuara me praktikat ndërkombëtare.

“Të gjitha pretendimet e ngritura nga KPK-ja, të cilat janë dërguar tek Avokati i Popullit, paraprakisht edhe tek hartuesit e këtij Ligji, janë të mbështetura në aktet dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat kanë paraparë në mënyrë taksative se kur mund të zbritet paga e prokurorit të shtetit. Me qëllim të referimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. KPK përkrah hartimin e një ligji për pagat në sektorin publik, i cili duhet të jetë i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe i cili nuk do të cenojë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti”- u tha në reagimin e KPK-së.

IKD: Në disa raste kemi gjetur shkelje Kushtetuese

Ulja e pagave në sistemin e drejtësisë, e trajtim i pabarabartë i nëpunësve në sektorin publik.

Këto janë arsyet pse IKD, beson se ligji në fjalë, duhet të përballet me një trajtim në Gjykatën që ka për detyrë të mos lejoj institucionet të dalin përtej kushtetutës.

Instituti për Drejtësi, i ka dërguar letër Avokatit të Popullit, me anë të së cilës ka kërkuar që ligji të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, meqenëse sipas tyre, cenohet pavarësia funksionale e sistemit të drejtësisë, si dhe në disa raste të tjera ka gjetur se ligji përmbëhet nga dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik.

“IKD tërheq vëmendjen se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë situatë është në kundërshtim me kërkesat që rrjedhin nga Aktgjykimi nr. KO219/19 dhe në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat kanë krijuar tashmë praktikë dhe standard ndërkombëtar, në raport me pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial” – thuhet në letren e tyre.

Në një rast tjetër IKD, ka identifikuar edhe një nen të Kushtetutës, i cili mund të shkilet nga ky ligj.

Bëhet fjalë për nenin 24 të Kushtetutës, i cili quhet Barazia para Ligjit

Në këtë nen bëhet fjalë pikërisht për të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim” thuhet aty.

E pikërisht trajtimi i pabarabartë i nëpunësve të sektorit publik, që është identifikuar në këtë ligj nga IKD, paraqet shkelje të këtij neni të Kushtetutës, për të cilin organizata po kërkon nga Avokati i Popullit ta referoj në Gjykatë, e ta parandaloj.

Mospërcaktimi i vlerës së koficientit, mungesa e një përgjigjje më të hollësishme nga Avokati i Popullit, nëse është duke i shqyrtuar ankesat ose jo, përçka Nacionale ka dërguar pyetje, e bën edhe më konfuze pritshmërinë për datën 5 shkurt.

Lajme të ngjashme