Edhe pse në serbisht lavdëroi Ivanoviqin, Kurtit s'ia pëlqeu asnjë serb postimin përveç "një ushtareje serbe" - NACIONALE

Edhe pse në serbisht lavdëroi Ivanoviqin, Kurtit s'ia pëlqeu asnjë serb postimin përveç "një ushtareje serbe"

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Fjalët e kryeministrit Albin Kurti për politikanin e vrarë serb Oliver Ivanoviq po vazhdojnë të shkaktojnë debat të nxehtë në Kosovë. Por, del se edhe pse kryeministri Kurti ka folur në serbisht, serbët nuk e kanë pëlqyer e dëgjuar mesazhin e tij.

Fjalët e mira që Kurti i tha për politikanin e vrarë serb Oliver Ivanoviq të dyshuar për krime lufte nxitën edhe një protestë gjatë ditës së sotme. Protestuesit mes tjerash thanë edhe se “po devijohej historia”.

Por, a kishin të paktën efekt fjalët e Kurtit mbi qytetarët serbë pasi që ishin në serbisht?

Duhet thënë që kjo nuk ishte videoja e parë në gjuhën serbe e kryeministrit të Kosovës. Ai edhe më herët kishte bërë video të ndryshme ku fliste në gjuhën që e komunitetit më të madh pakicë në Kosovë.

Sidoqoftë, në videon e fundit që irritoi shumë shqiptarë për Ivanoviqin, Qeverisë së Kosovës i ka pëlqyer postimin në Facebook vetëm një qytetare serbe me emrin Ana Marjanoviq që në bazë të të dhënave publike në Facebook është edhe ushtare e Serbisë. Shumica dërmuese e pëlqyesve tjerë në atë postim i përkasin komunitetit shumicë, shqiptarëve ani pse në të nuk flitej asnjë fjalë e vetme në gjuhën shqipe.

Deri tash, videoja në fjalë në postimin në Facebook ka nxitur 665 reagime, prej të cilave 355 janë pëlqime. Mes këtyre pëlqyesve është edhe deputeti i partisë së tij, Armend Muja.

Çka thonë serbët?

Duke komentuar videot e mëhershme të kryeministrit Kurti në serbisht, analistja nga Mitrovica e Veriut Nevena Radosavljeviq ka thënë se serbishtja e folur nga Kurti është në nivel “të lakmueshëm”.

Por, megjithatë ajo ka pasur dilema nëse Kurti e kupton përnjëmend këtë komunitet minoritare.

“Është fakt që Albin Kurti ka treguar se njohja e gjuhës serbe nga ana e tij është në një nivel të lakmueshëm, por ajo që ende mbetet si pikëpyetje është se a i kontribuon kjo gjë besimit që serbët e kanë në të? Përderisa nga njëra anë duhet të shprehen të gjitha lëvdatat për mundin, nga ana tjetër vlen të analizohet edhe se çfarë bartin me vete porositë e Kurtit.... T’u thuash serbëve se ata duhet të mbështeten më shumë tek Qeveria në Prishtinë se sa tek ajo në Beograd, apo që targat e tyre janë të jashtëligjshme paraqet edhe një herë mungesë të njohjes se si funksionojnë serbët në Kosovë. Pa marrë parasyesh se çfarë është qeveria në Beograd, serbët do të vazhdojnë të mbështeten më shumë në të se sa në atë të Prishtinës...” – shkroi në një opinion ajo.

Serbët e tjerë kanë qenë përgjithësisht shpërfillës ndaj përpjekjeve të Kurtit për të folur në gjuhën serbe dhe për të bartur mesazhe politike drejt tyre.

Protesta e sotme

Sot kanë protestuar kundër fjalëve të kryeministrit të Kosovës fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së.

Ata i kanë bërë thirrje Kurtit që të kërkojë falje për fjalët e tij ose të dorëhiqet.

Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të përfunduar afër objektit të qeverisë, ku u vendosën të gjitha pankartat që protestuesit po mbanin në duar gjatë gjithë kohës.

“Marre”, “Dorëheqje”, “Kërko falje”, “Mos shkel gjakun e dëshmorëve” ishin disa nga parullat në këtë protestë.

Berat Beqiri, njëri nga organizatorët dhe fëmijë dëshmori, deklaroi se nuk do t’i harrojnë kurrë lëvdatat që Kurti ia bëri politikanit të vrarë, Oliver Ivanoviq.

“Kryeministër mos na shkel në gjak, stop devijimit të historisë. Nuk duam të bëhemi pjesë e fajit dhe tradhtisë. Më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj historisë. Deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme, ofendimet si ky i Kurtit do të pasohen me protestat tona. Durimin e popullit po e cilësoni si injorant dhe paaftësi. Nuk jemi as injorant dhe as të paaftë, dhe ne do t’iu kërkojmë llogari publike. Populli që ti e ke ofenduar, duron ndoshta, por nuk harron e as nuk falë kurrë. Ne fëmijëve të dëshmorëve kursena larg politikave dhe larg çdo gjëje. Mos na fyeni në ndërgjegjen dhe plagët tona. Albin dorëhiqu ose kërko falje”, deklaroi Beqiri.

Lajme të ngjashme