Eh, e vërteta: Pse Kurti s'po guxon ta krahasojë veten në indeks të korrupsionit me Qeverinë e Isa Mustafës?
Gjatë tërë ditës, shumë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shpërndarë renditjen në indeksin e “Transparency Inrternational”, ku Kosova është vlerësuar me 41 pikë, duke u listuar në vendin e 84-të në ranglistën botërore prej 180 vendeve. Të njëjtin grafikon, e ka shpërndarë edhe Albin Kurti, kryeministër i Kosovës. Por z. Kurti ka manipuluar me grafikonin e botuar.
Në Twitter, Kurti shkroi se lufta kundër korrupsionit e Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga ai, po jep rezultate.
“Lufta jonë kundër korrupsionit vazhdon të japë rezultate. E ngecur për gati një dekadë globalisht në gjysmën e fundit në Indesksin e Përceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova është ngritur për 20 vende lart në 2 vjet nën Qeverinë tonë. Konfirmimi i pavarur që reformat tona po funksionojnë” – shkroi ai.
Our @anticorruption fight continues to pay off. Stuck for nearly a decade in the bottom half globally in Transparency International's Corruption Perceptions Index, Kosova has rocketed 20 places up in 2 years under our Govt. Independent confirmation that our reforms are working. pic.twitter.com/EOuB0P2SLW
— Albin Kurti (@albinkurti) January 31, 2023
Por z. Kurti ka manipuluar me statistikën e përceptimit të korrupsionit të Transparency International. Ai ka përzgjedhur vetëm katër vitet e fundit, duke anashkaluar vitet paraprake. Dhe kjo është bërë qëllimshëm. Kurti zgjodhi vitet 2019 dhe 2020, pasi Kosova aty renditet keq në krahasim me dy vitet e fundit.
Përderisa në vitet 2019 dhe 2020, Kosova renditet në vendin 101 dhe 104 respektivisht, në vitin 2021 dhe 2022, Kosova renditet në vendet 87 dhe 84. Por Kurti qëllimshëm ka përfshirë vetëm këto vite. Ai e ka shmangur ta zëmë vitin 2017, kohë kur Kosova qeverisej nga Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës.
Gjatë këtij vitit qeverisës, Kosova ishte renditur në vendin e 85, një vend më poshtë se vendi 84, e të cilin Kurti e shpalli si triumf të qeverisjes së tij e luftës kundër korrupsionit. Po ashtu, në vitin 2016, Kosova ishte renditur në vendin e 95, vetëm 8 vende më poshtë se që është renditur Kosova në vitin 2021, kohë kur Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës.
Pra nën Qeverinë Mustafa, Kosova kishte një trend pozitiv të renditjes në këtë listë, duke u renditur në vendin e 85. Madje përparimi nga viti në viti është më i shpejt, nga 95 në vitin 2016 në 85 në vitin 2017. Ndërsa gjatë qeverisjes së Kurtit, në vitin 2021 Kosova u rendit në vendin 87, ndërsa një vit më vonë (2022) Kosova përparoi vetëm 3 vende, duke u renditur në vendin e 84.
Për këtë çështje Kurti shkroi edhe në Facebook, duke u lavdëruar me suksesin.
“Për vetëm dy vite të qeverisjes sonë jemi përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishim në 2020 në vendin 84 në vitin 2022. Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vite Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë kurse me qeverinë tonë në dy vitet e fundit jemi në shpejtësinë e 20. Ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri.” – shkroi ai.
Në fakt, Kosova e qeverisur nën Kurtin është e renditur vetëm një pozitë më lartë se Kosova e renditur në kohën e Qeverisë së Isa Mustafës. Për dallim nga koha e Kurtit, në kohën e Mustafës nuk kishte inflacion e rritje çmimesh sikur në këto dy vitet e fundit. Por kjo s'është hera e parë që Kurti ka keqcituar raportet ndërkombëtare. Siç raportonte Nacionale muaj më parë, Kurti e kishte keqlexuar qëllimshëm edhe raportin e “World Justice Project”.
Por Kurti vazhdimisht ka shmangur të citojë raportet ndërkombëtare që janë kritikuese të Qeverisë së tij. P.sh. Kurti nuk e citon raportin e Bankës Botërore të vitit të kaluar, që thotë se në qershor të vitit 2022, inflacioni në produktet ushqimore ka shkuar në 19 për qind.
Kurti po ashtu vazhdon të flet për rritjen ekonomike prej 10 për qind, duke harruar inflacionin e vitit të kaluar, i cili mbërriti në 14,2 për qind në korrik, e që është periudha me inflacionin më të madh që nga shpallja e pavarësisë.
