Edi Rama, Grenelli, Orbani, Kurti me fjalët "të shtrirë ratë": Qysh mori fund saga e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia? - NACIONALE

Edi Rama, Grenelli, Orbani, Kurti me fjalët "të shtrirë ratë": Qysh mori fund saga e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre policët që ishin rrëmbyer nga forcat serbe në veri të Kosovës tashmë raportohet se janë liruar, megjithëse ndaj tyre është konfirmuar 'aktakuza'. Rrëmbimi i tyre përshkallëzoi edhe më shumë tensionet me Serbinë, por njëkohshëm edhe nxori edhe disa episode domethënëse politike. Cilat ishin ato?

Tre policët – Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shem Mustafa – ishin rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe.

Kjo fatmirësisht e vuri në dritë më të mirë ndërkombëtarësisht Kosovën, me presionin e madh nga ShBA dhe BE që kaloi në anën e Serbisë së cilës i kërkohej lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i tyre. E se presioni ishte serioz, e dëshmoi edhe kryeministri i Hungarisë, që gjatë takimit i tha presidentit serb Vuçiq që t’i lironte policët e Kosovës.

Madje, tash së voni ministrja e jashtme e Hungarisë ka marrë meritat për lirimin e policëve.

E megjithatë, kjo fatkeqësisht nuk ndodhi për dymbëdhjetë ditë rresht.

Episodi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte rishfaqur si aleat i madh i Kosovës pak ditë pasi kishte dërguar një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Bruksel.

Ai kishte kërkuar lirim të menjëhershëm të policëve, duke paralajmëruar Serbinë se marrëdhëniet e saj me Shqipërinë shkaku i kësaj çështjeje mund të bënin “shumë hapa mbrapa!”

Më tej, kryeministri shqiptar kishte vazhduar duke thënë se kjo mund të ishte java e “rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”

Për angazhimin konkret të Ramës në lirimin e policëve deri tash nuk dihet shumë publikisht. Megjithatë, figura të ndryshme kishin deklaruar se pikërisht Rama mund të dilte si njeriu që do t’i lironte ata.

Richard Grenell

Edhe ish-emisari special i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell, ishte në Kosovë. Ai foli me anëtarë të Listës Serbe dhe kërkoi lirimin e zyrtarëve policorë të arrestuar.

Nuk dihet se sa mund të kenë ndikuar thirrjet e tij.

“Shtrirë në dushk, ratë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “agresion” rrëmbimin e policëve nga Serbia.

Por, fatkeqësisht edhe më herët ishin rrëmbyer policë kosovarë nga forcat serbe dhe për një gjë të tillë ai kishte pasur të tjera fjalë, duke e akuzuar pushtetin e atëhershëm e madje edhe vetë policët.

“Jau kanë dhunuar tre policë në Dumnicë. Xhandarmëria serbe jau ka shtrirë në dushk të malit, ratë...” – thoshte Kurti në vitin 2016. “Si bëhet që asnjëri prej tre policëve që u shtrinë ratë në Dumnicë nuk dha intervistë? Si bëhet që asnjë shok i tyre nuk mori hak?”vazhdonte tutje ai.

Ai nuk ka komentuar këto komente të tij deri tash, ndërkohë që fatmirësisht ka vizituar familjet e policëve të rrëmbyer.

Sidoqoftë, kryeministri ishte dukur se e kishte kushtëzuar praninë e tij në takimin e thirrur nga Borrell me gjendjen e policëve që po mbaheshin në paraburgim në Kralevë.

Kryeministri ka reaguar pas lirimit të tre policëve duke shprehur gëzimin e tij, por duke kërkuar edhe që për agresionin serb të jepet përgjegjësi.

Lajme të ngjashme